Kush ishte mbreteresha Nefertit..?
Faqja 1 e 1
Kush ishte mbreteresha Nefertit..?
Kush ishte mbreteresha Nefertit..?
Nefertiti e cila jetuar nga viti 1370 para erës sonë deri ne vitin 1330 para erës sonë, vinte nga ndonjë vend i largët dhe ka shumë gjasa që mos të ketë pasur prejardhje nga familje me gjak mbretëror. Hipoteza më e besueshme është ajo që Nefertiti ishte e bija e një oficeri të lartë të ushtrisë, të quajtur Aji, i cili, pas vdekjes së Tuthankhamonit, djaloshit Faraon, u ul edhe vetë në fronin mbretëror (ka shumë mundësi të ketë qenë pikërisht Aji njeriu që e vrau Tuthankhamonin për t'i zënë fronin).
Në mbishkrime të ndryshme Aji i referohet vetes si Babai i Zotit, gjë që të bën të mendosh se ai ka qenë vjehërri i Faraonit Akhenaton, bashkëshortit të Nefertitit, megjithëse nuk ka të dhëna të sigurta që të shpien në një përfundim të tillë. Në thelb nuk dihet asgjë e sigurt për Nefertitin deri në çastin kur ajo u martua me Faraonin Akhenaton, një ndër faraonët më të përfolur të Egjiptit.
Peruidha e mbretërimit të tyre është një ndër më të trazuarat e historisë të Egjiptit, pasi u karakterizua nga ndryshime rrënjësore në besimin fetar, duke qenë se Zotat tradicionalë u braktisën nga familja mbretërore në favor të një përëndie të vetme, Zotit Diell të quajtur Aton. Për t'u theksuar është fakti se megjithë përpjekjet e familjes mbretërore për të rrënjosur një besim monoteist (veprim tejet i avancuar për kohën), kultet e Zotave tradicionalë mbijetuan dhe nuk u çrrënjosën nga teologjia egjiptiane.
Besohet se Nefertiti luajti një rol aktiv gjatë ndryshimeve fetare dhe kulturore, nismëtar i të cilave ishte Faraoni Akhenaton. Jo më kot Akhenatoni ka hyrë në histori si Faraoni Heretik. Një sërë egjiptologësh shtyhen më tej dhe mendojnë se ka qenë pikërisht Nefertiti ajo që u bë nismëtare e besimit të ri dhe bindi bashkëshortin për ta rrënjosur këtë besim në popull.
Asnjë rit i shenjtë nuk mund të kryhej pa praninë e Nefertitit. Falë saj dielli shfaqej në horizont, dashuria e të cilit për përëndeshën dyfishohej në përëndim. Në tempullin e madh të Atonit gjendeshin disa statuja të Nefertitit të cilave u drejtoheshin lutjet për prosperitetein e Dy Tokave.
Çifti mbretëror ishte i përbërë nga dy personalitete me rëndësi të barabartë përpara syve të Zotit Aton. Nëpër skena apo zbukurime ajo shfaqet tejet e madhërishme dhe e së njëjtës rëndësi me Faraonin, gjë krejt e pazakontë për një mbretëreshë. Në veçnti të shumta në numër janë skenat përgjatë të cilave Mbreti dhe Mbretëresha i drejtojnë së bashku lutjet dhe kryejnë ritualet e ndryshme për nder të Zotit Aton.
Gjithashtu ishte pikërisht figura e Nefertitit ajo që u gdhend në katër këndet e sarkofagut të Faraonit Akhenaton për t'i siguruar mumjes së tij mbrojtjen e përjetëshme. Përmasat e figurave të saj ishin jo vetëm të së njëjtës shkallë me ato të faraonit (zakonish përmasat e faraonëve ishin shumë më të mëdha se të të tjerëve), por në një rast ajo tregohet duke mposhtur një armik, pozë karakteristike vetëm për faraonët.
Po ashtu, në një skulpturë tjetër murale ajo shihet të ngasë karron e saj, edhe ky një privilegj që u rezervohej vetëm faraonëve. Një pompozitet dhe një rëndësi e tillë bëjnë të mendohet se Nefertiti ishte e veshur me një pushtet krejt të pazakontë për një mbretëreshë, aq sa disa egjiptologë mendojnë se ajo e mbajti e vetme fronin e Egjiptiti pas vdekjes së Akhenatonit.
Ajo i dhuroi Faraonit Akhenaton gjashtë vajza, dy nga të cilat mendohet të kenë vdekur gjatë një epidemie. Nefertiti ishte njerka e Tuthakhamonit. Një gjë e tillë ka bërë që një numër i madh egjiptologësh të hamendësojnë se, ndërsa vogëlushi perandor ishte rreth 12-të vjeçar, Nefertiti u bë bashkëregjente, për të marrë krejtësisht në dorë frenat e pushtetit pas vdekjes së Tuthankhamonit, duke mbretëruar kështu e vetme për një periudhë të shkurtër kohore.
Zhdukja e Nefertitit
Gjasat më të mëdha janë që, për arsye që mbeten ende mister, ajo të ketë dalë nga skena rreth vitit të 12-të të mbretërimit të Akhenatonit. Në të vërtetë, zhdukja e mbretëreshës së famshme mbetet po aq misterioze sa edhe shfaqja e saj përkrah Faraonit Akhenaton. Nuk dihet me siguri në ajo u vra, apo vdiq për shkaqe natyrore. Me siguri dihet vetëm që në atë çast të trazuar të historisë së Egjiptit, çast ku Nefertitit luajti një rol të dorës së parë, armiqtë e saj duhet të kenë qenë jo të paktë.
Këtë tezë e përforcon edhe fakti që shumë nga skulpturat e mbishkrimet ku gjendej emri i saj janë shkatërruar, përpjekje kjo për ta fshirë emrin e saj krejtësisht nga faqet e historisë së Egjiptit të lashtë. Edhe ajo që mendohet se është mumja e Nefertitit, nuk mund të japë shumë përgjigje për fatin e Mbretëreshës, pasi, gjatë viteve që pasuan vdekjen e saj, është gjymtuar qëllimisht në masë të madhe.
Busti i Neferitit
Që ditën kur u zbulua, më 6 dhjetor të vitit 1912, bukuria e bustit të mbretëreshës hyjni të antikitetit mahniti dhe frymëzoi një seri të pafund piktorësh, skulptorësh, regjisorësh e studiuesish, gjë që padyshim arrin ta bëjë me të njëjtin intensitet edhe sot. Buzëqeshja hyjnore që lexohet në buzët e saj, qafa e hijshme, bukuria e fytyrës, ëmbëlsia e karakteri i fortë që reflekton kjo kryevepër dëshmojnë jo vetëm gjenialitetin e skulptorit, por edhe bukurinë e rrallë të mbretëreshës Nefertiti.
Në të vërtetë, sipas disa studiuesve dhe egjiptianologëve të njohur, për shkaqe të cilat janë ende të paqarta, busti që u gjet në dyqanin e një skulptori të quajtur Tutmos nuk arriti kurrë të përfundohej. Nga çasti kur u ekspozua në Muzeun Antik të Berlinit, kjo kryevepër konsiderohet si një ndër ikonat më të famshme në botë. Emri Nefertiti do të thotë e bukura (e përsosura) mbërriti.
Kjo bukuri është një princeshë e largët, e cila, pasi lë Diellin Krijues, hidhet drejt shkretëtirës së Nubisë. Pa të, Dy tokat janë të dënuara të bëhen pre e shterpësisë dhe e mënxyrave të panumërta. Falë ndihmës dhe dashamirësisë së Zotave Tot dhe Shu, përëndesha e largët do të arrijë në Egjipt, duke bërë që natyra dhe të gjitha qëniet e gjalla të rigjejnë lumturinë. Nefertiti është mishërimi i kësaj përëndeshe që vjen, ose më saktë, rikthehet, për t'i dhuruar Faraonit dashurinë e saj hyjnore, duke bërë kështu që ai të rrezatojë si diell.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi