Në brendësi të botës sekrete të kartelit të drogës Sinaloa
Në brendësi të botës sekrete të kartelit të drogës Sinaloa
Gazetari i BBC përshkruan jetën e mafiozëve të fuqishëm në Meksikë
Nga Paul Wood / BBC
Disa nga trafikantët e drogës në Meksikë janë vrarë ose janë kapur muajt e fundit, përfshi edhe kreun e kartelit të fuqishëm Sinaloa. Por në brendësi të kësaj bote sekrete të kësaj organizate të frikshme kriminale është e qartë se ajo vazhdon të ekzistojë si gjithnjë.
Hector nuk të jep përshtypjen e një trafikanti droge për kartelin Sinaloa. Nuk përdor kamionë dhe as kallashnikovë. Në vend të tyre, 68-vjeçari ka një Honda të vogël dhe drejton një dyqan. Për vite me rradhë Hector ka qenë guida e punëve sekrete të mafias më të vjetër e më të pasur në Meksikë.
Karteli Sinaloa – nëpërmjet parave të thata dhe dhunës – ka arritur policinë, biznesin dhe politikën. Arrestimi në shkurt i liderit të kartelit, El Chapo “Shkurtabiqi” Guzman, solli një ndryshim të vogël në organizatë.
Një burim i brendshëm thotë se “ky vend është i sëmurë nga narko-kultura. Ata jetojnë në këtë mënyrë në Sinaloa për 100 vjet”
Hector ka qenë një narkotrafikant për 50 vjet. “Unë jam pioner,” thotë ai plot krenari, duke mbajtur veshur një kapele të bardhë kauboj, e duke tundur akullin në një gotë uiski. Babai i tij ka qenë një fermer i varfër, që mbillte misër dhe fasule. Gjatë adoleshencës Hector mbolli marijuanë dhe filloi ta shpërndante atë në Shtetet e Bashkuara, ku e shiste me një çmim shumë më të lartë.
Ai mbijetoi gjatë gjithë kësaj kohe falë zgjuarsisë së tij. “Kur isha i ri doja të bëhesha i pasur e të bëja shumë para. Dhe ia arrita dikur, por tani jetoj më mirë sepse nuk është nevoja të fshihem”, thotë ai.
Ai ka shumë pishmane në jetë, duke përfshirë humbjen e të birit, i cili u vra gjatë kohës që trafikonte. “Në të vërtetë biznesi ka ndryshuar,” thotë Hector. “Njerëzit kanë ndryshuar po ashtu. Respekti nuk ekziston, fisnikëria është zhdukur, nuk ka miqësi, nuk ka premtime. Më parë, nëse kishe një borxh, fjala jote mjaftonte. Ndërsa sot, të vrasin nëse nuk paguan.”
Filloi të derdhej gjak, vite më parë, kur trafiku i metamfetaminës filloi të mbizotëronte trafikun ‘fisnik’ të marijuanës dhe kokainës, thotë ai. Gjysmë kilogrami metamfetamine sillej nga laboratori në Meksikë për 2000 dollarë, dhe shitej në SHBA për 10 mijë dollarë. “Njerëzit që përdorin metamfetaminë arrijnë të varin edhe familjarët e tyre. Kur filloi trafiku i metamfetaminës filloi dhe lufta, filloi xhelozia. Ky është ndryshimi midis këtyre drogave. Kartele të ndryshme filluan të rekrutonin njerëz që nuk kishin parë kurrë një kallashnikov në jetën e tyre. Ata i japin një armë, drogë dhe këta njerëz çmenden, nuk mendojnë fare për të nesërmen. Njerëzit janë të sëmurë – ata që vrasin, dhe ata që japin urdhra për vrasje” shpjegon Hector.
Ne na dërgojnë në një dhomë të sigurtë. Era e marijuanës kundërmon kudo. Disa burra të rinj rrinë ulur në divane duke parë televizor. Ata janë të armatosur mirë – shumë prej tyre kanë AK-47, armë e njohur nga trafikantët si “brirët e dhisë” për shkak të harkut që kanë plumbat. Një ose dy prej tyre kanë M-16 të pajisur me granadë-hedhës, armë të cilat nuk i ka as policia.
Unë i flas Rafaelit, një djaloshi 18-vjeçar me një Kallashnikov dhe një veshje të zezë luftarake. “Ishte një shok imi ai që më foli për këtë biznes,” thotë Rafaeli. “Ai është pjesë e skuadrës. Kështu që u bashkova dhe unë. Atëherë isha 14 vjeç dhe nuk shkoja mirë në shkollë. Kjo punë më pëlqen. Si t’ua them, nuk më pëlqen të luftoj por më pëlqejnë armët.”
Ai ishte 15 vjeç kur vrau për herë të parë. Ai pa një informator në rrugë dhe telefonoi për të marrë urdhrat. Në telefon i thanë “Vrite!”. Kështu ai e bëri dhe pasi e goditi tha: “Nuk ndjeva asgjë, vetëm adrenalinë.”
Deri tani ka vrarë aq shumë sa e ka humbur numrin e tyre. Asnjë në këtë shtëpi bazë nuk ka një numër ekzakt të vrasjeve. Sipas llogarive ata besojnë se kanë vrarë me dhjetëra njerëz vitin e kaluar.
Vrasja e fundit u bë dy javë më parë – dikush nga grupi u akuzua se kishte spiunuar tek grupet rivale. Bosi i këtij grupi, një djalë 26-vjeçar i pafajshëm në dukje, e kishte goditur atë nga mbrapa me një kabllo elektrike.
Kreu i sigurisë së këtij karteli, një burrë rreth të 40-ave i quajtur Jose, thotë se “kushdo mund të jetë nën shënjestër: një tradhtar, një spiun, një hajdut, dikush që i bën dëm kartelit”. Por ai gjithashtu deklaron se karteli e mbron popullin e Sinaloas. Ky nuk përbën një fakt për t’u habitur.
Kjo është e dëmshme për biznesin, dhe trafikimi është shumë më fitimprurës se çdo gjë tjetër që ato mund të bëjnë. Karteli ka vrarë kriminelët e akuzuar për rrëmbim si shpërblim. “Kështu njerëzit na mbrojnë ne,” thotë Jose. “Shumë njerëz negociojnë me kartelin ose i bashkohen atij. Është pothuajse si detyrim këtu sepse nëse nuk i bashkohesh atëherë je vetëm. Je kundër të gjithëve dhe nuk ke mbrojtje”.
Kohët e fundit ka pasur disa trazira me kartelet rivale në përpjekje për të rritur territorin e tyre. Në Meksikë flitet për një “Narko-Kryengritje”, një sfidë e mirë-armatosur kundra shtetit. Në Sinaloa, me sa duket nuk është ky rasti. “Ne punojmë me policinë,” thotë Jose, ”me atë lokale, shtetërore dhe federale”.
Droga transportohet me eskortë policie na tregon Jose. Oficerët e mbajnë një sy në vëzhgim të karteleve rivale. Policia po bashkëpunon duke u kujdesur për rrugët e transportit.
Shefi i policisë së shtetit, komandanti Jesus Aguilar e mohon këtë gjë. Njerëzit e tij, uniformat blu, gjithashtu luftojnë me mjete shumë të mira luftarake. “Mjetet e përmirësuara dhe pagat më të larta i kanë ndihmuar ata të arrestojnë sa më shumë trafikantë,” thotë Aguilar.
“Ne kemi arrestuar njerëz nga të gjitha anët,” thotë ai në një zyrë të dekoruar me certifikata. “Ata janë të gjithë kriminelë. Ne nuk favorizojmë asnjë prej tyre. Këtu çdokush që pajtohet me aktivitetet kriminale do të përballet me autoritetet.”
Por edhe komandanti ka pasur telashet e veta me autoritetet. Në vitin 2006, u lëshua një urdhër për arrestimin e tij, pasi u akuzua se kishte përdorur njerëzit e tij për të mbrojtur anëtarët e kartelit Sinaloa.
Ai jetoi në arrati për 5 vjet dhe për kokën e tij paguhej 5 mln pesos (para meksikane e barabartë me 500 mijë dollarë). Ai thotë duke qeshur se “kjo ishte një shumë e vogël, dhe shtoi se kjo ishte më tepër një çështje politike kundra tij”.
Urdhri për arrest u tërhoq në vitin 2009 dhe pas disa vitesh ai u emërua në krye të policisë. Guvernatori i shtetit tha se ndonjëherë nevojitet “një pëllumb i zi” që të merret me çështjet e krimit të organizuar.
Një ish-qeveritar i Sinaloas njëherë tha se 62% e ekonomisë së shtetit ishte e lidhur me paratë e drogës, por shumë pak vetë në Sinaloa janë të përgatitur për të folur publikisht rreth lidhjeve që çdokush ka me kartelin.
Në Komisionin Për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut në Sinaloa, takova një grup femrash, të afërmit e të cilave ishin zhdukur. Ato të gjitha akuzonin policinë për dështim të investigimeve me qëllim, sepse sipas tyre kishin lidhje me grupet kriminale.
Një grua e quajtur Anabel, shkon më tej, duke akuzuar policinë si përgjegjëse e vetme për zhdukjen e djalit të saj. Ai po pinte në rrugë me disa shokë kur makinat e patrullës e kapën atë. Ata e arrestuan djalin e saj dhe dy shokë të tij. Në rajonin e policisë lokale, shefi mohoi se ishte në dijeni për këtë ngjarje. Disa orë më vonë, ajo mori një telefonatë nga banda e grabitësve ku i thuhej : “E kemi ne djalin tuaj.”
Ata ia nxorrën djalin në telefon për një kohë të shkurtër, i cili i tha se “Do të jem mirë nëse ti paguan.” Shpërblimi ishte 10 mijë dollarë dhe një makinë, të cilat duhet të dorëzoheshin në sheshin e qytetit. Ajo bëri siç i kërkuan. Makina dhe paratë u morën. Por djali i saj nuk u kthye. Ajo nuk e pa më kurrë atë.
Policia i tha Anabelës se në këtë ngjarje ishin përfshirë policë të rremë. Por ajo nuk e besoi sepse kishte parë një numër të madh makinash policie. Nën lot ajo shpjegonte se i ishte lutur policisë që t’i rikthenin djalin.
Ka të tjera histori si kjo. Nuk pranojnë të dalin në kamera sepse askush nuk beson se autoritetet do t’i ndihmojnë. Trafikuesit kanë korruptuar disa pjesë të shtetit. Për meksikanët, është shumë e frikshme të jetosh paralel me bizneset e drogës. Kurrë nuk e di se me kë ke të bësh e kujt t’i besosh.