Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sundimtari me sy te akullt

Shko poshtë

Sundimtari me sy te akullt Empty Sundimtari me sy te akullt

Mesazh nga Rifat Sat Apr 12, 2014 3:07 pm

Sundimtari me sy te akullt

Sundimtari me sy te akullt Comrade-Vladimir-Putin

“E kam shikuar këtë njeri thellë në sy dhe e kam parë shpirtin e tij. Mendoj se është i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm”. – Kryetari amerikan George W. Bush për Vladimir Putinin, pas takimit të parë në Slloveni në vitin 2001.


“E kam shikuar (Putinin, v.j.) në sy dhe e pashë po atë vrasës të KGB-së, të cilin e kam parë gjatë gjithë jetës sime”. – Robert Gates, ish-zyrtar i CIA-s, ministër amerikan i Mbrojtjes, në vitin 2007.


Në fund të librit të saj mbi jetën jo vetëm politike të Vladimir Putinit, autorja Masha Gessen falënderon të gjithë ata që i ndihmuan në shkrimin e veprës dhe të cilëve ajo nuk guxon t’ua përmendë emrat nga frika se do t’i nënshtrohen represionit nga ana e regjimit të Kremlinit. Gessen, gazetare e guximshme ruse, ka shkruar një libër që nuk e lë indiferent lexuesin. Pjesë-pjesë kjo vepër lexohet si një roman kriminalistik, që të ngjallë frikën. Me ngjarjet e fundit rreth aneksimit të Krimesë sërish në opinionin ndërkombëtar po shtrohet pyetja se kush është Vladimir Putini, politikani që sundon Rusinë që nga viti 2000 – si president dhe si kryeministër (për 4 vjet).


Për Masha Gessen, e cila ka jetuar një dekadë në ekzil në Amerikë, nuk ka dyshim se Putini është “një njeri pa fytyrë” (ky është edhe titulli i librit). Ai përfaqëson tipin e zyrtarit të shërbimit sekret, i cili urren demokracinë dhe transparencën. Pas viteve dramatike me Boris Jelcinin, i cili kishte lejuar që ekonomia e vendit të futej nën kontroll nga oligarkët e pamëshirshëm dhe të cilin viteve të fundit në detyrë mezi e mbanin këmbët për shkak të sëmundjes dhe konsumimit të alkoolit, në krye të shtetit erdhi Vladimir Putini.


Askush nuk e njihte këtë njeri, i cili pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kishte punuar në krah të Anatoli Sobçakut, prefektit të Shën Peterburgut, metropolit rus me histori të bujshme mes Lindjes e Perëndimit. Për Putinin, fundi i Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi pasi që jo vetëm kishte humbur punën në Leipzig të Gjermanisë Lindore, por edhe reputacionin si përfaqësues i një superfuqie. Në Shën Peterburg, Putini fillimisht ra në sy si nëpunës korrekt, madje oligarku Boris Berezovski më vonë ka treguar se kur kishte hapur një punëtori veturash në këtë qytet, Putini i kishte ndihmuar dhe kishte refuzuar të merrte ryshfet.


Në fund të mandatit të tij Boris Jelcini ishte ballafaquar me akuza të rënda për korrupsion, dhënie tenderësh në mënyrë të jashtëligjshme, favorizim të zyrtarëve të afërt me të dhe nepotizëm.


Për Jelcinin ishte me rëndësi që pasardhësi i tij t’i garantonte se nuk do të ndiqej penalisht. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe të Boris Berezovskit, ai kishte filluar të kërkonte një kandidat të përshtatshëm. Më 1 korrik 1999 Berezovski shkoi në Biarritz në jugperëndim të Francës, ku Putini, tashmë shef i shërbimit sekret rus FSB, po kalonte pushimet bashkë me familjen. Aty Berezovski ia bëri me dije Putinit se kishte një ofertë për të dhe se duhej ta takonte Jelcinin. Pak ditë më vonë takimi mes këtyre dyve u realizua në Moskë dhe këtu e tutje njerëzit rreth Jelcinit filluan të përgatisin terrenin për Putinin. Masha Gessen shkruan se pothuaj askush nuk kishte informata të bollshme për Putinin, por Jelcini e çmonte faktin se ai, si oficer i KGB-së, ishte luajal ndaj shtetit.


Kështu, më 9 gusht 1999, presidenti Boris Jelcin e emëroi Vladimir Putinin në postin e kryeministrit të Rusisë.


Pak ditë më vonë Rusia u trondit nga sulmet me bomba dhe shpërthimet që hidhnin në ajër ndërtesa të larta banimi. Qindra njerëz humbën jetën, mijëra të tjerë u plagosën, miliona të tjerë jetonin në ankth. Në bazë të hulumtimeve Gessen arrin në përfundimin e frikshëm se prapa sulmeve qëndronte shërbimi sekret rus FSB. Qëllimi ishte që faji për sulme t’u vishej “terroristëve çeçenë” dhe kështu të krijohej një pretekst për të nisur luftën kundër Çeçenisë. Dukej se çdo gjë ishte e koordinuar: Jelcini lëshoi një dekret mbi angazhimin e ushtrisë në Çeçeni (ndonëse, sipas Kushtetutës, armata ruse nuk mund të luftonte brenda kufijve të shtetit), ndërsa Putini në paraqitjen e parë televizive u përbetua se “do t’i shkatërrojmë” terroristët, do t’i “fshijmë”, do t’i “asgjësojmë” në “nevojtore”.


Në vitet në vijim Putini do të bëhej i njohur për gjuhën e tij vulgare. Kur në vitin 2002, një gazetar francez gjatë një konference për shtyp në Bruksel e pyeti Putinin mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni, ai u përgjigj me egërsi: “Nëse ju patjetër dëshironi të bëheni fundamentalist islamik, ju ftoj të vini në Moskë. Ne kemi kirurgë të mirë dhe ata do t’ju bëjnë synet, madje në atë mënyrë që s’do t’ju rritet më asgjë”. Pasi presidenti amerikan Barack Obama tha se presidenti rus me njërën këmbë gjendet në botën e vjetër, me tjetrën në të renë, Putini u përgjigj: “Ne nuk i hapim këmbët”. Paraardhësin e Obamës, George W. Bushin, Putini e kishte tronditur me një barsoletë primitive mbi lidhjen seksuale mes ministrit të tij të jashtëm, Sergej Lavrov, dhe ministres së Jashtme amerikane Condoleezza Rice.


Pasi kaloi disa muaj në postin e kryeministrit, Putini më 31 dhjetor 1999 mori postin e presidentit – përkohësisht deri në zgjedhjet presidenciale.


Më 7 maj 2000, juristi Vladimir Putin edhe zyrtarisht u bë kryetar i Rusisë pasi kishte arritur t’i demontonte rivalët politikë dhe të prezantohet para zgjedhësve si luftëtar i pakompromis i terroristëve në Kaukaz. Gjatë leximit të librit të Masha Gessen, lexuesi fiton përshtypjen se Putini nuk ka asnjë respekt për jetën e njeriut. Për të ilustruar këtë Gessen sjell shembuj trishtues. Në pranverë të vitit 2001 vdiqën 118 marinarë pas fundosjes së nëndetëses “Kursk”. Presidenti kishte heshtur me ditë të tëra derisa familjet po përjetonin momente dramatike. Ekuipazhi nuk kishte qenë i përgatitur për manovër, disa silurëve tashmë u kishte skaduar afati i qëndrueshmërisë, autoritetet kishin refuzuar ndihmën e palës norvegjeze. Në tetor 2002, në një teatër të Moskës, rreth 800 veta u morën peng nga disa terroristë. Në ditën e tretë të pengmarrjes dy pengje arritën t’i telefononin radiostacionit “Eho Moskvi”: “Këtu ka gaz. Të gjithë janë në sallë. Ju lusim, ju lusim, ne vetëm shpresojmë se nuk jemi Kursku i dytë”. Forcat ruse kishin lëshuar gaz në teatër përmes korridoreve nëntokësore, i cili i kishte vënë në gjumë pengjet dhe terroristët.


Në këtë mënyrë synohej që terroristët të pengoheshin në ndezjen e eksplozivit që bartnin me vete. Por, plani dështoi plotësisht. Terroristët nuk i zuri gjumi menjëherë nga gazi, por ata, megjithatë, nuk e ndezën eksplozivin. Më vonë u spekulua se nuk bëhej fare fjalë për eksploziv.


Kur forcat e sigurisë u futën në teatër dhe nisën t’i nxirrnin nga salla pengjet që tashmë ishin vënë në gjumë, nisi një seri gabimesh: pengjet nuk u trajtuan menjëherë nga mjekët, por u shtrinë në shkallët e teatrit – dhe shumë prej tyre vdiqën nga ngufatja, pastaj një pjesë e tyre u transportuan – ulur dhe jo shtrirë – me autobusë: gjatë rrugës disa vdiqën pasi koka u rrëshqiti së prapthi. Në spital policët dhe ushtarët refuzonin t’u tregonin mjekëve se çfarë gazi ishte përdorur… 129 veta humbën jetën në këtë tragjedi. “Qeveria shpalli veten fitimtare. Fotografitë e terroristëve, të cilët u vranë në gjumë nga ushtarët rusë, u shfaqën vazhdimisht në televizion: burra e gra të kërrusur në kolltukë teatri apo në tavolina, me plagë plumbi në kokë që shiheshin mirë”, shkruan Gessen.


Më 1 shtator 2004, në një shkollë në qytetin Beslan u kidnapuan qindra nxënës dhe prindër – dhe mbi 300 veta u vranë pas intervenimit të forcave ruse. Gessen përshkruan në hollësi mënyrën joadekuate të ndërhyrjes dhe cinizmin e Putinit, i cili këtë tragjedi e shfrytëzoi për të shpallur se tani e tutje guvernatorët nuk do të zgjidheshin më, por do të emëroheshin direkt nga Moska.


Putin u tregua i pamëshirshëm kundër kritikëve të regjimit të tij. Kur gazetarja Anna Politkovskaja mësoi se në Beslan ishin kidnapuar qindra fëmijë e prindër, ajo rezervoi nga një biletë në tri fluturime. Kur arriti në aeroportin e Moskës të gjitha fluturimet tashmë ishin anuluar. Politkovskaja fluturoi për në Rostov, qyteti më i madh i Rusisë jugore, dhe nga atje synonte të kalonte 650 kilometra me veturë të marrë me qira për të arritur në Beslan. Kjo gazetare e dinte se regjimi i Putinit nuk ngurronte t’i helmonte kritikët, andaj e kishte marrë ushqimin me vete.


Në avion ajo porositi vetëm një çaj – dhjetë minuta më vonë Politkovskaja humbi vetëdijen. Kur avioni aterroi ajo tashmë kishte rënë në komë. Kështu asaj iu pamundësua të raportonte mbi ngjarjet në Beslan. Më 23 nëntor 2006, në një spital të Londrës vdiq Aleksander Litvinenko nga pasojat e helmimit me polonium, një substancë radioaktive. Ish-oficeri i shërbimit sekret rus FSB kishte paralajmëruar se do të bënte publike shumë veprime të ndaluara të punëdhënësit të tij. Për Gessen, nuk ka dyshim se Litvinenko u helmua nga agjenturat ruse.


Gessen ka shkruar një biografi kritike të Putinit, andaj ajo nuk përmend disa nga meritat e tij, siç është stabilizimi ekonomik dhe politik. Çmimi që ka paguar shoqëria ruse për këtë stabilitet të frikshëm është i lartë: sistemi demokratik i komanduar nga një oficer i KGB-së, i cili sundon me ndihmën e shokëve të tij nga Shën Peterburgu, ekonomia nën kontroll të plotë të pushtetit, suprimimi i shumë të drejtave qytetare, zhdukja pothuaj e plotë e medieve të pavarura, helmimi apo vrasja në rrethana misterioze e kritikëve të pushtetit, pasurimi i pafundmë i një klase politike të papërgjegjshme dhe restaurimi i relikteve të Bashkimit Sovjetik. Në dritën e ngjarjeve të fundit rreth Krimesë dhe krizës në Ukrainë në përgjithësi, si dhe pas leximit të librit të Masha Gessen, kryetari rus, Vladimir Putin, na shfaqet si një figurë politike jashtë kornizës demokratike.


Rusia dhe bota do të jenë më pak të sigurta nëse Putini, ky autokrat me sy të akullt, sundon deri në vitin 2024. Një gjë e tillë është e mundshme sipas Kushtetutës ruse.

Rifat
Rifat
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 2401
Points : 4324
Reputation : 12
Join date : 09/12/2011

https://enigmaexplorer.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi