Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vatikani dhe nazizmi, mardhënie që mbartinin mister

Shko poshtë

Vatikani dhe nazizmi, mardhënie që mbartinin mister Empty Vatikani dhe nazizmi, mardhënie që mbartinin mister

Mesazh nga Rifat Tue May 29, 2012 12:23 pm


Vatikani dhe nazizmi, mardhënie që mbartinin mister



Vatikani dhe nazizmi, mardhënie që mbartinin mister Franco_chiesa

Në kohët e fundit është hedhur shumë herë teza e një “afrie” të Papa Piut XII me Rajhun e Tretë, një afri në gjendje të merrte madje format e simpatisë dhe aderimit. Një gjë e tillë nuk gjen konfirmim në dokumentat e gjetura në Deutsches Bundesarchiv (Arkivi Federal Gjerman), The National Archives, Britani apo në Records Administration i College Park në Maryland, SHBA. Nga analizimi i tyre rezulton që hierarkët nazistët shprehnin vlerësime gjithmonë negative për Pacellin, që në vitet e para të zgjedhjes së tij Papë.

“Miti i shekullit të njëzetë” (1930) është një tekst i Alfred Rosenberg. Kjo vepër, përveç “Mein Kampf” (1924) me autor Adolf Hitlerin, përmban bazën ideologjike të nazizmit. Në të, Papa quhet “shtrigan”. Selia e Shenjtë dhe peshkopët gjermanë protestuan për përfshirjen e librit në programet shkollorë të Gjermanisë, por ishte e kotë. Në fund, “Observatori Roman” do të informonte që vepra e Rosenberg ishte futur në listë.

Veç kësaj, në promemorien n. 1544/34 të 14 majit 1934, Selia e Shenjtë ankohej zyrtarisht tek Berlini se në kurset zyrtarë të perfeksionimit oratori i ngarkuar nga qeveria kishte pohuar: “Papa i sotëm është një gjysmë hebre, një i Lozhës”. Në fund, pas shumë notash proteste nga Vatikani për aktet armiqësorë gjermanë ndaj kishës, Piu XI do të firmoste në 1937 “Mit brennender Sorge” (me shqetësim përvëlues), një enciklikë në gjermanisht që dënonte ideologjinë naziste. Reagimi i qeverisë gjermane ishte shumë i fortë, si brenda Gjermanisë (arrestime, gjyqe, dënime), ashtu edhe kundër Selisë së Shenjtë.

Nazizmi dhe krishtërimi të papajtueshëm

Një letër e 27 tetorit 1938 e Reinhard Heydrich, kreu i shërbimit të sigurisë, drejtuar ministrit të jashtëm Joachim von Robbentrop, provon që kisha katolike ishte tashmë e akuzuar se është një Staatsfeind (armik i shtetit). Për shkak të veprimtarisë së saj “subversive” bëhej urgjente që të bashkërendoheshin veprimet reciprokë. Ja teksti: “I dashur shok i partisë von Ribbentrop! Me rastin e vizitës Tuaj në Zyrën Qendrore të Sigurisë u diskutua mbi nevojën e konsiderimit të marrëdhënieve të politikës së jashtme me Vatikanin, herë pas here edhe nga këndvështrimi i rezultateve të vëzhgimit të veprimtarisë shtetërore të Kishës në brendësi të vendit. Do të kërkoja pra që i dërguari Juaj në Vatikan dhe zyra ime të qëndronin në lidhje të vazhdueshme sa u përket këtyre temave”.

Një linjë e tillë do të ndiqej nga hierarkët nazistë me bindjen që “Nacionalsocializmi dhe kristianizmi janë të papajtueshëm”, siç pohohet nga kreu i Kancelerisë dhe sekretari personal i Fyhrerit, Martin Bormann në një qarkore të 6 qershorit 1941. Për regjimin ishte tashmë e domosdoshme të njihej me lëvizjet e Selisë së Shenjtë, edhe sepse informatorët tregonin që kjo e fundit nuk ishte e palëvizshme. Që në vitin 1933 Kardinali Pacelli i kish dhënë udhëzime të dërguarit apostolik në Berlin, monsinjor Cesare Orsenigo, që të interesohej për fatin e hebrejve.

Dhe tre javë pas “Natës së kristaleve”, po i njëjti Pacelli u kish dërguar një teleks delegacioneve apostolikë dhe një letër 61 peshkopëve të shumë vendeve, ku kërkonte 200 mijë viza për katolikë “jo arianë”. Në latinisht do u transmetonte një tjetër njoftim. Në letrat, që vërtetojnë një iniciativë të paprecedentë, kërkohet largimi nga vendi i “hebrejve të konvertuar” dhe katolikëve “jo të racës ariane”. Me këtë rast është e dobishme të kujtohet se në marrëveshjen e 1933 mes Selisë së Shenjtë dhe Gjermanisë ishte arritur të futej një klauzolë (neni 29) që u hapte një farë spiraleje hebrejve: këta, nëse konvertoheshin, mund të merrnin trajtimin që u rezervohej të krishterëve. Do të kapej pas një norme të tillë në përpjekjen për të ndihmuar të persekutuarit.

Në letrën e Pacellit përmendja e “hebrejve të konvertuar” dhe “katolikëve jo arianë” duket se është një mbulesë. Vetë zgjedhja për të përdorur latinishten të bën të mendosh për një mesazh të fshehur mes radhëve të kërkesave të Vatianit për t’u shpëtuar kontrolleve të pashmangshëm.

Sulmet ndaj Pacellit

Një tjetër tregues i qëllimeve të vërtetë të Vatikanit buron nga përgjigjet e peshkopëve dhe të dërguarve ndaj kërkesës së Pacellit. Këta përmendnin shpesh “hebrejtë e persekutuar” dhe jo “hebrejtë e konvertuar” apo “katolikët joarianë”. Pikërisht në këtë periudhë janë të dokumentuar veprimtari klandestine për të stampuar certifikata false pagëzimi apo pasaporta false. Kjo provohet edhe nga raporti që i dërgonte Ribbentropit një informator në Romë (“Vatikani mbështet këta elementë, hebrejtë e pagëzuar që emigrojnë dhe financiarisht si dhe përmes dhënies së pasaportave false”), nga dëshmitë e hebrejve si dhe nga vetë historia e Armia Krajovas, ushtria kombëtare polake.

Që të nesërmen e vdekjes së Papa Rattit, që ndodhi në 10 shkurt 1939, shtypi gjerman nisi një fushatë për të shmangur zgjedhjen e kardinalit Pacelli. Gazeta naziste Das Reich: “Piu XI ishte një gjysmë hebre, duke qenë se nëna e tij ishte një judease holandeze, por kardinali Pacelli është tërësisht hebre”. Voelkischer Beobachter botonte një fotografi të Pacellit dhe dinjitarëve të tjerë të Kishës duke i quajtur si “agjitatorë në Vatikan kundër fashizmit dhe nacionalsocializmit”. Në 2 mars 1939 Eugenio Pacelli zgjidhet Papë dhe i vetmi delegacion europian që mungonte në ceremoninë e kurorëzimit do të ishte ai i Rajhut të Tretë. Berliner Morgenpost shkruante se “zgjedhja e Pacellit nuk pritet mirë në Gjermani sepse ai ka qenë gjithmonë armiqësor ndaj nacionalsocializmit”.

Një ditë pas zgjedhjes, konti Du Moulin-Eckart (1893-1976), këshilltar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, do i dorëzonte Ribbentropit një memorandum mbi Pacellin prej ku del një figurë e deformuar e Papës së ri. Jo pak tregon raporti i rezervuar zgjedhjes së Piut XII përgatitur nga drejtuesit e përgjithshëm të sigurisë së Rajhut: “Pacelli ishte i njohur tashmë për sulmet e tij ndaj nacionalsocializmit gjatë periudhës kur mbulonte detyrën e sekretarit të shtetit, gjë që i vlejti mbështetjen totale të shteteve demokratikë gjatë zgjedhjeve për Papë”. Duhet shtuar se Piu XII vazhdonte me nisma publike të papëlqyeshme për Rajhun, si vendimi për t’i dërguar telegram solidariteti mbretëreshës së Holandës, mbretit të Belgjikës dhe Grandukës së Luksemburgut për pushtimin e vendeve të tyre nga ana e trupave naziste, në maj 1940.

Po si e vlerësonte Hitleri aksionin e Kishës dhe Piut XII kundrejt nazizmit? E mësojmë nga shumë burime që dokumentojnë një armiqësi të theksuar. Duke patur parasysh numrin e madh të katolikëve në Gjermani, kreu i Rajhut shmangte manifestimin në publik të ndjenjave të vërteta, por ekzistojnë dokumenta që vërtetojnë agresivitetin që shfaqte privatisht.

Në një seri transkriptimesh, të kryer nga stenografët e sekretarisë, lexohen pohime domethënës të Fyhrerit. Për shembull: “Goditja më e rëndë që ka marrë njerëzimi është ngjitja e kristianizmit. Njëri dhe tjetri janë shpikje të hebrejve”; “Kristianizmi shpall një barazitizëm të padrejtë, përhap idenë e rrezikshme dhe shumë të dëmshme të jetës së përtejme dhe të një Perëndie të jashtëzakonshëm, që bie ndesh me teorinë e evolucionit”.

Në një bashkëbisedim me kryebashkiakun e Gdanskut, Hermann Rauschning, Fyhreri kishte thënë shprehimisht: “Asnjë prej dy rrëfimeve, protestant apo katolik (që për mua janë e njëjta gjë) nuk ka shpresë për një të ardhme, të paktën mes gjermanëve. Fashizmi italian mund të bëjë pakte me Kishën në emër të Zotit. Do ta bëj edhe unë, përse jo? Por kjo nuk do të më pengojë që të çrrënjos tërësisht kristianizmin në Gjermani (…). Nuk është e mundur të jesh edhe kristian, edhe gjerman: o njëra, o tjetra”.

Operacione spiunazhi

Pikërisht në një kontekst të tillë krerët nazistë do të përpiqeshin ta bënin të parrezikshme veprimtarinë e Kishës. Heydrich do të organizonte punën e shërbimit të fshehtë dhe udhëzimet e tij mund të shikohen sot. Rezulton se agjentët duhej të kontrollonin marrëdhëniet mes peshkopëve dhe Vatikanit (valixhe diplomatike, korrierë të fshehtë, rrugët që ndiqeshin) si dhe të sinjalizonin tensione mes peshkopëve gjermanë, mes këtyre dhe të dërguarit papnor, si dhe dobësitë personale të njerëzve të Kishës.

Në janar të vitit 1941 i shkruan von Ribbentrop: “Kam qëllim të diskutoj me ministrin Luther përbërjen e një aparati spiunazhi kundër Vatikanit. Kërkoj që ju të vendosni sistemimin përfundimtar, në një mënyrë apo një tjetër, të një eksperti në ambasadën në Vatikan si dhe për një zëvendësim të personelit që ka marrëdhënie me personalitete të Vatikanit”.

Operacionet e fshehta që do të kryente Rajhu në Romë ishin të ndryshëm: pranë jezuitëve të Universitetit Gregorian dhe revistës “Qytetërimi Katolik” do të aktivizohej për të njohur nismat më delikate të Selisë së Shenjtë, si për shembull sistemet kriptografikë, korrespondenca hyrëse dhe dalëse, komunikimet telefonikë. Një kontroll konstant do i bëhej Radio Vatikanit. Për t’u kujtuar është gjithashtu prania e spiunëve në redaksinë e Observatorit Roman.

Në ambientet e Vatikanit do të ishte gjithashtu aktiv një informator të cilit nazistët do i thurnin shumë elozhe: don Joachim Birkner. Kur në Vatikan mësuan për lojën e dyfishtë që bënte, misioni i tij do të ndërpritej menjëherë. Nuk mungonin të infiltruarit edhe mes atyre që duhej të mbronin Qytetin e Vatikanit, si agjent italianë të pranishëm mes xhandarëve të Papës: një agjent i OVRA do të arrinte të bëhej inspektor i përgjithshëm i Trupës së Vigjilencës. Duhen shtuar këtu ata që përshkonin qytetin e Vatikanit, marrjet e dhunshme në pyetje jashtë mureve të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërveprimi mes spiunëve gjermanë dhe italianë etj.

Vatikani nën survejim

Pavarësisht tentativave të shumta, Rajhu i tretë nuk do të arrinte gjithmonë të njihte orientimin e Papës. Në disa informacione të ardhura nga Roma në Berlin, përmbajtja është e pasaktë, e pjesshme, në disa raste informacionet janë të manipuluara (të orientuara që të përmendnin atë që në Berlin pëlqehej, duke shmangur çdo dyshim të mundshëm për disfatizëm). E gjithë kjo ndodhi edhe për një arsye: tipi shumë i rezervuar i Piut XII. E vërteton këtë fakti që për disa nisma delikate, Papa nuk informonte as Sekretarin e Shtetit.

Raportet në Berlin komunikonin megjithatë aspekte që nuk ishin skajorë: “Në rast se nuk mbërrihet në luftë, diplomacia e Vatikanit pret një ndryshim të situatës në Gjermani, më e shumta pas vdekjes së Fyhrerit”, thuhej. “Vetë Papa, siç e thonë informatorët në mënyrë unanime, manifeston një sjellje simpatie të madhe kundrejt popullit gjerman dhe karakterit të tij. Kjo gjë nuk mund të pohohet në fakt nëse i referohemi regjimit, nga ana e Vatikanit. Selia e Shenjtë i ndihmon edhe nën profilin ekonomik”, thuhej në një tjetër informacion.

Nënshtruar formalisht sovranitetit të Republikës Sociale me statusin e “Qytetit të hapur”, Roma në të vërtetë në vitin 1943 qeverisej nga komandat gjermanike. Feldmarshalli Albert Kesselring, komandant i frontit jugor, emëroi në krye të Gestapos së Romës, duke i dhënë direkt kontrollin e rendit publik në qytet, zyrtarit të SS, Herbert Kappler. Ky do të forconte edhe spiunazhin kundër Vatikanit dhe do të ndiqte urdhërat e Berlinit në arrestimin dhe dëbimin e hebrejve. Informacionet e tij janë një provë e ndërhyrjeve të Vatikanit (pra jo të nismave të njerëzve të veçantë) në mbrojtje të komunitetit hebre të persekutuar. Ja disa shembuj.

“Në 28 shtatorin e ardhshëm, trupi diplomatik i Madridit do të niset me tren për në Spanjë. Vatikani ka shitur një seri vizash spanjolle, argjentinase, portugeze dhe meksikane disa hebrejve që kanë për qëllim të largohen ilegalisht me këtë tren. Po përpiqemi të sigurohemi për identitetin e tyre” (Informacion i H. Kappler drejtuar Berlinit në 24 shtator 1943). Për të kontrolluar Piun XII, Berlini do të përpiqej të survejonte sekretarin e tij personal: atin jezuit Robert Leiber. Për të nazistët dinin shumë pak, përveç faktit që ishte gjerman.

Për shkak të dëshirës së tij për të mos shkuar në Berlin, vendosën që ta spiunojnë në Vatikan. Nisi atëherë për Atin një rritje të vizitave nga jashtë, apo kontaktesh të nisura prej studiuesve gjermanë, zyrtarisht të angazhuar në punime mbi historinë e kishës. Jezuiti do të mbrohej ose përmes rezervimit, ose përmes përgjigjeve të përgjithshme. Në disa raste dukej i vetëdijshëm që kishte të bënte me interlokutorë që, në të vërtetë ishin anëtarë të SS. Në kontekstin e përshkruar deri këtu, fiton kuptim konferenca e kryesuar nga Hitleri në 26 korrik 1943.

Pak më parë, Mussolini ishte arrestuar me urdhër të mbretit. Fyhreri kishte marrë njoftim për këtë gjë. Për konferencën e asaj dite ekziston një rrëfimi stenografik i botuar tek “Hitleri drejton luftën e tij”. Ja pjesët që interesojnë më shumë. Hitleri: “Duhet kundërgoditur, dhe duhet bërë në mënyrë të tillë që të kapet krejt qeveria Badoglio”. Hevel: “Duhet të komunikojmë apo jo që daljet nga Vatikani do të bllokohen?”

Hitleri: “Për mua është e njëjta gjë, unë Vatikanin e pushtoj shumë shpejt. Ti mos mendon që Vatikani më nënshtron? Do ta pushtojmë menjëherë. Është brenda i gjithë trupi diplomatik, por mua aq më bën, më vonë do të ofrojmë ndjesën tonë. Banda është aty brenda, dhe ne do ta nxjerrim jashtë, atë grup derrash!”

Pra, të gjithë dokumentat e disponueshëm demonstrojnë një kundërvënie të fortë të Berlinit ndaj Pacellit. Një gjë e tillë gjen konfirmim të mëtejshëm në aktet e gjyqit të Nyrenbergut (marrja në pyetje e von Robbentrop). Ndërkohë që informacinet mbi veprimtarinë e Vatikanit mbeten gjenerike apo shkojnë sipas një skeme të parapërgatitur (marrëveshje e fshehtë e Selisë së Shenjtë me Aleatët, fshehja e të kërkuarve nga regjimi, tradhëtitë), figura e Papës, herë pas here do të paraqitet si ajo e një armiku, që duhet të mposhtet përfundimisht pas përfundimit të luftës.

Megjithë afrimin e shembjes së regjimit, rrjeti i spiunazhit gjerman nuk do ta humbiste nga sytë Papën, me qëllimin të zbulonte kanalet e përdorur për shpërndarjen e direktivave të tij. Kjo shërbente për të mësuar për kontakte të mundshëm me forcat aleate, dhe për të pikasur të persekutuarit, sidomos hebrejtë.

Por Piu XII dhe bashkëpunëtorët e tij transmetonin shumë mesazhe me zë. Në një orë të përgjakur edhe për Italinë, që shihte dëbimin e hebrejve dhe civilëve, të karabinierëve, të ushtarëve dhe të vetë banorëve të lagjes romane të Quadraros, e vetmja zgjedhje e mundshme ishte që të fshiheshin ata që kërkoheshin për motive lufte, politike dhe racore.

Shërbimi i fshehtë nazifashist u përpoq deri në fund që të siguronte informacione për lidhjet mes Papës, kishave lokale dhe grumbullimeve hebraikë. Nga dokumentat që janë shqyrtuar rezulton se objektivi nuk u arrit. Provë e mëtejshme është fakti që për të gjetur persona apo grupe të fesë hebraike u desh premtimi i shpërblimeve, u deshën banda të armatosura apo marrje në pyetje nën torturë.

Më në fund, në 8 maj 1945 përfaqësuesit e Rajhut të Tretë firmosën në Berlin aktin e dorëzimit. Nuk kaluan as 25 ditë dhe Piu XII – tashmë i çliruar nga çdo kushtëzim – nuk hezitoi të flasë për “spektrin satanik që përfaqësohej nga nacionalsocializmi”, duke shtuar që “sundimtarët e Gjermanisë kishin synuar të shkatërronin kishën edhe në Rajhun e lashtë”. Dhe në 29 nëntor priti në një dëgjesë një përfaqësi prej 80 hebrejsh të liruar nga kampet e përqëndrimit. Ishin vetë nazistët, siç është parë, që konfirmonin në raportet e tyre se tek ky Papë ekzistonte një dallim mes simpatisë ndaj popullit gjerman dhe kundërshtimit të regjimit hitlerian.

Dhe kjo gjë detyroi Berlinin të organizonte një rrjet të infiltruarish për t’u përpjekur të siguronte informacione mbi vendimet dhe lëvizjet e Vatikanit. Me rezultate të dobët, duke qenë se Papa Pacelli, për çështjet delikate përjashtonte madje edhe sekretarin e Shtetit, kardinalin Maglione. Spiunazhit gjerman nuk i mbetej veçse të vinte në shënjestër sekretarin e Papës, atë Leiber. Tentativa që gjithashtu shkuan dëm
Rifat
Rifat
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 2401
Points : 4324
Reputation : 12
Join date : 09/12/2011

https://enigmaexplorer.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi