Top Story 2
Faqja 1 e 1
Top Story 2
Top Story 2
Përmes dallgëve…
Unë jam një vajzë tashmë 29 vjeçare.
Historia ime fillon në vitin 2000 kur ende kishte armë kudo në Shqipëri ! Isha 15 vjeç atëhere dhe jetoja me mamin, vëllain e vogël dhe gjyshërit e sëmurë. Babi kishte ikur ilegal në Itali.
Jetonim të qetë edhe pse ishim të varfer, derisa një ditë na marrin në telefon dhe na thonë se babi im, që punonte në ndertim kishte rënë nga skela dhe meqë punonte në të zezë, pronari thjesht e kishte çuar në spital dhe e kishte lënë aty.
Duhej të shkonte dikush e të kujdesej për të dhe ta identifikonte sepse nëse nuk shkonte asnjë, spitali e nxirrte dhe e linte në mëshirën e kryqit të kuq dhe shoqatave të emigrantëve. Mami nuk shkonte dot për shkak të vëllait. Asnjë kushëri nuk e mori përsipër. I thashë mamit se do ikja unë, por nuk me lejoi.
Kështu ika pa lejen e saj. Takova vetëm gjyshen, e cila më dha disa para. Preva floket si djemtë (zero) dhe ika në Durrrës.
Në port hipa në disa tragetë, por më nxorrën disa herë me të shtyrë. Kur më nxorrën nga trageti i fundit, një grua me 3 fëmijë të vegjël më tha “ik biro se nuk të lënë qenë të kalosh. Të ishte për mua ikja andej nga moli dhe hipja me gomone, po kam hall se më vdesin fëmijët”. E pyeta ku ishte moli dhe u nisa….
Po errësohej... Eca përgjatë bregut afro dy kilometra duke fshirë lotët dhe duke pëshpëritur “do vij babi, ke për të parë, do vij dhe do të gjej, gjallë a vdekur .... !
Nga larg pashë zjarre, u afrova. Ishin rreth 50 vetë dhe 4 gomone. Iu afrova njërit prej pronarëve më të vjetër në moshë dhe iu luta të më merrte, po ai më tha "ik", se nuk hyj në gjynah me fëmijë. Duke qarë ia thashë hallin tim. Më në fund, pas shumë lutjesh të mijat më tha "hip se nuk je dhe aq e rëndë, por me kusht që çantën mos e merrja me vete. Mora vetëm qesen e bukës dhe hipa. Në gomone ishim 12 vetë. Në det të hapur bënte ftohtë.
Dridhesha...
Një djalë rreth 18 vjeç më tha të mbështillesha nën xhaketën e tij… Hapa bukën dhe i dhashë atij gjysmën. Ai u hutua, por e mori. Gjumi më zuri në kraharorin e tij. U zgjova nga të thirrurat. Kishte dallgë dhe gomonia po rëndohej, Ai që e drejtonte tha që njërin do ta hidhte në det, që të shpëtonin të tjerët.
Unë isha aty pa paguar, por ai nuk më hodhi mua. Gjeti atë që ishte më i shëndoshë dhe e hodhi.
U tmerrova. E pashë me sytë e mi tek mbytej ai thirri
U shokova, por nuk nxorra zë. Më zuri gjumi dhe kur u zgjova dukej toka italjane.
Njerëzit nga gëzimi harruan se ishim në gomone dhe po kërcenin. Nuk kuptova mirë si, sepse isha dhe përgjumësh, por gomonia po fundosej dhe kësaj rradhe po vdisnim të gjithë ..
Ishim 1 km larg bregut. Po mbytesha, not nuk dija. Në momentin e fundit, një dorë më kap nga bel, ishte ai djali. Më bërtiti “Nuk ke të drejtë të vdesësh. Më dëgjove? Do jetosh se s'bën. ME DEGJON???”
3 metra më andej ishte një gomë makine. Nëse e kapnim atë, edhe mund të shpëtonim, por ne po fundoseshim të dy.
Ik - i thashë. Shpëto veten, por ai nuk më lëshoi. Arritëm të dalim deri në breg me ndihmën e atij objekti. Ishim të lodhur, të vdekur. Në Bari kisha një kushuri të mamit, e kisha shënuar nr. e tij të tel. Ai do më merrte dhe do më niste në Gjenovë tek babi, në spitalin ku na thanë, por në breg kur më thanë të lija çantën, unë e kisha harruar nr. aty. Nuk e gjeja dot me atë të afërm në gjithë atë Bari, duke i ditur vetëm emrin. Ai djali që më shpëtoi quhej Gjergj, ishte nga Puka dhe kur e pyeta pse më shpëtoi tha: "Sepse ti ndave bukën me mua, duke e ditur që në Itali do vdisje urie.
Ti je njeri i mirë". Ai vendosi të më ndihmonte të gjeja babin, pastaj secili do shkonte në punën e vet. Në Bari blemë një kove e dy sfungjerë dhe lanim makina, por askush nuk ndalonte sepse ne ishim shumë të pisët. Më kujtohet një grua që më dha lekë, vetëm që të mos ia prekja xhamin... Na u mbushën të dyve sytë me lot nga veprimi i saj. Sa të bënim lekët e biletave, nuk do punonim më aty, por një mbrëmje na rrahën bullgarët sepse ne pa e ditur, po punonim në territorin e tyre. Na bënë të vdekur. Kur u përmenda, e gjeta veten afër kazanit të plehrave, të gjakosur, sepse ata nuk e kishin kuptuar që isha femer. Gjergji ishte pak më tej. Ai nuk lëvizte, ishte me keq se mua i gjakosur. Na i kishin marrë dhe ato pak para..Qava mbi fytyrën e tij dhe nuk e di sa qëndrova ashtu. Gjergji lëvizi, ishte gjallë!
Faleminderit o zot! Kërkoi ujë. Aty na ndihmuan disa marokenë që na morën në një kapanon ku jetonin më shumë se 300 emigrantë Për ne nuk kishte vend, pradaj na çuan në një dhomë të vogël në fund. Sollën vetëm një copë sfungjer dhe një copë bukë. Aty e ula Gjergjin që ishte më keq se mua. Bukën e ruajta për të. Nuk doja të vdiste.
Të nesërmen njoha dy shqiptarë. Ia tregova historinë dhe ata na sollën bukë. Pastaj menduan të bëja një punë. Ata ishin të punësuar në një fabrikë që bënte lëng frutash. Më sollen 9 arka me portokalle e një shtrydhëse mekanike. Në mbrëmje erdhën morën lëngun dhe kështu vazhdova një jave. Duart m'u enjtën dhe m'u bënë me puçrra. Bukë haja pak, sepse pjesën më të madhe e ruaja për Gjergjin. Udhëtoja çdo ditë 3 km për të blerë qumësht dhe bukë për të. Flija përtokë, që të shërohej ai. Shumë netë trembesha në gjumë. Shumë netë na zinte gjumi duke qarë. Një natë i thashë: "Gjergj kam dëgjuar se nëse ia shpëton jetën dikujt, ajo jetë të përket ty". Ai qeshi dhe tha: "Mes nesh nuk ekziston asnjë borxh, rri e qete…".
Pasi kaloi një javë, shkoj të marr lekët që më takonin nga puna ime. Pronari më pyeti nga isha. I thashë të vërtetën dhe gjithçka tjetër që pyeti. U prek nga historia ime dhe vendosi të na i paguante ai biletat për në Gjenova. Të nesërmen u nisëm. Sapo zbritëm bleva një kartë telefonike dhe mora mamin në telefonin e një komshies tonë. Babi ishte ende gjallë, në të njëjtin spital. Shkuam atje dhe gjetëm 6 emigrantë shqiptarë, me të njëjtin dëmtim, I parafundit ishte babai im. E gjeta të shtrire aty. Ishte rrënuar shumë, por qau nga gëzimi. Kaluan disa ditë dhe unë e Gjergji në Gjenove, flinim në hyrjen e një pallati.
Drejtori i spitalit na thirri për të paguar faturën. Shkuam dhe i thashë se nuk kisha gjë tjetër veç shpirtit. Nëse lajmëronte policinë, thjesht do na kthenin në Shqipëri, ku kishim vetëm një shtëpi që po ta tundje me dorë binte. Ai nuk na bëri keq, përkundrazi na gjeti një vend në lavanteri dhe një punë, të hekurosnim çarçafë. Ishte një mrekulli për ne. Do të kishim një strehë dhe do ishim në spital afër babit tim. Por kjo normalisht ishte një veprim ilegal. Pas 3 muajsh babi doli nga spitali. Aty u bë i gjallë një kushëri i tij dhe i gjeti punë në një karburant.
U kthyem në dhomën ku kishte jetuar babi më parë, bashkë me ne dhe Gjergji. Filloi punë dhe ai, por pas disa muajsh atë e merr në tel. daja i vet që jetonte në Parma dhe kështu ai iku.. Kur e përcolla në stacion, gjysma ime vdiq me të. Do më mugonte tmerrësisht shumë miku im i mirë, që më shpëtoi jetën e që më respektoi si një motër.
Pas një viti morëm dhe familjen dhe u rregulluam mirë. Unë mësova gjuhën dhe u futa në shkollë. Kaluan 5 vjet dhe çdo ditë e kujtoja malësorin e ndershem që më ndihmoi. Eh, sikur ta takoja një ditë, mendoja…
Por një pasdite në sallën e leksioneve vjen një djalë që kërkonte çantën e prof. Luigit. E njoha nga zëri. Tashmë një djalë i bukur, i pastër. Ishte ai… GJERGJI! U përqafuam. Ai ishte shoferi i pedagogut tim. Sa shumë mall kisha për të. Pas 5 vitesh ai ishte përsëri këtu. U ritakuam.
Gjergji kishte 2 vite që më kishte kërkuar kudo nëpër Gjenove. Kishte shkuar dhe tek shtëpia ku kishim jetuar të tre, por ne nuk jetonim më aty që kur morëm në Itali dhe mamin e vëllain.
Më kishte kërkuar kudo ku kishim qenë bashkë dhe kurrë nuk i kishte humbur shpresat. Pas disa muajsh ai më tha se më donte, por jo per tu lidhur, por për t'u fejuar. Ishte i bindur që më donte. Tashmë ishim të rritur - më tha. Kur ndjeja si përpëliteshe në kraharorin tim, e kuptoja që të doja, por ishte mëkat. Ti ishe fëmijë. Isha unë që të zgjoja e të përqafoja kur shikoje makthe e thërrisje: "BABA BABA, PO VIJ PRIT TE LUTEM". Isha unë që ndjeja lotët e tu. Të kisha pranë kur ti ruajë bukën tënde për mua, kur flije përtokë për mua. Kjo është dashuri, dashuri, dashuri dhe tani që të rigjeta ti je po e njëjta, përsëri e brishtë… dhe unë dua të martohem me ty.
Të lutem më prano. Kjo është dashuri e vërtetë”.
Unë po qaja. U fejuam me dëshirën e të gjithëve. Babi im e dinte shumë mire kush ishte djali me emrin Gjergj…
Tashmë kemi një djalë. NOA e quajnë. Jemi të lumtur, unë nga Elbasani, ai nga Puka …
Një ditë Noa më pyeti: "Ku e ke njohur babin"?!
Dhë unë iu përgjigja : “ PERMES DALLGEVE” !
Marrë nga faqja Albania
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi