Kush po e vret te ardhmen njerzore kombetare..?
Faqja 1 e 1
Kush po e vret te ardhmen njerzore kombetare..?
Kush po e vret te ardhmen njerzore kombetare..?
Është një përpjekje e mundimshme të kërkosh të kuptosh se çfarë ka shkuar keq. Komplet struktura shoqërore e politike është dëmtuar deri në pikën ku duket sikur nuk ka kthim mbrapa. Sa më shumë që njerëzve u duket shumë e qartë se pse ka ndodhur kjo, dhe të tërë e drejtojnë gishtin te një njeri i vetëm që nuk do të zbresë nga kali, sa më e qartë duket pra, dhe mua bashkë me të tjerët, aq më i fortë është dyshimi që ndoshta, nuk është kaq e thjeshtë. Duhen bërë disa pyetje që mund të çojnë drejt kuptimit.
Ku e kemi humbur shtetin? Ku e kemi humbur shoqërinë? Pse i ngjamë më shumë kafshës së demokratizuar, sesa qytetarit të iluminuar? Në ç’moment vesi e mundi virtytin, e liga të mirën, dhe kodoshi të urtin, që pastaj rrëshqitëm deri këtu?
Pse serbët, kroatët, e deri maqedonasit janë më progresivë se ne, pavarësisht se kanë pasur luftëra civile, ndërsa ne bëmë luftë me veten?
Mos jemi të paqëndrueshëm? Mos na erren sytë sa shohim lek? Mos e kemi nga libido e tepërt? Pse e gënjejmë veten si popull i bukur? Mos jemi mesdhetarë dhe orientalë njëkohësisht, duke marrë më të këqijat e të dy popullatave? Mos na e ka fajin moti? Mos jemi të egjër për shkak të pushtimeve? Mos e ka fajin Zogu (Mos duhej ta shkruaja mbret Zogi?)?
Epo Enveri? Apo Nexhmija? Apo Nexhmijet e çdo kohe? Apo Nano? Pse ne jemi të vetmit që duhet të na dhunosh nënën që të të thërrasim babë? Apo mos na gënjeu ai që e risolli këtë filozofi pluraliste mes nesh? Pse jemi kaq indiferentë? Pse një përqindje kaq e lartë adhuron dhunuesin? Pse duam të shkojmë në Evropë, kur nuk kemi asnjë lidhje me ta? Pse afeksionohemi pas gjërave sipërfaqësore?
Pse hajdutët kanë status respekti? Pse ata që erdhën në pushtet duke na premtuar drita më 1990, janë prapë në pushtet më 2012, e prapë nuk kemi drita? Pse, në 2012 ka më shumë njerëz të gatshëm për të justifikuar pse pushteti nuk na sjell dot drita (jo moti, jo bora, jo niveli i ujërave, jo kriza botërore, jo kriza serbe) krahasuar me 1990? Pse jemi më pak të njerëzishëm sot se sa në agun e demokracisë? Pse agu u shndërrua kaq shpejt në muzg, pa u bërë kurrë ditë?
Të tëra këto pyetje, hedhin pak dritë mbi një pjesë të së vërtetës, por, duke e bërë më konfuze atë. Derisa një ditë, takova një djalë që më ndriçoi.
Siç vëren një aktor komik, kazinotë e bankat tek ne janë në të njëjtën ndërtesë. A thua se të dy palët bashkëpunojnë, njëra të jep paratë që të shkosh t’i lesh te tjetra. Për mos të të lodhur, dera e bankomatit është ngjitur ose një kat më lart se ajo e kazinosë. Në qoftë se nuk po gjen bankomat kërko për një kazino. Bankomatin do ta kesh mu ngjitur.
Po rrija një ditë në “Bllok” duke pritur të lirohej kabina e bankomatit. Për të mos e bezdisur me praninë fizike në kabinën e ngushtë, po prisja në radhë jashtë, në shi, që gruaja brenda të mbaronte e pastaj të hyja unë.
Nga kazinoja doli një djalë i ri, tek të 25-at. I veshur mirë, i pastër e i qethur normal, pa asnjë shenjë joqytetarie (e thënë ndryshe “katundarie”) në pamjen e jashtme. Ndoshta dhe me ndonjë shkollë të lartë në CV. Thuajse pa e parë praninë time në radhë, u fut brenda në kabinë, dhe duke i ndenjur ngjitur pas kurrizit gruas, pa e vënë re fare sikletin që po i shkaktonte, zuri radhën e bankomatit me të mbaruar ajo.
Jeta jonë e përditshme është plot me to, aq sa nuk i vëmë më re. Ti je në radhë, e dikush vjen e i bërtet shitëses t’i japë cigare, nga prapa teje, pa të thënë as “më fal pak”. Ti po ecën në trotuar dhe dikush të bie fort me bërryl, si të mos të të kish parë. Ti je me biçikletë, dhe dikush me makinë të pret rrugën duke të hedhur përdhe, pa ndaluar. Jo se është i lig, por, nuk të ka parë! Detaje të rëndomta. Si ai i djalit të bankomatit.
Por mua më duhet të ndalem te ky detaj, se besoj se ka diçka të rëndësishme për të na treguar. Ai djalë, si shumë të tjerë, lajmëron një nga sëmundjet më thelbësore të shoqërisë sonë. Mbase më të madhen. Nënën e të tëra sëmundjeve: vdekjen e njerëzillëkut.
Mund të duket gjë pa rëndësi, dhe ka turma të tëra që do donin të më bërtisnin: mjaft me këto, por shiko kush drejton qeverinë, etj, etj.
Por, më duhet tu them që këto janë pasojat. Fundi i shtetit e i shoqërisë, ka ardhur pasi vdiq njerëzillëku. D.m.th., kur shoqëria jonë dështoi të jetë së pari shoqëri njerëzore, e jo sh.p.k., hajdutësh, shoqëri ndërtuese e jo shoqëri që shkatërron, dhunon e rrjep.
Njerëzillëku, është një detaj i vockël i sjelljes shoqërore, por është si ajo njësia bazë që mban të ngjitur tërë ngrehinën.
Njerëzillëku – prapashtesa turqisht i jep vlerën reale, si një masë matëse shoqërore e vjetër e që na është përcjellë prej qindra vjetësh – po jep shpirt prej kohësh. Ktheni kokën vërdallë. Në çdo moment, tek kushdo, mund të vëreni detajet e vogla të njerëzillëkut që jep shpirt.
Një nënë që e di se e bija e ka fituar vendin e punës duke i bërë peshqeshe në natyrë njeriut me pozitë, dhe që e konsideron normale, madje, përfiton diçka dhe ajo; njerëz që nuk të thonë më mirëmëngjesi në ashensor, por të shohin shtrembër, madje dhe pështyjnë mu në dyshemenë e ashensorit ku ti po hyn e nga ku ata po dalin; gruaja e katit sipër që derdh mbeturinat mbi rrobat e tua që thahen në tel; unë që shoh një hajdut xhepash në autobus, e nuk flas; videoja e famshme, por që nuk provon se fakti ekziston, e ku blloku i famshëm, më shumë se korrupsion, është një bllok pa njerëzillëk në secilën nga pikat e tij; e vërteta e manipuluar në çdo medium e nga çdo gazetar që duhej të ndërgjegjja e së vërtetës vetë… Në çdo hap, në çdo bisedë, tek çdo njeri, përditë, unë shoh vdekjen e njerëzillëkut.
Dhe ja ku më del një pyetje tjetër, që i duhet bashkangjitur buqetës së pyetjeve më sipër: Në qoftë se ne nuk jemi më të njerëzishëm, n.q.s., kushdo rrotull nesh është objekt abuzimi e dhunimi, po pse rrimë atëherë bashkë?
Bashkësi njerëzore pa njerëzillëk
Këtu, na duhet të kthehemi përsëri te djali i bankomatit. Një djalë me llogari në bankë, me një ves të vogël kumari, me një pamje të pëlqyeshme, i veshur shumë mirë, besoj se edhe me njëfarë shkollimi, shumë femra do të ishin të lumtura ta ndanin botën e tij, është megjithatë një varr për njerëzillëkun. Është një djalë që s’di të thotë “më fal, mos je në radhë”.
Është një njeri që nuk e kupton ku është perimetri i privatësisë së dikujt, e i rri ngjitur gruas që tërheq para në bankomat. Është pra, një njeri që nuk sheh. Jo se nuk do. Unë nuk besoj se ai sillet qëllimisht ashtu, i panjerëzishëm. Ai, thjesht, nuk e ka njohur ndonjëherë njerëzillëkun. Besoj, jo për faj të tij. Ai është si historia e pushtimit të Botës së Re, që mua më pëlqen ta mendoj shpesh.
Indigjenët e Botës së Re
Thonë se kur anijet e Kortezit zbritën në Botën e Re, actekët nuk i panë. Actekët nuk ishin mësuar që nga deti mund të vinte diçka. Syri i tyre, mendja e tyre, nuk e perceptonin dot diçka sado të madhe, që vjen nga deti. Anijet ishin të mëdha, si asgjë që ata kishin parë në jetën e tyre, por, edhe kur ishin fare afër bregut, actekët nuk i vërejtën. Truri i tyre nuk arriti ta merrte kurrë mesazhin. Shqisat e tyre nuk e dërguan kurrë atë mesazh.
Siç e thashë, asgjë nuk vinte kurrë nga deti për ta. Ata, nuk ishin mësuar të prisnin me sytë andej. Sytë e tyre i shihnin, pa i perceptuar, si djali i bankomatit nuk më shihte mua në radhë.
Si truri i asaj gruas në shkallë që të sheh por nuk të thotë “mirëmëngjes”, apo turi i atij pushtetarit që nuk e kupton pse duhet të ketë njerëzillëk në listën e korrupsionit ditor, kur në atë listë preken jetë njerëzish të tjerë.
Djali bankomatit, nuk e ka ditur kurrë njerëzillëkun. Ai, nuk është mësuar të presë gjë nga ajo fushë, si actekët. Ai, nuk pret që po të ndërronim vendet, unë t’i thosha: “më fal, mos po pret në radhë?”. Ai nuk pret që dikush ta dojë për atë që është, një njeri në këtë bashkësi njerëzore. Ai nuk pret që dikush në këtë vend ta ndihmojë kot, pa marrë shpërblim konkret mbrapsht. Ai nuk pret një ‘mirëmëngjes’ përveçse nga dikush që po kërkon t’i serviloset. Atëherë, pse duhet t’ia thotë vetë dikujt?
Ai nuk pret njerëzillëk nga kush, as për vete, e as për fëmijët e tij. Në luftën e përditshme për të mbijetuar në këtë vend, ai nuk rri kurrë me sytë nga ai ‘det’ për të pritur diçka.
Kush po e vret te ardhmen njerzore..?
Djali i bankomatit është pjesë e një sistemi ku fajtorët janë të shumtë. Sistemi arsimor promovon të kundërtën e njerëzillëkut; prindërit nuk ia mësojnë, sepse kanë 20 vjet që nuk e përdorin; vlerat që promovon shoqëria jonë TV-dominuese nuk kanë të bëjnë me njerëzillëkun, por me boshllëkun e tij; njerëzit që sheh e admiron në TV janë kampionë arrogance e anti-njerëzillëku. Çfarë ka njerëzore në “duhet tia dhunosh nënën që të të thotë babë”? E pra, kjo është formula e Botës sonë të Re. Këta janë indigjenët e pafaj.
Unë e urrej Kortezin për mënyrën sesi ua “mësoi” indigjenëve se gjithçka që u duhet, është vetëm ajo që vjen nga deti. Por, tani që sistemi i pa-njerëzillëkut është çimentosur, unë shoh përherë e më pak misionarë në aktivitet.
Madje edhe ata pak misionarë që shoh në qarkullim nuk më duket se kanë edhe vetë besimin e duhur, për të konvertuar në njerëzillëk djemtë e bankomatëve, fëmijët e tyre, prindërit e tyre, mësuesit e tyre, liderët e tyre, deputetët e tyre, shefat e tyre, idhujt e tyre.
Actekët po i konvertojnë misionarët, në vend që të ishte e kundërta. Te kjo fjali jeni të lirë të vendosni pikëpyetje në fund, sipas dëshirës.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi