Kriza financiare e Europes dhe rrugët e dhimbshme të ndryshimit
Faqja 1 e 1
Kriza financiare e Europes dhe rrugët e dhimbshme të ndryshimit
Kriza financiare e Europes dhe rrugët e dhimbshme të ndryshimit
Një krizë financiare zakonisht është një krizë që masat vetëm sa e ndiejnë në kurriz, sepse nuk ka shans që të kuptojnë gjuhën e ndërlikuar të financierëve që fsheh veprime edhe më të ndërlikuara dhe të errëta në fakt.
E megjithatë, në fund të fundit gjërat janë të thjeshta. Problemet e krizës financiare aktualisht në Europë janë shumë më të rënda se ato të cilat përjetuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës tre vjet më parë. Kështu, nëse do të flisnim në një rrafsh krahasues, do të thoshim se Gjermania është si Wall Street, pra vendi ku “ndihen” paratë e mëdha. Italia është si Kalifornia, që është keqqeverisur dhe është mbarsur me borxhe.
Greqia është si një version i vjetër i Misisipit, një vend i vjetër që jeton si një vend i pasur me para borxh, derisa një ditë gjithçka i shembet mbi krye. Sllovenia, Sllovakia dhe Estonia janë si vende të Amerikës së Mesme, që punojnë, kursejnë dhe vuajnë, por dinë që të qëndrojnë dhe të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin.
Vetëm se në rastin e Europës, ndryshe nga rasti i SHBA-së, kemi të bëjmë me vende që nuk kanë asgjë të përbashkët, veç aktit se janë pjesë e së njëjtës organizatë dhe madje nuk kanë një situatë krize as një plan të qartë dhe unik të shpëtimit financiar. Megjithatë, ja një shpjegim i situatës me fjalë të thjeshta.
A do të mbijetojë euroja?
Është një pyetje e rrezikshme për t’u bërë me zë të lartë. Le të supozojmë se thashethemet e dala në Greqi, që në vend të pranojnë kushtet e rënda të paketës së shpëtimit, më mirë të dalin nga euroja të jenë të vërteta. Në një rast të tillë, nga frika e zhvleftësimit të dhrahmisë, që do të zëvendësonte euron, grekët do të zhvendosnin kursimet e tyre në euro në vende të tjera, duke boshatisur bankat. Për shembull, do t’i çonin paratë në Gjermani.
Në këtë mënyrë sistemi bankar grek do të shkonte drejt kolapsit. Por ekonomia greke është tepër e vogël për të shkaktuar një kolaps në të gjithë Eurozonën. Por nëse kjo situatë paniku do të kapte për shembull Spanjën dhe Italinë, atëherë po që do të kishte arsye për shqetësim, sepse në një rast të tillë do ta pësonte i gjithë sistemi financiar europian. Ndoshta kjo është arsyeja se përse traktati që krijoi euron nuk i thotë asgjë në lidhje me atë që mund të ndodhë me të gjithë zonën në rast se një vend do ta lërë atë.
Përse për një vend është kaq negative braktisja e euros?
Nëse një vend do të dilte në mënyrë të befasishme nga Eurozona dhe kjo do të ndodhte para se të gjithë të kishin mundësi që të merrnin paratë e tyre nga bankat, atëherë do të kishte gjithsesi një periudhë kaosi ekonomik. Eksportet dhe importet do të goditeshin keqas. Huadhënia do të shkatërrohej dhe do të çonte kompanitë drejt falimentimit dhe efektet e kësaj do të ndiheshin në të gjithë Eurozonën. Problemi është tepër i mprehtë dhe zgjidhjet nuk janë asnjëra të mira.
Nëse lënia e Eurozonës do të ishte e tmerrshme, përse do të duhet ta bënte ndonjë vend ndopak?
Nuk është edhe aq keq. Braktisja e euros do t’i lejonte një vendi që të injoronte kërkesat nga liderët e vendeve të tjera europiane. Vendi mund të refuzonte për shembull që të paguante borxhet. Pas një dhimbjeje të shkurtër, vendet më të dobëta europiane mund të shihnin një përfitim më afatgjatë. Nëse Greqia ose Portugalia do të riktheheshin te monedhat e tyre, kostoja e eksporteve të tyre do të binte. Kjo, sepse do të ishte më e lirë për udhëtarët e huaj që të qëndronin te hotelet e këtyre vendeve dhe të hanin në restorantet e tyre dhe kjo do të çonte në një bum të industrisë së turizmit. Alternativa është që të kalojnë dhjetëvjeçarin e ardhshëm si vende të varfra të lidhura me monedhën e përbashkët që kanë me vendet e pasura.
Çfarë do t’i ndodhte Bashkimit Europian nëse euroja do të shembej?
Atëherë do të dilej në përfundimin se një tufë vendesh të ndryshme, secili me një kontroll të vetin të buxhetit personal, por të gjithë të lidhur me një monedhë të përbashkët, nuk përbëjnë më një model të mirë ekonomik. Dhe kjo do ta vinte Europën para dy opsionesh të mëdha dhe të dhimbshme: opsioni i parë është ai i mbajtjes së euros dhe integrimi i mëtejshëm i Eurozonës. Kjo do të thotë që vendet përbërëse të organizatës duhet që t’i japim më shumë pushtet burokratik Brukselit, ose pushtet financiar Frankfurtit në lidhje me të gjitha shpenzime e buxhetet e tyre. Banka Qendrore Europiane mund të bëjë shumë premtime për të ndaluar panikun, por vendet e varfra të Eurozonës ka shumë gjasa që të kalojnë vite të tëra vështirësish përfshi rënien e ndjeshme të rrogave.
Opsioni i dytë: Greqia dhe ndoshta edhe disa vende të tjera problematike në periferi do ta lënë Eurozonën. Një dalje vetëm e Greqisë mund t’i jepte ëndrrës europiane një shqelm turinjve, por nuk do të ishte fatale. Madje kjo mund t’i nxiste liderët europianë që të përpiqeshin të shtrëngonin më shumë radhët. Por dalja e Italisë, për shembull, që është ekonomia e tretë më e zhvilluar e Eurozonës, do ta shkatërronte ëndrrën. Mendoni në këto kushte çrregullimet e mëdha në tregti, kaosin në sistemin financiar dhe rrëmujat politike e sociale që do ta shoqëronin këtë gjë.
Pikërisht në këtë fazë dyshimi dhe ende të pavendosur, ndodhet Europa aktualisht. Herët a vonë do të jetë e detyruar që të vendosë.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi