Pashallarët e rinj te Shqiperise
Faqja 1 e 1
Pashallarët e rinj te Shqiperise
Pashallarët e rinj te Shqiperise
[You must be registered and logged in to see this link.]
Pashallarët e rinj e duan shtetin për vete, zyrën për vete, ligjin për vete, median për vete, biznesin për vete, pronën publike për vete, – ata nuk pranojnë kontroll, nuk mbajnë përgjegjësi; bëhen arrogantë sa herë u cenohet pushteti, përdorin çdo mjet për pushtet e sundim
Më 1991, kur Shqipëria hodhi hapin e parë drejt një sistemi politik pluralist dhe demokratik, disidenti i njohur antikomunist Arshi Pipa do të ishte skeptik ndaj klasës së re politike, duke shkruar se Shqipëria nuk ka ndryshuar, ajo vetëm po krijon pashallarët e rinj. Të mësuar në 4-5 shekuj nën një stil personal drejtimi, një organizim shoqëror të bazuar në nënshtrimin dhe bindjen, në sundimin e një pakice individësh mbi shumicën si dhe me sjellje politike e shtetërore orientale, ku më i forti bëhet më i pasuri para se të bëhet më i pushtetshmi.
Tipare të tilla u shfaqën dukshëm në vitet 20’-‘30 në Shqipëri dhe u kthyen në sistem gjatë sundimit personal të Hoxhës dhe Byrosë Politike. Vendosja e sistemit të ri më 1990 nuk mund ta ndryshonte tërësisht traditën, modelin dhe mentalitetin; ai vetëm sa krijoi hapësirë e shanse për ndryshimin e tyre.
Sot pas 20 vitesh, Shqipëria është e ndarë në pashallarë blu dhe pashallarë të kuq, dy individë që sundojnë me rotacion shtetin e qytetarët, dy modele orientale që mbahen në këmbë me tabore servilësh, shërbëtorësh dhe një sistem të pacënuar rryshfetesh personale. Një vend që ëndërron BE-në dhe sillet si në Lindjen e Mesme, një vend që flet për demokracinë dhe refuzon çdo normë e vlerë të saj, një vend që standardin e jetesës e mat me pasurinë individuale të atyre që qeverisin, një vend ku mungon drejtësia, sundojnë në shumicë të paaftit, ku vlerat morale e qytetare janë zëvendësuar nga kultet dhe mitet e sundimeve personale, ku derdhen energji pafund për denigrimin e Tjetrit, ku kanë humbur kuptimin dhe vlerën fjala, vota, mendimi, oponenca, institucionet apo qytetaria.
Kushdo që sot në Shqipëri është kritik me titullarin e qeverisë, qoftë President apo qytetar, diplomat i huaj apo gazetar, konsiderohet zyrtarisht tradhëtar apo armik; kushdo që kritikon liderin e opozitës shihet si shërbëtor i regjimit.
Pashallarët e rinj e duan shtetin për vete, zyrën për vete, ligjin për vete, median për vete, biznesin për vete, pronën publike për vete, – ata nuk pranojnë kontroll, nuk mbajnë përgjegjësi; bëhen arrogantë sa herë u cenohet pushteti, përdorin çdo mjet për pushtet e sundim; nuk kanë miq të përhershëm por aleatë të përkohshëm; nuk njohin sensin e masës dhe as mirënjohjen; jetojnë në një botë ireale dhe për gjithçka që nuk shkon, fajin e përgjegjësinë e gjejnë jashtë vetes; retorika e tyre është konfliktuale, përjashtuese, denigruese dhe kur ngopen me pushtet, pasuri e luks, rendin pas përpjekjeve për të krijuar kulte dhe për të imponuar shkrimin personal të historisë.
Të gjitha këto tipare arkaike, të huaja për një vend që pretendon të jetë pjesë e familjes europiane, të papranueshme për një shtet në NATO dhe nesër në BE, u rishfaqën për të shumtën herë edhe në dy ditët e fundit. BE refuzoi Shqipërinë dhe i dha ftesën e anëtarësimit Serbisë, një vend shkaktar të katër luftërave në rajon gjatë dy dekadave të fundit. BE tha se Shqipëria prodhon vetëm sherr e zhurmë, nuk ka progres dhe as demokraci funksionale, ndërkohë që palët politike këtu e në Bruksel, hynë në garë për të fajësuar njëra-tjetrën për dështimin e radhës. Në mediat e Tiranës u shfaqën disa nga zyrtarët më të lartë të shtetit me një gjuhë urrejtje e denigrimi ndaj kujtdo që kritikon apo mendon ndryshe, qofshin ato institucione, parti apo individë.
Në ditën e Kuvendit të Lezhës, shteti u përul përpara egos personale të titullarit të qeverisë duke përjashtuar nga festa kreun e shtetit të Shqipërisë dhe për pasojë të këtij vendimi, edhe kreun e shtetit të Kosovës, si dhe këdo që nuk bën pjesë në oborrin e tij politik në Shqipëri. Diplomatët perëndimorë në Tiranë e bojkotuan ceremoninë partiake dhe kështu, dita e 568-vjetorit të Besëlidhjes Shqiptare u shndërrua në ditën e përçarjes më të re për shkak të pashallarëve të rinj të Shqipërisë. Ata që betohen në flamur dhe veprën e Skënderbeut e fyen atë pikërisht në qytetin simbol dhe para varrit të tij!
Ky bilanc sjellje e mentaliteti parademokratik i jep të drejtë paralajmërimit të Arshi Pipës 21 vjet më parë, por më tepër se kaq, tregon edhe një herë distancën ende të madhe midis modelit tonë politik, modelit tonë shtetëror dhe modelit tonë qytetar me modelin shtetëror, politik e qytetar që bashkon familjen e madhe europiane ku shqiptarët duan të integrohen, dhe për ku politikanët u kanë zënë rrugën, duke i penguar, duke i mbajtur në izolim e sundim autoritarist me rotacion. Çdo fjalim solemn në Shqipëri mbyllet me fjalët se këtë vend e ka bekuar Zoti! Mund të ketë të drejtë, vetëm se ende nuk e qartë nëse është Zoti që në vendin tonë ateist është bërë i Zoti!
Nga AFRIM KRASNIQI
piperka- Moderator
- Numri i postimeve : 25
Points : 56
Reputation : 2
Join date : 10/02/2012
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi