Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës

Shko poshtë

Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës Empty Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës

Mesazh nga Gon! Thu Feb 02, 2012 12:25 pm

Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës


Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës Fortesa-tepelene-lpb

E ardhmja e Shqipërisë së pavarur sipas Albert Bushnell Hart “Mund të
civilizohet, por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime,
dështime dhe luftëra civile”.


Ndërsa jubileu i 100-të i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë këtë
vit ka marrë udhë, duket se ende shumëçka rreth kësaj ngjarjeje madhore
në historinë e çdo vendi të qytetëruar mbetet për t´u zbuluar e
trajtuar. Shumë kontribute, vlerësime e fakte kanë nevojë t´i
nënshtrohen një gjykimi sa më realist.



Nën këtë këndvështrim, duket se një vend duhet të gjejnë edhe
individë e studiues të huaj, të cilët, duke i parë gjërat me ftohtësi e
larg emocioneve, na mundësojnë sot të shohim më me realizëm seç shihej,
jo vetëm pavarësia e Shqipërisë, por edhe e djeshmja dhe e ardhmja e
shqiptarëve në sytë e botës së civilizuar. Një ndër ta është edhe
profesori amerikan, Albert Bushnell Hart, që jetoi në vitet 1854–1943, e
i cili në enciklopeditë amerikane e më gjerë njihet si historian e
shkrimtar, lektor në Universitetin e famshëm të Harvardit e botues i
disa veprave e studimeve në zë për kohën, duke bërë emër sidomos si
njohës shumë i mirë i historisë amerikane.



Pikërisht, në kohën e luftërave ballkanike, që përkojnë me periudhën
kur Shqipëria tashmë kishte shpallur pavarësinë e saj – dhe mundohej
përmes kaosit e turbullirave që ngrinin krye, të ruante atë pak
sovranitet të fituar me gjak – ai angazhohet me analiza e komente rreth
situatës në Ballkan, ku edhe shqiptarët do të ishin pjesë e tyre. Më së
shumti, mendimet e tij thitheshin nga prestigjiozja amerikane, “New York
Times”, e cila duket se përcillte me shumë interes ngjarjet në
kontinentin plak, ndërsa rajoni i ngërthyer nga masakrat, trazirat,
kaosi e pasiguria, po zinte edhe faqet e para të shumë platformave
madhore botërore.



Janë pikërisht vitet 1912-1914, ku ai na shfaqet me analiza e
prognoza, mbi atë se çfarë mund të vinte nga trazirat ballkanike dhe
cila do të ishte e ardhmja e tij. Kështu, ndërsa qeveria provizore e
Ismail Qemalit ishte ende objekt i diskutimeve dhe Shqipëria “de facto” i
nënshtrohej observimit të rreptë të koncertit të 6 fuqive europiane, me
statusin zyrtar të një vendi neutral, ai shfaq hapur skepticizmin e tij
mbi probabilitetet e mbajtjes më këmbë të këtij shteti të ri nga vetë
shqiptarët, por nga ana tjetër nuk e vë fare në diskutim se ky shtet,
kurrsesi, nuk duhej aneksuar e qeverisur nga ndonjë fqinj i tij.
Interesant është fakti se ai nuk e përmend në asnjë rresht emrin e kreut
të qeverisë e asnjë nga liderët shqiptarë.



Gjithsesi, ai e justifikon nga ana tjetër vendimin e Fuqive të Mëdha
(të cilat ai në artikull i cilëson me termin “Europa e bashkuar” ) , me
faktin se kishin ekzaminuar rreziqe, të cilat shtetet ballkanike nuk
ishin në gjendje t´i dallonin.



Më shumë duket sikur mbizotëron tek ai ideja se Shqipëria duhej të
ishte një protektorat i një fuqie të vetme, ndoshta austro-hungareze,
ashtu sikurse Bosnja, çka gjithsesi mbetet vetëm një aludim i shprehur
në formë jo eksplicite prej tij, duke vijuar t´a vlerësojë si absurditet
atë që ai e cilëson “autonomia” europiane e Shqipërisë, shprehje të
cilën “New York Times” e ka përdorur, në rastin konkret, për të pagëzuar
të gjithë artikullin (shih: Europe’s “Autonomous Albania” Absurd, Says
prof. Hart; Albert Bushnell Hart; New York Times; 19.10.1913 ) .



Ai u bën gjithsesi një pritë të fortë paragjykimeve ndaj
shqiptarëve, duke vlerësuar lart traditat, virtytet dhe historinë e
tyre, duke e sjellë atë më pranë lexuesit amerikan. Ai aludon madje edhe
për ish-presidentin amerikan, Theodore Roosevelt (në kohën kur shkruhej
artikulli i prof.Hart, Roosevelt tashmë i kishte konsumuar dy mandatet e
tij presidencialë në periudhën 1901-1909) për të marrë fronin e
Shqipërisë, me shumë gjasa, i ndikuar edhe nga lajmet se Europa tashmë
po përpiqej të gjente një mbret për shqiptarët. Gjithsesi, Ismail
Qemali, siç bënin të ditura edhe vetë mediat amerikane, qysh në maj 1913
e kishte refuzuar një ide të tillë, duke mos e marrë madje, fare
seriozisht si propozim.



Por ajo çka vlen më shumë për ne, është fakti se ai na shfaqet
njëkohësisht edhe si njëri ndër parashikuesit më të saktë të fatit të
Shqipërisë e të shqiptarëve, duke na bërë të mendojmë sot, rreth 100
vjet më pas, se prognozat e tij paskëshin qenë vërtet realiste. Ai e
mbyll artikullin e tij me fjalët: askush nga fqinjët ballkanikë të
Shqipërisë nuk e ka forcën fizike apo potencialin njerëzor për ta çuar
Shqipërinë drejt civilizimit…. Dy milionë banorët e saj nuk mund të
lihen në fatin e tyre dhe as të fqinjëve të tyre. Ata mund të
civilizohen dhe një ditë madje të shndërrohen potencialisht në një fuqi
ballkanike; por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime,
dështime dhe luftëra civile, para se Shqipëria të mund të bëhet njëra
nga anëtaret e familjes botërore të kombeve të lira.



Në krye të artikullit të sipërcituar, ai tenton që në hyrje të
thyejë një përcaktim negativ e paragjykues mbi shqiptarët, sugjeruar
atij nga një serb, i cili i cilësonte shqiptarët në mënyrë sarkastike e
gjithëpërfshirëse, thjesht si plaçkitës e vrasës ordinerë.


“Ky karakterizim jashtë kornizave normale –pohonte asokohe profesori
amerikan – përputhet me paragjykimet e çdo njeriu që ka pasur rastin të
hyjë në kontakt të ngushtë me popujt e Ballkanit. Grekët erdhën në atë
tokë ku jetojnë rreth 25 shekuj më parë; romakët 20 shekuj më parë;
bullgarët rreth 11 shekuj; por shqiptarët gjendeshin aty ku janë sot,
para se grekët e parë të shfaqeshin në tokë. Ky popull (d.m.th.
shqiptarët) flet ende një gjuhë aq të vjetër sa edhe ajo e etruskëve. Ky
popull nuk është asimiluar dot kurrë nga pushtimet e po kështu
civilizimi s´ka mundur dot të depërtojë”.


Më poshtë ai shkruan se: ky popull është malësori skocez i
Ballkanit, indiani amerikan që ka akses në vendkalimet tregtare…. Ju
mund ta urreni një shqiptar apo ta doni atë, ta vrisni apo të
shënjestroheni prej tij për t´u vrarë, por ai megjithatë mbetet unik,
dhe, edhe pse pjesërisht barbar, kërcënon të bllokojë të gjitha planet
për të zgjidhur çështjen ballkanike.



Pyetjes se ku ndodhet Shqipëria, ai i përgjigjet se shumë nga
fqinjët e saj kanë përfytyrime të ndryshme rreth çështjes së kufijve të
saj dhe pohon se: Zyrtarisht pritet që një komision i veçantë
ndërkombëtar të merret me përcaktimin përfundimtar të tyre, por se
Shqipëria në përgjithësi përshkruhet si vendi që ndodhet i shtrirë në
bregun Adriatik, nga Mali i Zi deri në brigjet përballë Korfuzit, e duke
u shtrirë më pas në brendësi të kontinentit, nga Prishtina drejt
Shkupit e Manastirit.



Më poshtë ai përmend se në këto troje (në atë kohë) shqiptarët
numërojnë më shumë se 2 milionë banorë, duke parashikuar se, nëse i
nënshtrohen një rregulli e qeverisjeje siç duhet, ata kanë prirjen ta
shtojnë këtë numër në të ardhmen.



Pasi përshkruan më pas historinë e hershme te tyre, si një vendkalim
strategjik në kohën e Perandorisë romake, këta të fundit renditen si të
vetmit që arritën t´i fusin përkohësisht shqiptarët në rrugën e
rregullit e civilizimit.





Ndërsa konstaton se nga shumë burime Shqipëria përshkruhet në
raportet e huaja, e ndarë kryesisht në tri rajone, ai thekson se në fakt
kjo ndarje nuk duhet marrë si e mirëqenë, pasi shqiptarët kanë një
shkallë të lartë tribalizmi e, në këtë kontekst, mund të numëroheshin 20
ndarje apo nënndarje.





Po kështu, ndërsa flet për tri religjione prezente në atë kohë në
Shqipëri, ai vë në dukje se si Vatikani, ashtu dhe Greqia e sulltani, i
mbajnë duart ende të shtrira drejt Shqipërisë, duke tentuar të ndikojnë
në fatin e këtij shteti të sapopavarësuar.



Prej tij na vjen edhe një interpretim interesant, i cili përputhet
plotësisht me atmosferën kaotike në të cilën ndodhej Shqipëria e asaj
kohe, ku spekulantët e aventurierët, ardhur nga vende të huaja, kishin
gjetur terren për të vënë në jetë planet e tyre. Kështu, diku ai pohon
se katër vjet më parë, një djalosh aventurier francez, me emrin Gabriel
Louis Jaray, kaloi katër apo pesë ditë duke përshkuar Shqipërinë Veriore
– duke e cilësuar veten modestisht si i pari europian që kishte
ndërmarrë këtë udhëtim. Ai më pas i renditi ato çka pa në një libër me
shënime, i cili në fakt nuk e meriton emrin që mbart: “L`Albanie
inconnue”.



Ky francez njihet publikisht për botimin e një libri (botuar në
Paris nga shtëpia botuese “Hachette”, në vitin 1913, me 238 faqe) me
mbresat e tij gjatë udhëtimit që ndërmori në trojet shqiptare të Kosovës
dhe Shqipërisë së Veriut, në vitin e largët 1909. Kësaj vepre, sapo
doli në qarkullim, edhe vetë mediat amerikane i kushtuan vëmendje, duke
marrë për bazë shumë nga përshkrimet e vlerësimet e Jaray-it mbi
shqiptarët. Të botuara pikërisht në kohën kur edhe prof. Hart analizonte
gjendjen në Ballkan e shkruante edhe për Shqipërinë, duket ato kishin
ngjallur edhe një farë xhelozie nga prof. Hart, pasi ky i fundit, jo
vetëm që s´ishte dakord me disa përcaktime të autorit, por fizikisht, me
ç´konstatojmë, nuk kishte qenë ndonjëherë në vendin e shqiptarëve, gjë e
cila e bënte atë të ndihej disi inferior.



Kështu, si kundërvënie ndaj autorit, profesori amerikan thekson me
doza ironie se: një rajon, i cili është shënjuar në mënyrë të detajuar
në hartat e inxhinierëve austriakë dhe ku janë shtruar sipërfaqe të tëra
me hekurudhë, zor se mund të cilësohet “i panjohur”.



Por nga ana tjetër, ai rrëfen me vlerësim e pozitivitet për
eksperiencën e një mikut të tij nga Chikago, me emrin Charles R. Crane, i
cili gjatë qëndrimit në Stamboll, ndërsa ishte takuar me disa
bajraktarë shqiptarë dhe kishte marrë ftesën e tyre për të kaluar një
herë edhe nga Shqipëria, ishte befasuar kur autoritetet turke e kishin
paralajmëruar të mos shkonte në atë vend, pasi kushdo që shkon atje,
sipas tyre, do të gjente vdekjen. Madje, edhe nën protestën e zotit
Crane, ata kishin këmbëngulur për ta pajisur këtë të fundit me një
eskortë shoqëruese.


Ndërsa kishte hyrë në zonën e fshatrave shqiptare pranë qytetit të
Manastirit, një grup vendësish i kishin dalë përpara dhe të habitur nga
prezenca e taborit shoqërues turk, e pyesin të irrituar se nga kishte
ardhur dhe cilat ishin qëllimet e tij. Ndërsa i jep shpjegim se eskorta i
ishte dhënë me pahir nga autoritet turke, fshatarët shqiptarë e
kërcënojnë, duke i thënë se nëse eskorta shoqëruese nuk do të largohej
brenda gjysmë ore, ata do t´i vrisnin të gjithë.


Mirëpo, pas këtij kërcënimi vijon konstatimi se “pas largimit pa
rezistencë e të menjëhershëm të eskortës turke, udhëtimi dhe misioni i
amerikanit nga Chikago, vijoi më së miri, duke u gjendur nën shoqërinë
bujare të shqiptarëve, të cilët e përcillnin atë të sigurt nga fisi në
fis”.



“Në fakt – thekson autori - arsyeja e vërtetë se pse zyrtarët turq,
e kishin penguar vizitorin amerikan të mos shkelte në ato zona, ishte
fakti se ata kishin frikë se ai mund të bëhej dëshmitar i asaj çka
kishte mbetur nga ndërhyrja e trupave turke, pas shtypjes së një
kryengritjeje”.



Ndërsa flet më poshtë edhe për përpjekjet e dhunshme të turqve për
t´i mbajtur shqiptarët nën kontroll, ai konstaton tashmë nën një
realitet të ri, se misionarët amerikanë po bëjnë një punë të
lavdërueshme në qytetin e Korçës. Ai flet për çiftin e bashkatdhetarëve
të tij, Kennedy, i cili kishte formuar ndërkohë një opinion shumë të
mirë për shqiptarët.



“Kur në Korçë ishte instaluar administrata pushtuese greke, këta të
fundit shumë shpejt kishin çuar ndër mend se prezenca dhe misioni i
çiftit amerikan kishte synime spiunazhi dhe i kishin dhënë urdhër të
largoheshin nga Korça. Në fakt – thekson autori – për çiftin Kennedy
s´kishte aspak dyshim se shqiptarët do të ndiheshin shumë më mirë nën
një administratë shqiptare sesa nën atë greke”.



Ndërsa flet për burra dinjitozë e aftësi luftarake të shqiptarëve,
të cilët edhe në Perandorinë turke kishin mbajtur ofiqe të larta dhe
madje kishin iniciuar e drejtuar revoltat e marshimet e xhonturqve në
Stamboll, pasi konstaton se shqiptarët kanë një ndjenjë të fortë për
vendlindjen, edhe pse shumë prej tyre kanë preferuar të bredhin e
punojnë sa andej-këtej, madje deri në Amerikë, edhe pse ndër fqinjët
sllave mbizotëron mendimi se ata s´janë veçse një popull barbar e
grabitësish, megjithëse shfaqin një nivel të ulët kulturor, profesori
amerikan, Albert Hart, pohon se “gjithsesi shqiptarët janë bërë tashmë
një faktor kyç” në situatën që paraqiste Ballkani në atë kohë.



Diku ai përmend se : “në këtë popull të ndarë e të copëzuar, ku
asnjë klan e fis nuk pranon të vihet nën kontroll as nga vetë
shqiptarët, përpos liderëve të klaneve e fiseve të tyre, Lufta e madhe
Ballkanike e 1912-s erdhi si një rrufe e papritur. Disa nga shqiptarët
iu bashkëngjitën turqve, disa të tjerë trupave pushtuese ballkanike, por
shumë shpejt u bë e qartë se serbët, malazezët, grekët dhe bullgarët,
të gjithë kishin hartuar plane konkrete për Shqipërinë, të cilën e
shihnin si territor që duhet t´a ndanin mes tyre, pas largimit të
Turqisë. Kur Turqia ra, shqiptarët menduan të shpallnin pavarësinë e
tyre: kolonë grekë mbërritën nga Jugu, malazezët morën Shkodrën,
kryeqytetin nominal të Shqipërisë së Veriut, serbët ndërkohë avancuan
drejt perëndimit, duke dalë në brigjet e detit Adriatik”.



Profesori amerikan pohon se “s´ka pasur kurrë një komb shqiptar të
njohur deri atëherë ndërkombëtarisht, porse në mënyrë të koordinuar e të
papritur, Europa e zbuloi një të tillë”. Përfundimi i tij në këtë rast
duket disi tendencioz e jo fort i bazuar, por gjithsesi ai vijon më tej,
duke sjellë në vëmendje se njëra nga arsyet e mundshme se pse, sipas
tij, Shqipëria “autonome” e Europës kishte diçka jonormale brenda, ishte
fakti se “shqiptarët tashmë po shfaqen të dështuar në traditën e tyre
të vjetër për t´u bërë ballë depërtimit të pushtuesve të huaj”. Duket se
vlerësimi i fundit motivohej pikërisht nga situata konkrete e
performanca e qeverisë shqiptare në atë kohë, kur mbi territorin e saj,
po vërshonin shumë ushtri e trupa të huaj, duke i cenuar seriozisht
sovranitetin e sjellë ngado ndjenjën e kaosit e të papërgjegjshmërisë.



Por, duke iu rikthyer sërish terrenit shumëngjyrësh religjioz të
Shqipërisë dhe kombinacioneve të racave, minoriteteve e gjuhëve të
ndryshme që haseshin në territorin e saj (duke e trajtuar edhe si një
fenomen ballkanik), duke konstatuar edhe mungesën e një gjuhe e një
alfabeti të unifikuar, ai thekson se “do të jetë tejet e vështirë të
mbahet më këmbë një shtet i tillë”.



Skepticizmin e tij në lidhje me “Shqipërinë autonome” ai e lidh,
përtej arsyeve të lartpërmendura, edhe me faktin se ky vend pra,
vështirë se do të mund të ofrojë dot unitet dhe se “i mungon disponimi i
duhur për t´iu nënshtruar rregullave qeverisëse, se nuk ka ndonjë
eksperiencë parlamentare e kushtetuese, s´ka traditë monarkike e
trashëgimi princërore”.



Por më tej prof. Hart aludon fare hapur se “kjo është vetëm një
sajesë e Komunitetit Europian, pjesërisht për të penguar tri shtetet
sllave për të arritur në Adriatik. Është një shtet me kryeqytet
Shkodrën, i shtrirë gjeografikisht në skaj të vendit, praktikisht
thuajse i paarritshëm nga banorët në rajonet e tjera të vendit, për të
qenë sa më pranë influencës austriake e italiane”.



Ndërsa vijon të rendisë edhe disa arsye të tjera që lidhen me
“dëshirën e shqiptarëve për të mbajtur gjithmonë armë, mungesën e
gatishmërinë e tyre për të paguar taksa, për t´u rreshtuar nën armë nën
një shërbim të rregullt ushtarak, ndërtuar rrugë, shkolla e thithur
investime etj.,” ai megjithatë pohon se “sidoqoftë, shqiptarët nuk
janë ajo racë barbare që pretendojnë fqinjët e tyre, megjithëse ky vend –
sipas tij – nuk është ende gati të marrë përsipër përgjegjësinë të
ndërtojë një shtet modern”.



Sot, si dëshmitarë të asaj çka kanë mundur të ndërtojnë e të
realizojnë shqiptarët, 100 vjet pas konstatimeve e prognozave me bazë
skepticiste të profesorit amerikan, mund të themi se fatmirësisht disa
prej tyre nuk janë vërtetuar. Duke mos dashur të gjykojmë nga baza
thellësisht nacionaliste, kurrsesi nuk mund të besonim e të vlerësonim
se skpeticizmi i studiuesit amerikan kundrejt aftësive shtetformuese të
shqiptarëve, lidhet me ndonjë ndikim keqdashës nga fqinjët e qarqet më
antishqiptare të kohës, por mbetet i bazuar e motivuar tërësisht e
thjeshtësisht nga zhvillimet e situata e pashpresë, në të cilën gjendej
Shqipëria e asaj kohe.



Parë nga perspektiva e sotme, kur tendenca e gjykimi nuk është e nuk
mund të jetë më bardhezi, kontributi i tij sidoqoftë, nuk i duhet lënë
harresës. Në një kohë shumë të nevojshme për shqiptarët, ai, në një
mënyrë indirekte, diti të përcillte në mënyrë realiste, jo vetëm
problematikën, por edhe karakterin e këtij populli, për një publik e
komb me tradita demokratike e për më tepër, me shumë ndikim në fatet e
mëtejshme të shqiptarëve, siç ishte ai amerikan. Në një aspekt më të
ngushtë profesional, nëse do të shihnim thelbin e mendimeve të tij, e
vlerësonim sidomos prognozën mbi sfidat që e prisnin Shqipërinë për t´u
renditur me dinjitet në familjen e madhe të kombeve të lira, së ardhme,
do të shihnim se atij në shumëçka duhej t´i japim të drejtë. /nga Armand
Plaka
Gon!
Gon!

Numri i postimeve : 57
Points : 93
Reputation : 0
Join date : 30/01/2012

http://www.explorerkosova.the-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi