Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bektashizmi dhe historia e jetes se Imameve

Shko poshtë

Bektashizmi dhe historia e jetes se Imameve Empty Bektashizmi dhe historia e jetes se Imameve

Mesazh nga Rifat Wed May 02, 2012 10:08 am


Bektashizmi dhe historia e jetes se Imameve


Imami i parë


[You must be registered and logged in to see this image.]
Amir al-muminin Aliu - paqja qoftë mbi të - ishte i biri i Abu Talibit, Sheik i Banu Hashimit. Abu Talibi ishte i ungji dhe kujdestari i Pejgamberit të Shenjtë dhe njeriu i cili e kishte sjellë Pejgamberin në shtëpinë e vet dhe e kishte rritur si të birin e tij. Pasi Pejgamberi u zgjodh për misionin e tij Pejgamberik, Abu Talibi vazhdoi ta përkrahte atë dhe largoi nga ai të ligën që vinte nga të pabesët ndër arabët dhe sidomos ndër kurejshët.

Sipas vlerësimeve të mirënjohura tradicionale Aliu ishte lindur dhjetë vjet pas fillimit të misionit pejgamberik të Pejgamberit. Kur ai ishte gjashtëvjeçar, si rezultat i skamjes në Mekë dhe rreth saj, Pejgamberi kërkoi që ai të linte shtëpinë e babait të vet dhe të vinte në shtëpinë e kushëririt të tij, të Pejgamberit. Atje ai u vendos drejtpërsëdrejti nën kujdestarinë e Pejgamberit të Shenjtë.

Pas disa vjetësh, kur Pejgamberit iu dhurua dhurata hyjnore e pejgamberisë dhe për herë të parë mori shpalljen hyjnore në shpellën Hira, siç e la shpellën për t’u kthyer në qytet dhe në shtëpinë e tij ai e takoi rrugës Aliun. I tregoi atij çka kishte ndodhur dhe Aliu e pranoi besimin e ri. Përsëri në një tubim kur Pejgamberi i Shenjtë i kishte mbledhur bashkë kushërinjtë e tij dhe i ftoi të pranonin këtë religjion, ai tha se personi i parë që kishte pranuar thirrjen e tij do të ishte zëvendës, trashëgimtar dhe ndihmës i tij. I vetmi person i cili u ngrit nga vendi dhe pranoi fenë ishte Aliu dhe Pejgamberi e pranoi deklaratën e tij të besimit. Prandaj, Aliu ishte njeriu i parë në Islam i cili e pranoi besimin dhe është i pari ndër vijuesit e Pejgamberit i cili kurrë nuk ka adhuruar tjetër pos të Vetmin Zot.

Aliu gjithmonë ishte në shoqëri me Pejgamberin derisa Pejgamberi migroi nga Mekka në Medinë. Natën e migrimit në Medinë (hixhrah) kur të pabesët kishin rrethuar shtëpinë e Pejgamberit dhe kishin vendosur ta pushtonin shtëpinë kah fundi i natës dhe ta prenin atë copë-copë derisa ai po flinte, Aliu fjeti në shtratin e Pejgamberit, ndërsa Pejgamberi e lëshoi shtëpinë dhe u nis për në Medinë. Pas nisjes së Pejgamberit, sipas dëshirës së vet Aliu ua ktheu njerëzve obligimet dhe detyrimet të cilat ata ia kishin lënë Pejgamberit. Pastaj ai shkoi në Medinë me nënën e tij, të bijen dhe me Pejgamberin, dhe me dy gra të tjera.40 Në Medinë po ashtu Aliu ishte gjithherë në shoqëri të Pejgamberit në jetën private dhe publike. Pejgamberi ia dha Aliut për grua Fatimen, të bijen e tij të dashur nga Khadija, dhe kur Pejgamberi ishte duke bërë lidhjen e vëllazërimit midis shokëve të tij ai e zgjodhi Aliun si vëlla të tij.

Aliu ishte i pranishëm në të gjitha luftërat në të cilat mori pjesë Pejgamberi, pos në luftën e Tabukut kur i ishte urdhëruar të qëndronte në Medinë në vend të Pejgamberit. Ai nuk ishte tërhequr nga asnjë betejë as që ia kishte kthyer shpinën çfarëdo armiku. Ai nuk la pa i kryer urdhrat e Pejgamberit, kështu që Pejgamberi ka thënë : “Aliu kurrë nuk ndahet nga e vërteta as e vërteta nga Aliu.”

Ditën e vdekjes së Pejgamberit, Aliu ishte tridhjet e trevjeçar. Ndonëse ai ishte më i larti me virtytet e religjionit dhe më i dalluari ndër shokët e Pejgamberit, ai ishte shty anash nga halifati duke thënë se ishte tepër i ri dhe se kishte shumë armiq në mesin e popullit për shkak të gjakut të politeistëve që kishte derdhur ai në luftërat ku kishte luftuar së bashku me Pejgamberin. Prandaj Aliu qe shkëputur thuaja plotësisht nga punët publike. Ai u tërhoq në shtëpinë e tij ku filloi të ushtronte individë kompetentë në shkencat hyjnore dhe në këtë mënyrë i kaloi njëzet e pesë vjetët e halifatit të tre halifëve të parë të cilët e trashëguan Pejgamberin. Kur u vra halifi i tretë, populli ia dha besimin atij dhe ai u zgjodh halif.

Gjatë halifatit të tij prej afër katër vjetësh dhe nëntë muajsh, Aliu vijoi rrugën e Pejgamberit dhe i dha halifatit të tij formën e një lëvizjeje shpirtërore dhe të përtëritjes dhe filloi shumë lloje reformash. Natyrisht, këto reforma ishin kundër interesave të disa grupeve që kërkonin fitimin e tyre vetjak. Si pasojë e kësaj, një grup shokësh (më të dalluarit në mesin e tyre qenë Talhahu dhe Zubairi, të cilët po ashtu morën përkrahjen e Ajshes, dhe sidomos të Muavijut) morën si pretekst vdekjen e halifit të tretë për të ngritur krye kundër Aliut dhe filluan një revoltë dhe kryengritje kundër tij.

Për ta shuar këtë grindje qytetare dhe kryengritje, Aliu luftoi në një luftë afër Basrës të njohur si “Beteja e Devesë”, kundër Talhahus dhe Zubairit, në të cilën ishte përzier edhe Ajshja, “Nëna e Besimtarit”. Ai luftoi edhe në një luftë tjetër kundër Muavijut në kufi të Irakut dhe të Sirisë, e cila zgjati një vit e gjysmë dhe njihet si “Beteja e Sifinit”. Ai luftoi edhe kundër Havarixhit44 në Nahravan, në një betejë të njohur si “Beteja e Nahravanit”. Prandaj, shumica e ditëve të halifatit të Aliut kaluan duke kapërcyer kundërshtimet e brendshme. Më në fund, në mëngjesin e 19. të Ramazanit, në vitin 40 të hixhrit, derisa lutej në xhaminë e Kufas, ai u plagos nga një i Kavarixhëve dhe vdiq si dëshmor gjatë natës së 21.

Sipas dëshmive të miqve dhe armiqve, Aliu nuk kishte të meta nga pikëpamja e përsosjes njerëzore. Ndërsa me virtytet islamike ai ishte një shembull i përsosur i edukatës dhe i ushtrimit të dhënë nga Pejgamberi. Bisedat që janë bërë lidhur me personalitetin e tij dhe librat që janë shkruar mbi këtë temë nga shiitët, sunitët dhe anëtarët e religjioneve të tjera, si dhe thjesht nga dikush i jashtëm, nga njerëz të dalluar të religjionit, vështirë se mund të krahasohen me të cilitdo tjetër nga personalitetet historike.

Në shkencë dhe dije Aliu ishte më i dijshmi nga shokët e Pejgamberit dhe nga myslimanët në përgjithësi. Në bisedat e tij intelektuale ishte i pari në Islam për të hapur derën e demonstrimit dhe të provës logjike dhe për të biseduar për “shkencat hyjnore” ose për metafizikën (ma’arif-i ilahijah). Ai fliste lidhur me aspektin ezoterik të Kur'anit dhe përpiloi gramatikën arabe për ta ruajtur formën e shprehjes së Kur'anit. Ai ishte arabi më elokuent në ligjërim.


Guximi i Aliut ishte proverbial. Në të gjitha luftërat në të cilat mori pjesë ai gjatë jetës së Pejgamberit, dhe po ashtu edhe pas kësaj, kurrë nuk tregoi frikë ose shqetësim. Ndonëse në shumë beteja, si në ato të Uhudit, Hunajnit, Khajbarit dhe Khandakit ndihmësit e Pejgamberit dhe myslimanët dridheshin nga frika ose zhdukeshin dhe iknin, ai kurrë nuk ia ktheu shpinën armikut. Kurrë nuk e angazhoi Aliu një luftëtar ose ushtar në betejë e të mos dilte nga atje i gjallë. Megjithatë, me plot trimëri kalorsiake ai kurrë nuk do të vriste armikun e dobët as që do t’i ndiqte ata që iknin. Ai nuk do të anagazhohej në sulme të befasishme ose duke u lëshuar si rrëke uji kundër armikut.

Është vërtetuar definitivisht në histori se në Betejën e Khajbarit, në sulmin kundër kështjellës, ai e kapi rrethin e derës dhe me një lëvizje të menjëhershme e theu derën dhe e hodhi anash. Gjithashtu në ditën kur u pushtua Mekka, Pejgamberi urdhëroi që të theheshin idhujt. Idhulli “Hubal” ishte idhulli më i madh në Mekkë, një statujë guri gjigante e vendosur në kulm të Qabesë. Duke vijuar urdhrin e Pejgamberit, Aliu e vendosi këmbën mbi shpatullat e Pejgamberit, hipi në maje të Qabesë, e shkuli “Hubalin” nga vendi dhe e hodhi poshtë.

Aliu ishte po ashtu pa shoq në asketizmin fetar dhe në adhurimin e Zotit. Duke u përgjigjur disave që ishin ankuar për zemrimin e Aliut kundër tyre, Pejgamberi kishte thënë : “Mos e qortoni Aliun sepse ai është i dalldisur dhe i shushatur në mënyrë hyjnore. ”48 Abu Dardai, njëri nga shokët (e Pejgamberit) një ditë e pa trupin e Aliut në një kopsht palmash në Medinë që qëndronte i shtrirë përtoke, i shtangur si druri. Ai shkoi në shtëpi të Aliut për t’i treguar gruas së tij fisnike, së bijës së Pejgamberit, dhe për t’i shprehur ngushëllimet. E bija e Pejgamberit tha : “Kushëriri im (Aliu) nuk ka vdekur. Atij i ka rënë të fikët nga frika e Zotit. Kjo gjendje e kap atë shpesh.”

Ka shumë ngjarje që tregohen për sjelljen e Aliut ndaj atyre më të ulët, për mëshirën për nevojtarët dhe të varfrit, për bujarinë dhe dorëhapësinë ndaj atyre të mjerëve dhe të varfërve. Aliu shpenzonte gjithçka që fitonte për t’u ndihmuar të varfërve dhe nevojtarëve, kurse vetë jetonte në mënyrën më të rreptë dhe më të thjeshtë. Aliu e donte bujqësinë dhe kalonte shumë nga koha e tij duke gropuar puse, duke mbjellë pemë dhe duke punuar arat. Por të gjitha arat që i punonte ai ose puset që i hapte i jepte për ndihmë (vakëf) të varfërve. Ndihmat e tij të njohura si “lëmosha e Aliut”, kah fundi i jetës së tij, arrinin të ardhura të konsiderueshme prej njëzet e katër mijë dinarësh ari.

Imami i dytë

Imam Hasan Muxhtabai - paqja qoftë mbi të - ishte imami i dytë. Ai dhe i vëllai, Imam Huseini, ishin dy djemtë e Amir al-muminin Aliut dhe Hazreti Fatimes, së bijës së Pejgamberit. Shumë herë kishte thënë Pejgamberi : “Hasani dhe Huseini janë fëmijët e mi”. Për shkak po të këtyre fjalëve Aliu do t’u thoshte fëmijëve të tjerë : “Ju jeni fëmijët e mi, kurse Hasani dhe Huseini janë fëmijët e Pejgamberit.”

Imam Huseini u lind në vitin e tretë të hixhrit në Medinë51 dhe jetoi derisa ishte Pejgamberi gjallë nja shtatë vjet, duke u rritur gjatë asaj kohe nën kujdesin e tij të dashur. Pas vdekjes së Pejgamberit, e cila ndodhi vetëm tre muaj, ose sipas disave, gjashtë muaj, para vdekjes së Hazreti Fatimes, Hasani u vendos drejpërsëdrejti nën kujdesin e babait të tij fisnik. Pas vdekjes së babait të tij, përmes Urdhrit Hyjnor dhe sipas dëshirës së babait të tij, Hasani u bë imam ; ai po ashtu zuri funksionin e halifit për nja gjashtë muaj dhe gjatë asaj kohe ai administroi gjërat e myslimanëve.

Gjatë asaj kohe Muaviju, i cili ishte armik i hidhur i Aliut dhe i familjes së tij dhe kishte luftuar me vite me ambicie për ta zënë vendin e halifit, së pari me pretekst të hakmarrjes për vdekjen e halifit të tretë dhe në fund me një pretendim të hapët për halifat, marshoi me ushtrinë e tij në Irak, në selinë e halifatit të Imam Hasanit. Vazhdoi lufta gjatë së cilës Muaviju gradualisht i rrëzoi gjeneralët dhe komandantët e armatës së Imam Hasanit me shuma të mëdha të hollash dhe me premtime të rrejshme, derisa ushtria u ngrit kundër Imam Hasanit.[52] Më në fund, Imami u detyrua të lidhte paqe dhe t’ia jepte halifatin Muavijut, me kusht që përsëri t’i kthehej Imam Hasanit pas vdekjes së Muavijut, kurse familja e Imamit dhe ithtarët e tij të mbroheshin në çdo mënyrë.

Në këtë mënyrë Muaviju e zuri halifatin islamik dhe hyri në Irak. Në një fjalim publik ai zyrëtarisht i shpalli të pavlefshme të gjitha kushtet e paqes dhe në çdo mënyrë të mundshme vendosi presionin më të ashpër mbi anëtarët e familjes së Pejgamberit dhe mbi shiitët. Gjatë gjithë dhjetë vjetëve të imamllëkut të tij, Imam Hasani jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe nën përndjekje, pa asnjë siguri madje as në shtëpinë e tij. Në vitin[50] të hixhrit, atë e helmoi dhe e martirizoi një i familjes së tij, i cili, siç tregohet nga historianët, ishte nxitur nga Muaviju.

Për nga përsosja njerëzore Imam Hasani të përkujtonte babain e tij dhe ishte shembull i përsosur i gjyshit të tij fisnik. Në të vërtetë, derisa qe Pejgamberi gjallë, ai dhe i vëllai ishin gjithmonë në shoqëri të Pejgamberit, i cili ndonjëherë edhe do t’i mbante në krah. Si burimet sunite ashtu edhe ato shiite kanë përcjellë këtë thënie të Pejgamberit të Shenjtë që ka të bëjë me Hasanin dhe Huseinin : “Këta dy fëmijë të mi janë imamë qoftë të rrinë në këmbë ose ulur” (aluzioni me qoftë të zënë funksionin e jashtëm të halifatit ose jo).[56] Gjithashtu, ka shumë ngjarje të Pejgamberit të Shenjtë dhe të Aliut që kanë të bëjnë me të dhënën se Imam Hasani do të merrte funksionin e imamllëkut pas babait të tij fisnik.

Imami i tretë

Imam Huseini (Sajjid al-Shuhada’, “zot ndër martirët”), fëmija i dytë i Aliut dhe i Fatimes, u lind në vitin 4 të hixhrit, kurse pas martirizimit të babait, Imam Hasan Muxhtabai, u bë imam përmes Urdhrit Hyjnor dhe me dëshirën e të vëllait. Imam Hyseini ishte imam gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, gjithë pos gjashtë muajve të fundit të cilët përputhen me halifatin e Muavijut.

Imam Huseini jetoi në kushtet më të vështira të jashtme të trysnisë dhe të përndjekjes. Kjo ishte për shkak të faktit se, para së gjithash, ligjet dhe rregullat fetare kishin humbur shumë nga pesha dhe besimi i tyre, kurse dekretet e qeverisë së Muavijut kishin arritur autoritet dhe pushtet të plotë. Së dyti, Muaviju dhe ndihmësit e tij shfrytëzonin çdo mjet të mundshëm për të mënjanuar dhe larguar familjen e Pejgamberit dhe shiitët, dhe kështu të fshinin emrin e Aliut dhe të familjes së tij.

Dhe mbi të gjitha, Muaviju donte të forconte bazën e halifatit të tij për të birin, Jazidin, të cilin për shkak të mungesës së parimeve dhe të skrupullave të veta, e kundërshtonin një grup i madh myslimanësh. Prandaj, për ta shuar gjithë opozitën, Muaviju kishte ndërmarrë masa më të reja dhe më të rrepta. Me forcë dhe detyrim Imam Huseini u desht t’i duronte ato ditë dhe të toleronte çdo lloj agonie dhe mjerimi mendor dhe shpirtëror nga Muaviju dhe ndihmësit e tij - deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë sipas hixhrit. Muaviju vdiq, kurse i biri i tij, Jazidi, e zuri vendin e tij.

Dhënia e betimit (beja) ishte një praktikë arabe e cila zbatohej për çështjet e rëndësishme siç është ajo e mbretërisë dhe e qeverisë. Ata që sundoheshin dhe sidomos ata më të njohurit në mesin e tyre, do të betoheshin për besnikëri, pajtueshmëri dhe dëgjueshmëri ndaj mbretit ose princit të tyre dhe në këtë mënyrë do të tregonin përkrahjen e tyre veprimeve të tij.

Mospajtimi pas betimit konsiderohej si turp dhe çnderim ndaj një populli dhe sikur shkelje e marrëveshjes pasi të ishte nënshkruar ajo zyrtarisht, konsiderohej si krim përfundimtar. Duke vijuar shembullin e Kur'anit të Shenjtë, njerëzit besonin se betimi, kur bëhej me vullnet të lirë dhe jo me forcë, kishte autoritet dhe peshë.

Muaviju kishte kërkuar nga të mirënjohurit ndër popull t’i jepnin besimin Jazidit, por këtë kërkesë nuk e kishte bërë nga Imam Huseini. Ai i kishte thënë në mënyrë të posaçme Jazidit në amanetin e tij se nëse Huseini refuzonte t’i jepte besimin ai duhej të kalonte mbi këtë çështje në heshtje dhe të mos e bënte të madhe, sepse i kishte kuptuar drejt pasojat shkatërruese që do të vijonin po qe se bëhej trysni mbi këtë çështje. Por për shkak të egoizmit të tij dhe pakujdesisë, Jazidi nuk e përfilli këshillën e babait dhe menjëherë pas vdekjes së babait të tij urdhëroi guvernatorin e Medinës ose ta detyronte Imam Huseinin t’i shprehte besim ose ta dërgonte kokën e tij në Damask.

Pasi guvernatori i Medinës e njoftoi Hasanin për këtë kërkesë, Imami, për të menduar për këtë çështje, kërkoi që të shtyhej pak dhe brenda natës u nis me familjen e vet drejt Mekkës. Ai kërkoi strehim në faltoren e Zotit e cila në Islam është vend zyrtar për strehim dhe siguri. Kjo ngjarje ndodhi nga fundi i muajit Raxhab dhe fillimi i Shabanit të vitit 60 të hixhrit. Gjatë afër katër muaj Imam Huseini qëndroi në Mekkë si refugjat.

Ky lajm u përhap nëpër botën islamike. Nga një anë, shumë njerëz që ishin të lodhur nga poshtërsitë e sundimit të muavijëve dhe qenë edhe më të pakënaqur kur Jazidi u bë halif, korresponduan me Imam Huseinin dhe i shprehën keqardhjen e tyre për të. Nga ana tjetër, filloi të rridhte një vërshimë letrash, sidomos nga Iraku dhe sidomos nga qyteti Kufa, duke e ftuar Imamin të shkonte në Irak dhe të pranonte udhëheqjen e popullatës atje me qëllim të fillimit të një kryengritjeje për të kapërcyer të padrejtat dhe poshtërsitë. Natyrisht, situata e tillë ishte e rrezikshme për Jazidin.

Qëndrimi i Imam Huseinit në Mekkë vazhdoi deri në sezonën e haxhillëkut kur myslimanët nga e gjithë bota rridhnin në grupe drejt Mekkës për të kryer ritin e haxhit. Imami zbuloi se disa nga vijuesit e Jazidit kishin hyrë në Mekë si haxhinj me mision për ta vrarë Imamin gjatë ritit të haxhit me armët që ata i mbanin nën veshjen e posaçme të haxhilerëve (ihrami).

Imami i shkurtoi ritet e haxhillëkut dhe vendosi të ikte. Në mesin e turmës së madhe të njerëzve ai u ngrit dhe me një fjalim të shkurtër shpalli se do të nisej për Irak. Në këtë fjalim të shkurtër ai po ashtu deklaroi se ai do të martirizohej dhe i luti myslimanët t’i ndihmonin për ta arritur qëllimin që kishte ndër mend dhe t’u ofronte jetës së tyre rrugën e Zotit. Të nesërmen ai u nis me familjen e vet dhe një grup shokësh për në Irak.

Imam Huseini ishte i vendosur të mos ia jepte besimin Jazidit dhe e dinte fare mirë se ai do të vritej. Ishte i vetëdijshëm se vdekja e tij ishte e pashmangshme në sytë e fuqisë ushtarake të frikësuar të umevitëve, e përkrahur siç ishte nga korrupcioni në disa fusha, i rënies shpirtërore dhe i mungesës së fuqisë së vullnetit ndër njerëzit, sidomos në Irak.

Disa nga njerëzit e dalluar të Mekkës i dolën në rrugë Imam Huseinit dhe e qortuan për rrezikun me lëvizjen që po bënte. Por ai u përgjigj se refuzonte t’i jepte besimin dhe të miratonte qeverinë e të padrejtave dhe tirane. Ai shtoi se e dinte që kudo që të shkonte ose të sillej, ai do të vritej. Ai do të ikte nga Mekka për të ruajtur respektin e shtëpisë së Zotit dhe të mos lejonte ai respekt të shkatërrohej duke iu derdhur gjaku atje.

Derisa ishte rrugës për Kufa dhe ende disa ditë udhëtimi jashtë qytetit, ai mori lajme se agjenti i Jazidit në Kufa kishte dënuar me vdekje përfaqësuesin e Imamit në atë qytet dhe po ashtu njërin nga përkrahësit e vendosur të Imamit i cili ishte një njeri i njohur në Kufa. Ua kishin lidhur këmbët dhe i kishin tërhequr nëpër rrugë.

Qyteti dhe rrethina e tij ishin vendosur nën mbikëqyrje të rreptë kurse ushtarë të panumërt të armikut po e pritnin atë. Nuk i kishte mbetur rrugë e hapur pos të marshonte përpara dhe të ballafaqohej me vdekjen. Ishte pikërisht këtu kur Imami e shprehu vendosmërinë e tij përfundimtare të shkonte përpara dhe të martirizohej ; dhe kështu vazhdoi ai këtë udhëtim.

Përafërsisht shtatëdhjetë kilometra nga Kufa, në një shkretëtirë të quajtur Qerbela, Imami dhe suita e tij u rrethuan nga ushtria e Jazidit. Gjatë tetë ditëve ata ndejtën në këtë vend gjatë së cilës kohë ngushtohej qarku kurse numri i ushtrisë së armikut rritej. Më në fund Imami, me familjen e vet dhe një numër të vogël shokësh u rrethuan nga një armatë prej tridhjetë mijë ushtarësh. Gjatë këtyre ditëve Imami e kishte fortifikuar pozitën e vet dhe bëri zgjedhjen e fundit të shokëve të tij. Natën ai i ftoi shokët e tij dhe gjatë një fjalimi të shkurtër deklaroi se nuk kishte mbetur tjetër para tyre pos vdekjes dhe martirizimit.

Ai shtoi se meqenëse armiku kishte të bënte vetëm me veten e tij, ai do t’i lironte ata nga të gjitha obligimet kështu që secili që dëshironte mund të ikte në errësirë të natës dhe të shpëtonte jetën. Pastaj ai urdhëroi të fikeshin dritat dhe shumica e shokëve të tij, të cilët e kishin shoqëruar për interes të tyre vetjak, u zhdukën. Mbetëm vetëm një grusht i atyre që donin të vërtetën - nja dyzetë nga ndihmësit e tij më të ngushtë - dhe disa nga Banu Hashimi.

Edhe një herë Imami i mblodhi ata që kishin mbetur dhe i vuri në provë. Ai iu drejtua shokëve të tij dhe farefisit hashimit duke u thënë përsëri se armiku kishte të bënte vetëm me të. Secili mund të përfitonte nga errësira e natës dhe të ikte nga rreziku. Por kësaj radhe shokët besnikë të Imamit u përgjigjën secili në mënyrën e vet se ata nuk do të shmangeshin as për një çast nga rruga e së vërtetës udhëheqës i së cilës ishte Imami dhe kurrë nuk do ta linin atë vetëm. Ata thanë se do ta mbronin familjen e tij deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe gjithë derisa të mundnin të mbanin shpatën.

Në ditën e nëntë të muajit, Imamit iu bë sfida e fundit nga armiku për të zgjedhur midis “besimit ose luftës”. Imami kërkoi një afat për të adhuruar gjatë natës dhe mori vendim të hynte në betejë ditën e nesërme.

Në ditën e dhjetë të Muharremit të vitit 61/680 Imami u rreshtua para armikut me grupin e tij të vogël të vijuesve, më pak se nëntëdhjetë njerëz që përbëhej nga dyzetë shokët e tij, nja tridhjetë anëtarë të armatës së armikut që iu bashkuan atij gjatë natës dhe ditës së luftës, dhe nga familja e tij hashimite prej fëmijësh, vëllezërish, nipash, mbesash dhe kushërinjsh.

Atë ditë ata luftuan nga mëngjesi deri në frymën e tyre të fundit, kurse Imami, hashimitët e rinj dhe shokët e tij të gjithë ranë dëshmorë. Në mesin e të vrarëve qenë dy fëmijë të Imam Hasanit, të cilët kishin vetëm trembëdhjetë dhe njëmbëdhjetë vjet, si dhe një fëmijë pesëvjeçar dhe një foshnjë në gjinj e Imam Hasanit.

Armata e armikut, pasi mori fund lufta, e plaçkiti haramin e Imamit dhe i dogj tendat e tyre. Ata i prenë kokat e kufomave të dëshmorëve, i rropën dhe i hodhën përtoke pa i varrosur. Pastaj i morën anëtarët e haramit, të gjithë nga të cilët ishin gra dhe vajza të pafuqishme, së bashku me kokat e martirëve, dhe i çuan në Kufa.

Në mesin e të burgosurve ishin tre anëtarë meshkuj : një djalë njëzetedyvjeç i Imam Hyseinit, i cili qe shumë i sëmurë dhe nuk mund të lëvizte, gjegjësisht Ali ibën Huseini, Imami i katërt ; i biri i tij katërvjeçar, Muhamed ibën Aliu, i cili u bë Imami i pestë, dhe në fund Hasan Mathana, i biri i Imamit të dytë i cili ishte po ashtu dhëndër i Imam Huseinit, dhe i cili duke qenë i plagosur gjatë luftës, qëndronte midis të vdekurve. Atë e gjetën gati duke vdekur dhe me ndërmjetësimin e njërit nga gjeneralët nuk ia prenë kokën. Përkundrazi, ata e morën me të burgosurit në Kufa dhe prej atje e çuan në Damask, para Jazidit.

Ngjarja e Qerbelasë, zënia e grave dhe fëmijëve të familjes së Pejgamberit, dërgimi i tyre si të burgosur nga një qytet në tjetrin dhe fjalimet e mbajtura nga e bija e Aliut, Zejnebi, dhe Imami i katërt të cilët ishin në mesin e të burgosurve, i turpëruan umajadët. Keqtrajtimi i tillë i familjes së Pejgamberit e asgjësoi propagandën të cilën Muaviju e kishte bërë me vite. Kjo çështje arriti përpjestim të tillë saqë Jazidi publikisht i mohoi dhe i dënoi veprimet e agjentëve të tij.

Ngjarja e Qerbelasë ishte faktori kryesor për rrëzimin e sundimit të umevitëve ndonëse efekti i saj u vonua. Ajo po ashtu i forcoi rrënjët e shiizmit. Në mesin e rezultateve të menjëhershme ishin revoltat dhe kryengritjet e kombinuara me luftëra të përgjakshme të cilat vazhduan gjatë dymbëdhjetë vjetëve. Në mesin e atyre që ishin instrument i vdekjes së Imamit asnjë nuk qe në gjendje të ikte nga hakmarrja dhe dënimi.

Secili që studion për së afërmi historinë e jetës së Imam Huseinit dhe të Jazidit dhe kushtet që mbizotëronin në atë kohë, dhe analizon kaptinën e historisë islamike, nuk do të ketë dyshim se në ato rrethana nuk kishte zgjidhje tjetër para Imam Huseinit pos që të vritej. Dhënia e betimit Jazidit do të thoshte që publikisht të tregohej përbuzje për Islamin, diçka që nuk ishte e mundshme për Imamin, sepse Jazidi jo vetëm që nuk tregonte fare respekt për Islamin dhe urdhrat e tij, por ai bëri edhe një demonstrim publik për nëpërkëmbjen e paturpshme të themeleve dhe të ligjeve të tij.

Ata para tij, edhe në qoftë se i kundërshtonin urdhrat fetare, gjithmonë vepronin ashtu nën maskën e religjionit, dhe së fundit formalisht e respektonin religjionin. Ata krenoheshin se kishin qenë shokë të Pejgamberit të Shenjtë dhe të figurave të tjera fetare në të cilat besonte populli.

Nga kjo mund të përfundohet se pohimi i disa interpretëve të këtyre ngjarjeve është i rrejshëm kur thonë se dy vëllezërit, Hasani dhe Huseini, kishin dy shije të ndryshme dhe se njëri e zgjodhi rrugën e paqes, kurse tjetri rrugën e luftës, kështu që njëri vëlla lidhi paqe me Muavijun ndonëse kishte një armatë prej dyzet mijë ushtarësh, kurse tjetri doli në luftë kundër Jazidit me një ushtri prej dyzet vetash. Sepse ne shohim se po ky Imam Husein, i cili refuzoi të jepte betimin para Jazidit për një ditë, jetoi dhjetë vjet nën sundimin e muavijëve, në të njëjtën mënyrë si i vëllai i cili po ashtu kishte duruar gjatë dhjetë vjetësh nën muavijët, pa i kundërshtuar ata.

Duhet të thuhet me të vërtetë se sikur Imam Hasani ose Imam Huseini të kishin luftuar kundër muavijëve ata do të ishin vrarë pa qenë fare të dobishëm për Islamin. Vdekjet e tyre nuk do të kishin pasur kurrfarë efekti para se të paraqitej politika në pamjen e drejtë të Muavijut, një politikan kompetent i cili theksonte se kishte qenë shok i Pejgamberit të Shenjtë, “i shkrimit të shpalljes” dhe “dajë i besimtarit” dhe i cili përdorte çdo dredhi të mundshme për ta ruajtur një maskë të religjionit për sundimin e tij.

Për më tepër, me aftësinë e tij për ta ngrehur skenën për përmbushjen e dëshirës së tij ai do të kishte mundur t’i vriste ata nga vetë njerëzit e tyre dhe pastaj të parashihte një gjendje të dhëmbjes dhe të kërkonte t’ua nxirrte gjakun, pikërisht siç u përpoq të linte mbresën se ai po hakmerrej për vrasjen e halifit të tretë.

Imami i katërt

Imam Ali ibën Husein, me titull Zajn al-’abidin dhe Saxhad, ishte i biri i imamit të tretë, kurse gruaja e tij, mbretëreshë ndër gratë, e bija e Jazdigirdit, mbretit të Iranit. Ai ishte i vetmi djalë i Imam Huseinit që i mbeti gjallë, sepse tre vëllezërit e tjerë të tij, Ali Akbar, njëzetepesëvjeçar, Xhaferi pesëvjeçar dhe Ali Asghari (ose Abdallahu) i cili ishte foshnjë për gjiri, u martirizuan gjatë ngjarjes së Qerbelasë. Imami edhe e kishte shoqëruar babain e tij në atë udhëtim që mbaroi fatkeqësisht në Qerbela, por për shkak të sëmundjes së rëndë dhe pamundësisë për të bartur armë ose për të marrë pjesë në luftë, ai nuk mundi të merrte pjesë në atë luftë të shenjtë dhe nuk u martirizua.

Kështu ai u dërgua me gratë në Damask. Pasi kaloi një kohë në burgim atë e dërguan me nderime në Medinë sepse Jazidi dëshironte të përvetësonte mendimin publik. Por për herë të dytë, me urdhrin e halifit Umevit, Abd al-Malikut, atë e lidhën me zinxhir dhe e dërguan nga Medina në Damask dhe përsëri e kthyen në Medinë.

Imami i katërt, pasi u kthye në Medinë, u tërhoq plotësisht nga jeta publike, e mbylli derën e shtëpisë së tij për të huajt dhe e kalonte kohën duke adhuruar. Ai kishte kontakt vetëm me elitën e shiitëve, si me Abu Hamzah Thumaliun, Abu Khalid Kabulin dhe të ngjashëm. Elita i përhapte ndër shiitët shkencat e religjionit të cilat i mësonin nga Imami. Në këtë mënyrë shiitëzmi u përhap bukur shumë dhe tregoi efektin e tij gjatë imamllëkut të imamit të pestë. Ndër veprat e Imamit të katërt është një libër i quajtur Sahifah saxhxhadijah. Ai përbëhet nga pesëdhjetë e shtatë lutje që kanë të bëjnë me shkencat më të larta hyjnore dhe njihet si “Psalmi i Familjes së Proetit”.

Imami i katërt vdiq (sipas disa rrëfimeve shiite i helmuar nga Valid ibën Abd al-Maliku me nxitjen e halifit umevit, Hishamit) në vitin 95/712 pas tridhjetë e pesë vjetve të imamllëkut.

Imami i pestë

Imami Muhamed Bakir (fjala bakir do të thotë ai që pret e qep ; titull i dhënë nga Pejgamberi) ishte i biri i Imamit të katërt dhe u lind në vitin 57/675. Ai ishte i pranishëm në ngjarjen e Qerbelasë, kur kishte katër vjet. Pas babait të tij, përmes Urdhrit Hyjnor dhe me dekretin e atyre që shkuan para tij, ai u bë imam. Në vitin 114/732 ai vdiq, sipas disa rrëfimeve shiite i helmuar nga Ibrahim ibën Valid ibën Abdallah, nipi i Hishamit, halifit umevit.

Gjatë imamllëkut të Imamit të pestë, si rezultat i padrejtësive të umevitëve, në disa kënde të botës islamike çdo ditë shpërthenin revolta dhe luftëra. Për më tepër, kishte grindje edhe brenda vetë familjes umevite të cilat e mbanin halifatin të zënë me punë dhe deri në një shkallë i lanë të qetë anëtarët e familjes së Pejgamberit. Nga ana tjetër, strategjia e Qerbelasë dhe dhuna nga e cila vuanin familja e Pejgamberit, nga të cilët Imami i katërt ishte mishërimi më i dukshëm, shumë myslimanë ishin tërhequr ndaj imamëve.

Këta faktorë kombinoheshin për t’ua bërë njerëzve të mundur dhe sidomos shiitëve të shkonin në numër të madh në Medinë dhe të vinin në praninë e Imamit të pestë. Imamit të pestë iu paraqitën mundësitë për përhapjen e së vërtetës mbi Islamin dhe mbi shkencat e familjes së Pejgamberit, të cilat kurrë më parë nuk kishin ekzistuar për imamët para tij. Provë për këtë fakt janë traditat e panumërta të treguara nga Imami i pestë dhe një numër i madh njerëzish të shquar dhe të shkencës dhe shkollarësh shiitë të cilët ishin ushtruar nga ai në shkenca të ndryshme islamike. Këta emra janë të regjistruar në libra dhe biografi të njerëzve të famshëm të Islamit.

Imami i gjashtë


Imami Xhafari Sadik, i biri i Imamit të pestë, u lind në vitin 83/702. Ai vdiq në vitin 148/765, sipas traditave shiite, i helmuar dhe i martirizuar me intrigat e halifit abasid, Mansurit. Pas vdekjes së të atit ai u bë imam me Urdhrin Hyjnor dhe me dekretin e atyre që kishin ardhur para tij.

Gjatë imamllëkut të Imamit të gjashtë ekzistonin mundësi më të mëdha dhe klimë më e favorshme që ai të përhapte mësimet e religjionit. Kjo u shkaktua si rezultat i revoltave në vendet islamike, sidomos kryengritja e Musvadahut për ta rrëzuar halifatin umevit, dhe luftërat e përgjakshme të cilat në fund shpunë në rënien dhe zhdukjen e umevitëve. Kushtet më të mira për mësimet shiite ishin po ashtu rezultat i bazës së favorshme që kishte përgatitur Imami i pestë gjatë njëzet vjetve të imamllëkut të tij me anë të përhapjes së mësimeve të vërteta të Islamit dhe të shkencave të familjes së Pejgamberit.

Imami përfitoi nga rasti për t’i përhapur shkencat fetare deri në fund të imamllëkut të tij, i cili ishte i njëkohshëm me fundin e umevitëve dhe fillimin e halifatit të abasidëve. Ai i udhëzoi shumë studiues në fusha të ndryshme të shkencave intelektuale dhe transmetuese, si Zararah, Muhamed ibën Muslim, Mumin Tak, Hisham ibën Hakam, Aban ibën Taghlib, Hisahm ibën Salib, Hurajz, Hisham Kalbi Nassabah dhe Xhabir ibën Hajjan, alkimist. Madje edhe disa studiues të rëndësishëm sunitë, si Safjan Thavri, Abu Hanifah, themeluesi i shkollës juridike Hanafi, Kadi Sukuni, Qadi Abu’l Bakhtari dhe të tjerë, patën nderin të ishin studentë të tij. Thuhet se klasat e tij dhe sesionet e ligjëratave kanë dhënë katër mijë shkollarë të hadithit dhe të shkencave të tjera. Numri i traditave të ruajtura nga imami i pestë dhe i gjashti është më i madh se të gjitha hadithet që janë shënuar që nga Pejgamberi dhe dhjetë imamët e tjerë së bashku.

Por nga fundi i jetës së tij Imami ishte objekt i shumë kufizimeve që iu vunë nga halifi abasid, Mansuri, i cili urdhëroi torturë të tillë dhe vrasje të pamëshirshme të shumë pasardhësve të Pejgamberit të cilët ishin shiitë saqë veprimet e tij madje e kapërcejnë brutalitetin dhe pakujdesinë e umevitëve. Në këtë rend ata arrestoheshin në grupe, disa hidheshin në burgje të thella dhe të errëta dhe torturoheshin disa vdisnin, ndërsa të tjerëve ua prenin kokën, ose i varrosnin të gjallë ose i murosnin në themele ose midis dy mureve të ndërtesave, kurse muret ndërtoheshin mbi ta.

Hishami, halifi umevit, kishte urdhëruar të burgosej Imami i gjashtë dhe të sillej në Damask. Më vonë, Imami u arrestua nga Saffahu, halif abasid, dhe e sollën në Irak. Në fund, Mansuri e kishte burgosur përsëri dhe e kishte sjellë në Samarrah, ku e kishte mbajtur Imamin nën mbikëqyrje, ishte në çdo mënyrë i ashpër dhe i pasjellshëm ndaj tij, kurse shumë herë kishte menduar ta vriste.[78] Më vonë Imamit iu lejua të kthehej në Medinë ku e kaloi pjesën tjetër të jetës duke u fshehur, derisa e helmuan dhe e martirizuan me intrigat e Mansurit.

Me të dëgjuar lajmin e martirizimit të Imamit, Mansuri i shkroi guvernatorit të Medinës duke e udhëzuar të shkonte në shtëpinë e Imamit me pretekst për t’i shprehur ngushëllime familjes, për të kërkuar testamentin dhe amanetin e Imamit dhe për ta lexuar atë. Kushdo që ishte zgjedhur nga Imami si trashëgues dhe zëvendës i tij duhej t’i hiqej koka në vend. Natyrisht, qëllimi i Mansurit ishte t’i vënte fund gjithë çështjes së imamllëkut dhe frymëzimeve shiite. Kur guvernatori i Medinës, duke vijuar urdhërin, e lexoi amanetin dhe testamentin, ai pa se Imami kishte zgjedhur katër njerëz e jo një për ta plotësuar amanetin dhe testamentin e tij : vetë halifin, guvernatorin e Medinës, Abdallah Aftahun, djalin e madh të Imamit dhe Musain, të birin e tij të voglin. Në këtë mënyrë dështoi kurthi i Mansurit.

Imami i shtatë

Imami Musa Kazimi, i biri i Imamit të gjashtë, u lind në vitin 128/744 dhe u helmua dhe martirizua në burg më 183/799. Ai u bë imam pas vdekjes të të atit, përmes Urdhrit Hyjnor dhe me dekretin e të parëve të tij. Imami i shtatë ishte i njëkohshëm me halifët abasidë, Mansurin, Hadiun, Mahdiun dhe Harunin. Ai jetoi në kohë shumë të vështira, duke u fshehur, derisa më në fund Haruni shkoi në haxh kurse në Medinë kishte urdhëruar ta arrestonin Imamin derisa po lutej në Xhaminë e Pejgamberit. E lidhën me zinxhir dhe e burgosën, pastaj e çuan nga Medina në Basra dhe nga Basra në Bagdat, ku me vite të tëra e transferonin nga një burg në burgun tjetër. Më në fund vdiq në Bagdat në burgun Sindi ibën Shahak nga helmimi dhe u varros në varrezat e kurejshve të cilat tani gjenden në qytetin Kazimajn.

Imami i tetë

Imami Ali Rida ishte i biri i Imamit të shtatë dhe sipas të dhënave u lind në vitin 148/765 dhe vdiq më 203/817. Imami i tetë e arriti imamllëkun pas vdekjes së babait, përmes Urdhrit Hyjnor dhe dekretit të stërgjyshve të tij. Periudha e imamllëkut të tij përputhet me halifatin e Harunit dhe të bijve të tij Aminit dhe Mamunit. Pas vdekjes të të atit, Mamuni ra në konflikt me të vëllain Aminin gjë që shpuri në luftëra të përgjakshme dhe në fund në vrasjen e Aminit, pas së cilës Mamuni u bë halif. Deri në atë ditë politika e halifatit abasid ndaj shiitëve kishte qenë duke u bërë gjithnjë më e ashpër dhe më brutale. Nuk kalonte shumë e dikush nga përkrahësit e Aliut (‘alavis) ngrinte krye duke shkaktuar luftëra të përgjakshme dhe kryengritje të cilat i shkaktonin vështirësi dhe pasoja të mëdha halifatit.

Imamët shiitë nuk do të bashkëpunonin me ata të cilët i organizonin këto kryengritje dhe nuk do të përziheshin në punët e tyre. Shiitët e asaj kohe, të cilët përbënin një popullatë të konsiderueshme, vazhdonin t’i konsideronin imamët si udhëheqës të tyre fetarë ndaj të cilëve besimi ishte i obligueshëm dhe u besonin si halifë të vërtetë të Pejgamberit të Shenjtë. Ata konsideronin se halifati ishte larg nga autoriteti i shenjtë i imamëve të tyre, sepse halifati ishte bërë më shumë si gjyqet e mbretërive persiane dhe të perandorëve romakë dhe udhëhiqej nga një grup njerëzish më shumë i interesuar për sundimin e kësaj bote sesa për zbatimin e rreptë të parimeve të religjionit. Vazhdimi i një gjendjeje të tillë ishte i rrezikshëm për strukturën e halifatit dhe ishte kërcënim serioz i tij.

Mamuni mendoi për të gjetur një zgjidhje tjetër të këtyre vështirësive, të cilat politika shtatëdhjetëvjeçare e paraardhësve abasidë nuk kishte qenë në gjendje të zgjidhte. Për ta përmbushur këtë qëllim ai e zgjodhi Imamin e tetë si zëvendës të tij, duke shpresuar në këtë mënyrë për t’i kapërcyar dy vështirësi: para së gjithash t’i pengonte pasardhësit e Pejgamberit të ngrihnin krye kundër qeverisë meqenëse ata do të përziheshin vetë në qeveri, dhe së dyti, të shkaktonte që njerëzit të humbnin besimin e tyre shpirtëror dhe lidhjen e brendshme me imamët.

Kjo do të përmbushej duke i bërë imamët të tërhiqeshin pas çështjeve botërore dhe politikës së vetë halifatit, e cila gjithmonë ishte konsideruar nga shiitët se ishte e ligë dhe e ndyer. Në këtë mënyrë, organizimi i tyre fetar do të dërrmohej dhe ata nuk do të paraqitnin më kurrfarë rreziku për halifatin. Pa dyshim, pas përmbushjes së këtyre qëllimeve, heqja e imamit nuk do të paraqiste kurrfarë vështirësie për abasidët.

Për ta vënë këtë vendim në veprim, Mamuni e luti Imamin të vinte nga Medina në Marv. Posa kishte arritur aty, Mamuni i ofroi atij së pari halifatin dhe pastaj trashëgimin e halifatit. Imami kërkoi falje dhe e refuzoi propozimin, por më në fund qe shtyrë të pranonte trashëgiminë, me kusht që ai nuk do të përzihej në çështjet qeveritare ose në caktimin dhe në shkarkimin e përfaqësuesve të qeverisë.

Kjo ngjarje ndodhi në vitin 200/814. Por së shpejti Mamuni e kuptoi se kishte bërë një gabim, sepse shiizmi përhapej shpejt, u shtua lidhja e popullatës me Imamin dhe Imamit iu bë një pritje mahnitëse nga njerëzit e madje edhe nga armata dhe përfaqësuesit e qeverisë. Mamuni u përpoq të gjente zgjidhje për këtë vështirësi dhe organizoi që të helmohej dhe të martirizohej Imami. Pas vdekjes Imami u varros në qytetin Tus të Iranit, i cili tani quhet Mashhad.

Mamuni i kushtoi interesim të madh përkthimit të veprave mbi shkencat intelektuale në gjuhën arabe. Ai organizoi tubime në të cilat shkollarët e religjioneve dhe sekteve të ndryshme tuboheshin dhe zhvillonin biseda shkencore dhe shkollare. Edhe Imami i tetë merrte pjesë në këto tubime dhe merrte pjesë në bisedat me shkollarët e religjioneve të tjera. Shumë nga ato debate janë shënuar në përmbledhjet e haditheve shiite.

Imami i nëntë

Imami Muhamed Taki (ndonjëherë i quajtur Xhavad dhe Ibën al-Rida) ishte i biri i Imamit të tetë. Ai u lind në vitin 195/809 në Medinë dhe sipas rrëfimeve shiite u martirizua më 220/835, i helmuar nga gruaja e tij, e bija e Mamunit, e nxitur nga halifi abasid Mutasimi. U varros pranë gjyshit të vet, Imamit të shtatë, në Kazimajn. Ai u bë imam pas vdekjes së babait përmes Urdhrit Hyjnor dhe me dekretin e gjyshërve të tij. Në kohën e vdekjes së babait ai ishte në Medinë. Mamuni e thirri në Bagdat, i cili atëhetë ishte kryeqytet i halifatit dhe formalisht u tregua shumë i kujdesshëm me të. Ai madje ia dha Imamit të bijën për grua dhe e mbante në Bagdat. Në të vërtetë ai donte në këtë mënyrë ta mbante nën vështrimin e vet si nga jashtë ashtu edhe nga vetë shtëpia e tij. Imami kaloi pak kohë në Bagdat, dhe pastaj me pajtimin e Mamunit u nis për në Medinë ku mbeti deri në vdekjen e Mamunit. Kur Mutasimi u bë halif ai e thirri Imamin prap në Bagdat, dhe siç pamë, përmes gruas së Imamit e helmoi dhe e mbyti.

Imami i dhjetë

Imami Ali Naki (ndonjëherë i referohet me titullin Hadi) ishte i biri i Imamit të nëntë. Ai u lind në vitin 212/827 në Medinë dhe sipas vlerësimeve të shiitëve u martirizua përmes helmimit nga Mutazi, halif abasid, më 254/868.

Gjatë jetës së tij Imami i dhjetë ishte bashkëkohës me shtatë halifë abasidë : me Mamunin, Mutasimin, Vathikun, Mutavakilin, Muntasirin, Mustainin dhe Mutazin. Ishte koha e sundimit të Mutasimit, më 220/835, kur i vdiq i ati nga helmimi në Bagdat. Në atë kohë Ali ibën Muhamed Naki ishte në Medinë. Atje ai u bë imam përmes Urdhrit Hyjnor dhe dekretit të imamëve para tij. Ai qëndroi në Medinë duke ligjëruar shkenca fetare deri në kohën e Mutavakilit. Në vitin 234/857, si pasojë e disa ngarkesave të rrejshme që ishin bërë, Mutavakili e urdhëroi një nga zyrëtarët e tij qevetitarë për ta ftuar Imamin nga Medina në Samarrah i cili atëherë ishte kryeqytet. Ai vetë i shkroi një letër Imamit me plot sjellje të mira duke e lutur që të vinte në kryeqytet ku do të mund të takoheshin.[90]

Posa arriti në Samarrah Imamit i treguan respekt formal dhe sjellje të mirë. Megjithatë, po në atë kohë Mutavakili provonte me të gjitha mënyrat për t’i krijuar telashe dhe për ta turpëruar. Shumë herë e thirrte Imamin në prani të tij me qëllim që të vritej ose të turpërohej, kurse shtëpinë ia bastisnin.

Për armiqësinë e tij ndaj familjes së Pejgamberit Mutavakili nuk kishte shoq të barabartë ndër halifët abasidë. Ai sidomos e kundërshtonte Aliun, të cilin e shante haptas. Madje urdhëroi një palaço për ta përqeshur Aliun në një banket argëtues. Në vitin 237/850 ai urdhëroi që të shembeshin përtoke mauzoleumi i Imam Huseinit në Qerbela dhe shumë shtëpi përreth tij. Pastaj varrit të Imamit ia kthyen ujin.

Ai urdhëroi që trolli i varrit të lavrohej dhe të kultivohej kështu që të harrohej çdo gjurmë e varrit. Gjatë jetës së Mutavakilit kushtet e jetës së pasardhësve të Aliut në Hixhaz kishin arritur një shkallë aq të mjerë saqë gratë e tyre nuk kishin velo për t’u mbuluar. Shumë prej tyre kishin vetëm një vel të vjetër të cilin e banin në kohën e lutjeve të ditës. Trysni të ngjashme me këto ishin bërë mbi pasardhësit e Aliut që jetonin në Egjipt. Imami i dhjetë i pranoi me durim torturat dhe mjerimet e halifit abasid Mutavakilit derisa vdiq halifi dhe të cilin e trashëguan Muntasiri, Mustaini dhe në fund Mutazi, intrigat e të cilit çuan derisa të helmohej dhe martirizohej Imami.

Imami i njëmbëdhjetë

Imami Hasan Askari, i biri i Imamit të dhjetë, u lind në vitin 232/845 dhe sipas shumë burimeve shiite u helmua dhe vdiq më 260/872 me shtytjen e halifit abasid Mutamidit. Imami i njëmbëdhjetë e fitoi imamllëkun pas vdekjes së babait të tij fisnik, përmes Urdhrit Hyjnor dhe me anë të dekretit të imamëve të mëparshëm. Gjatë shtatë vjetve të imamllëkut të tij, për shkak të kufizimeve të papara që ia bënte halifati, ai jetonte duke u fshehur dhe shtirur (takijah). Ai nuk kishte pasur kurrfarë kontakti shoqëror madje as me njerëzit e rëndomtë në mesin e popullatës shiite. Vetëm elita e shiitëve kishin mundësi ta shihnin. Megjithatë, pjesën më të madhe të kohës së tij e kaloi në burg.

Në atë kohë kishte trysni të jashtëzakonshme për shkak se popullata shiite kishte arritur një shkallë të konsiderueshme si në numër ashtu edhe në fuqi. Çdokush e dinte se shiitët i besonin imamllëkut, kurse edhe identiteti i imamëve shiitë dihej. Prandaj, halifati i mbante imamët nën mbikqyrjen e tij të ngushtë më shumë se kurdo herë më parë. Ai provoi të gjitha mundësitë dhe planet e fshehta për ta hiqur dhe për ta shkatërruar. Halifati gjithashu kishte marrë vesh se elita e shiitëve besonte se Imami i njëmbëdhjetë, sipas traditave të cituara nga ai si dhe nga gjyshërit e tij, do të kishte një djalë i cili ishte Mahdiu i premtuar. Ardhja e Mahdiut ishte paraparë në hadithe të mirëfillëta të Pejgamberit si në burimet sunnite ashtu edhe në ato shiite.

Për këtë arsye Imami i njëmbëdhjetë, më shumë se imamët e tjerë, mbahej nën vështrim prej së afërmi nga halifati. Halifi i asaj kohe kishte vendosur përfundimisht t’i jepte fund imamllëkut të shiitëve duke përdorur gjithfarë mjetesh të mundshme dhe të mbyllte derën e imamllëkut një herë e përgjithmonë.

Prandaj, posa arriti lajmi i sëmundjes së Imamit të njëmbëdhjetë Mutamidit, ai e dërgoi një mjek dhe disa nga agjentët dhe gjyqtarët e tij të besueshëm në shtëpinë e Imamit për të qëndruar me të dhe për të vështruar gjendjen e tij dhe situatën në shtëpinë e tij gjatë gjithë kohës. Pas vdekjes së Imamit, ata e hulumtuan shtëpinë kurse të gjitha robëreshat e tij u ekzaminuan nga një mami. Gjatë dy vjetve agjentët e fshehtë të halifit kërkonin trashëgimtarin e Imamit derisa më në fund e humbën shpresën. Imami i njëmbëdhjetë u varros në shtëpinë e tij në Samarrah pranë babait të tij fisnik.

Këtu duhet të përkujtohet se gjatë jetës së tyre imamët i ushtruan shumë qindra shkollarësh të religjionit dhe të hadithit, dhe pikërisht këta shkollarë e kanë përcjellë deri te ne informacionin për imamët. Për të mos e zgjatur më këtë çështje, lista e emrave dhe e veprave të tyre dhe biografitë e tyre nuk janë përfshirë këtu.

Imami i dymbëdhjetë

Mahdiu i premtuar, i cili zakonisht zihet ngoje me titullin e tij Imam-i Asr (Imami i “Periudhës”) dhe Sahib al-Zaman (Zoti i Kohës), është i biri i Imamit të njëmbëdhjetë. Emrin e ka të njëjtë me atë të Pejgamberit të Shenjtë. Ai u lind në Samarrah më 256/868 dhe deri më 260/872, kur u martirizua babai i tij, jetonte nën kujdesin dhe tutelën e të atit. Ai fshihej të mos e shihnin haptas dhe vetëm disa veta nga elita e shiitëve qenë në gjendje ta njihnin.

Pas martirizimit të babait ai u bë imam dhe me Urdhrin Hyjnor shkoi në fshehtësi (ghajbat). Kështu ai u paraqitej vetëm ndihmësve të tij (naib) po edhe atëherë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Imami si zëvendës të tij e zgjodhi për një kohë Uthman ibën Said Umarin, njërin nga shokët e babait dhe të gjyshërve të tij i cili ishte mik i tij i besueshëm dhe besnik. Përmes zëvendësit të tij Imami u përgjigjej kërkesave dhe pyetjeve të shiitëve. Pas Uthman ibën Saidit, zëvendës i Imamit u emërua i biri i tij Muhamed ibën Uthman Umari. Pas vdekjes së Muhamed ibën Osmanit, Abul Kasim Husein ibën Ruh Navbakhti ishte zëvendës i posaçëm, dhe pas vdekjes së tij në këtë detyrë ishte zgjedhur Muhamed Simari.

Disa ditë para vdekjes së Ali ibën Muhamed Simarit në vitin 329/939, u lëshua një urdhër nga Imami duke thënë se brenda gjashtë ditëve do të vdiste Ali ibën Muhamed Simari. Prej këtu zëvendësimi special i imamit do të merrte fund dhe do të fillonte fshehtësia kryesore (ghajbat-i kubra) dhe do të zgjasë deri në ditën kur Zoti do t’i japë leje Imamit të shfaqet.

Fshehtësia e Imamit të dymbëdhjetë, pra, ndahet në dy pjesë : e para, fshehtësia e vogël (ghajbat-i sughra) e cila filloi më 260/872 dhe mori fund 329/939, duke zgjatur rreth shtatëdhjetë vjet; pjesa e dytë, shehtësia kryesore e cila filloi më 329/939 dhe do të zgjasë sa të dojë Zoti. Në një hadith mbi autenticitetin e të cilit pajtohet secili, Pejgamberi i Shenjtë ka thanë : “Po të duhej të mbetej në jetën e kësaj bote vetëm një ditë, Zoti do ta zgjaste atë ditë derisa Ai të dërgojë në të një njeri nga komuniteti dhe familja ime. Emri i tij do të jetë i njëjtë me timin. Ai do ta mbushë botën me barazi dhe drejtësi ashtu siç ishte mbushur me dhunë dhe tirani.”
Rifat
Rifat
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 2401
Points : 4324
Reputation : 12
Join date : 09/12/2011

https://enigmaexplorer.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi