Këta s’të lënë as të vdesësh...Nga Ardian Klosi
2 posters
Faqja 1 e 1
Këta s’të lënë as të vdesësh...Nga Ardian Klosi
Vetëvaret Ardian Klosi, mesazhi i fundit për gruan: Nuk mundem më!
Publicisti i njohur Ardian Klosi i ka dhënë dje fund jetës në moshën 55-vjeçare, duke u vetëvarur. Në orët e vona të natës Klosi është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij.
Pavarësisht ndihmës së parë që i është dhënë nga bashkëshortja e tij gjermane, Jutta Benzenberg, ai nuk ka dhënë më shenja jete dhe për këtë arsye ajo ka lajmëruar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit nr.1, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.Ndërsa trupi i pajetë i Ardian Klosit u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do kryhet autopsia.
Policia tha se ka pyetur paraprakisht bashkëshorten e Klosit, me të cilën ai ka edhe dy vajza 18 dhe 16-vjeçare, e cila ka deklaruar se i shoqi i kishte lënë një mesazh në celular para se të merrte vendimin fatal. Siç mësohet nga burime të policisë , teksti i mesazhit është ende i pazbardhur.
Rreth katër muaj më parë, në janar të këtij viti Ardian Klosi, tentoi vetëvrasjen me një grusht ilaçesh qetësuese. Në këtë kohë ai u shtrua në spitalin Neurologjik dhe pas masave paraprake të marra nga mjekët, ai u shtrua në Psikiatrik, pasi gjendja e tij ishte ende e pastabilizuar.
BalkanWeb..
Këta s’të lënë as të vdesësh...
Nga Ardian Klosi
Pa u shtyrë më tej në shembuj të tjerë të kësaj qelbësirëhaneje, pyesim kush nga ne ka të drejtë të shpjegojë publikisht shkaqet e një vetëvrasjeje.
Vdekja tragjike e Llazi Serbos para disa ditësh solli me vete një numër shkrimesh në gazeta të ndryshme. Midis tyre u diskutua edhe mënyra se si ai u nda nga jeta, i vetëvrarë me çiften e tij të gjahut. Me shumë hollësi, me shtjellime dhe hamendje makabre merrej në mënyrë të veçantë gazeta MAPO e datës 17 shtator.
Për një çast të dukej sikur, përveçse me ndarjen nga jeta të dy aktorëve – Bekim Fehmiu vrau veten në mënyrë të ngjashme në muajin qershor – shtypi ynë po merrejedhe me problemin e vetëvrasjes, duke hapur si të thuash një debat publik.
Sa është ajo e pranueshme për opinionin shoqëror, a do të fillojë të diskutohet edhe te ne eutanazia? etj. Një iluzion i shkurtër sepse debatet për vetëvrasjen e artistëve, të themi në moshë, nuk ishin aspak të tillë dhe duket që edhe për të ndjerin Llazi Serbo, ato ishin fishekzjarre të shtypit tonë, siç janë për çdo temë tjetër të bujshme që një javë më pas harrohet.
Në opinionin tonë publik nuk do të ketë, me sa duket edhe për një kohë të gjatë, as debat për vetëvrasjet në përgjithësi, megjithë numrin e tyre tmerrues në rritje, as për eutanazinë në veçanti. Na kujtohet për fat të keq konstatimi i shkrimtarit të shquar austriak Jozef Rot që vizitoi vendin tonë më 1927, kur shkruan "në Shqipëri nuk lejohet opinioni publik, por edhe po të lejohej, ai nuk do të ekzistonte”.
Sot jemi në një gjendje të ngjashme: opinion i vërtetë publik krijohet vetëm në raste ngjarjesh shumë të rënda (vjedhje votash, importim plehrash nga fqinjët, shpërthime në Gërdec), por jo si debat i vazhduar e real që bartet përmes mediave. Ndodh përkundrazi që mediat prodhojnë llafe, shpikin debate dhe e shuajnë debatin publik sapo që flaka e tij duket se mund të mbajë, për t’u kthyer te tema e tyre më e dashur, surretërit e politikanëve.
Nuk do të shkruanim për vetëvrasjen e të ndjerit Llazi Serbo sikur tymi që hidhte fishekzjarri i MAPO-s pardje të mos kishte qenë aq i zi. Aty jepeshin disa supozime se cilat mund të kishin qenë motivet e vetëvrasjes së aktorit. Për t’ia lehtësuar të kuptuarit lexuesit, po i thjeshtoj ato të renditura:
1. i ndjeri deshi të imitonte Bekim Fehmiun. (Misterioze do të mbetet si dhe pse aktori ynë që gjithë jetën luajti role plehu pretendoi vdekje gjeniu?… krijon… një përvojë apo trendy të ri, të paparë e të padëgjuar deri më sot, atë të vjedhjes së vdekjes së tjetrit);
2. i ndjeri ka dashur t’u japë një shembull aktorëve të mëdhenj. (Një variant tjetër që ma tha njëri dje është ky: Aktori ynë vajti me shpresën e marrë që kur aktorët e moshuar të Hollivudit t’i afroheshin fundit, të imitonin atë që luajti filma me partizanë te Shqipëria e Re, domethënë të vrisnin veten me çifte si ai.);
3. me vetëvrasjen e tij ai ka dashur të kërkojë ndjesë për rolet që ka luajtur në filmat komunistë. (Të ketë qenë vallë gjesti me çifte gjahu i aktorit tonë një pendesë e vonuar, si të thuash, një ndjesë për rolet e lëtyrta, shpresë që pas një jete provizore të zezë të gëzonte një vdekje të pafundme të bardhë?).
Pa u shtyrë më tej në shembuj të tjerë të kësaj qelbësirëhaneje, pyesim kush nga ne ka të drejtë të shpjegojë publikisht shkaqet e një vetëvrasjeje, pa qenë njeri i afërt i të ndjerit, pa qenë psikiatër ose prift tek i cili i ndjeri mund të jetë rrëfyer? (por edhe këta kanë detyrimin e heshtjes) Askush, e shumta nëse i vetëvrari ka qenë një figurë me rëndësi të veçantë publike.
Kështu ka ndodhur për shembull me Mehmet Shehun, vetëvrasja e tij është diskutuar gjatë, sepse ajo që ndodhi më 18 dhjetor 1981 kishte rëndësi të veçantë jo vetëm e thjesht për të afërmit e tij, por për qindra mijëra të tjerë, në njëfarë mënyre për gjithë kombin në atë kohë. Dhe shpjegimin më të mirë e më të hollësishëm e ka bërë te „Vjeshta e ankthit” i biri, Bashkimi, një fat për ne që e ka shkruar me aq sinqeritet dhe aftësi.
Po individi, i tërhequr prej kohësh në jetën e tij private, pse duhet përfolur në shtyp për motivet e vetëvrasjes së tij nga një që nuk është as i afërm, as psikiatër, as prift, madje, po të mendojmë se shkrimtarit i lejohet të futet aty ku nuk hyn dot asnjeri tjetër, nuk është as shkrimtar (se shkrimtari dallohet në radhë të parë për do principe morale)? Në rastin konkret çfarë i ka bërë ai opinionit tonë mediatik (jo publik), konkretisht gazetës MAPO? Asgjë, absolutisht asgjë.
Llazi Serbo vuante pleqërinë e tij të parakohshme i humbur diku në Korçë, shumë pak vetë e dinin që vuante nga depresionet. Dhe pastaj një shkrepje e armës thellë në vetminë e shtëpisë dykatëshe dhe gazetat që pëlcasin si fishekzjarrë të lidhur në seri. pam-pam-pam, disa me shkrime pozitive, panegjirike, të tjerat me fëlliqësi.
Po te shkrimi në fjalë mësojmë se Bekim Fehmiu e paska vrarë veten sepse nuk duronte më pelenat (ishte katandisur aq keq me shëndet sa kishte probleme me pelenat të cilat nuk mund të duronte t’ia ndërronin të tjerët, ose shkurt, për arsye të asaj që populli ynë e quan “dhjerje nën të). (!!) Mund të ketë qenë fare e vërtetë, por ç’na intereson? Bekim Fehmiun ne do ta mbajmë mend përgjithmonë për rolet e tij të mrekullueshme.
Ndoshta edhe pse vrau veten ngaqë jeta iu bë e padurueshme. Por ka shumë rëndësi nga se iu bë e padurueshme? Tumor mund të ketë patur, Alcheimer mund të ketë patur, insuficiencë kardiake ose ishemi cerebrale, por mund të mos ketë patur fare sëmundje, ndoshta ia kanë bërë jetën të padurueshme gazetarët e poshtër, po të supozojmë që ka edhe në Serbi si në Shqipëri.
Me këtë rast MAPO bën edhe një shpifje publike, sikur Llazi Serbo ta paskesh lënë me shkrim që vdes pse dua të ec nën shembullin e Bekim Fehmiut (“të bën përshtypje një gjë: Shënimi i lënë nga aktori lidhur me ngjashmërinë e lakmuar të vdekjes së tij me tjetrën vdekje të paradokohëve, atë të Bekim Fehmiut”). Nuk është aspak e vërtetë që i ndjeri të ketë lënë një shënim të tillë, kjo s’përmbahet nga asnjë prej kronikave policore që u botuan.
Vetëm një mik i tij, piktori Thoma Angjeli, në një intervistë të botuar te “Gazeta Shqiptare” kujton: “Duke qeshur, më dha të kuptoja se ai do t’i jepte fund jetës, ashtu si Bekim Fehmiu, me vetëvrasje.” Nuk mjafton kaq për të përhapur gënjeshtrën sikur ai e paska lënë me shkrim, për ta poshtëruar aktorin si të thuash edhe në vdekje: mirë që në jetë deshe t’i ngjaje Klint Istvudit (MAPO), por edhe në vdekje deshe t’i ngjaje Bekim Fehmiut.
Dështak! Shumë shpesh ngatërrojmë profesionin me jetën, profesionin me vdekjen. Fakti që dikush ka qenë aktor, që ia kemi parë fytyrën kushedisa herë nëpër ekrane, nuk na jep asnjë të drejtë morale të diskutojmë për vdekjen e tij e për gjëra kaq intime sikurse motivet e vetëvrasjes.
Askush nuk e bëri këtë me Sandër Prosin bie fjala. Pse, ngaqë ishte aktor më i shquar se Llazi Serbo? Jo, s’është e vërtetë, thjesht pse Sandër Prosi i shkretë u nda nga jeta, kur kokat e njerëzve këtu, sidomos të atyre që botojnë, nuk ishin çakërgjosur ende kaq keq sa sot.
Mëtimi se mund të shkruake për motivet e vetëvrasjes së një njeriu me profesionin aktor, që nuk e njeh, është diçka e ngjashme sikur na ndodh që përshëndesim pa dashur një aktor që na shfaqet në bulevard, megjithëse s’jemi takuar me të ndonjëherë. Pastaj skuqemi pak, sepse kujtohemi që nuk njihemi personalisht.
Po këta shkarrashkrues skuqen ndopak pasi kanë hedhur gjithë atë bojë elektronike mbi vetëvrasjen e tjetrit? Nuk ka skuqje që t’i mbajë ato fjalë, jo, e shumta një zverdhje si e meitit pas të këtillave: “Ai nuk qëlloi ndonjë shtazë tjetër, por veten e vet. Për këtë meriton një falënderim, dhe një: Ndjes’ pastë.” (fundi i shkrimit).
Po thirren në ndihmë edhe Bibla dhe Kurani sepse këto e dënuakan vetëvrasjen. Është e vërtetë që kisha për shekuj të tërë e ka dënuar vetëvrasjen, që vetëvrasësve nuk u jepej vend në varrezat e shenjta deri në fillim të shekullit 20. Por kisha mallkonte edhe divorcin, abortin e detyruar etj. etj., madje në shekuj të mëparshëm mallkonte dhe digjte në turrën e druve ata që thonin se Toka rrotullohet. Sot jo më, edhe ata që vetëvriten gëzojnë një varrim si gjithë të tjerët.
Ja që edhe Bibla dhe Kurani ecin bashkë me kohën. Është si ligj i pashkruar që për të sapovdekurin nuk flitet keq. Unë nuk jam as për idilizimin e të sapovdekurit, sepse them që duhet pritur njëfarë kohe, pasi atëherë dalin me të vërtetë vlerat e të ikurit. Sidomos kur vdekja ka qenë e dhunshme, sikurse në rastin e vetëvrasjes, të gjithë heshtin. Është një ligj mbarënjerëzor që populli ynë e shpreh ndër të tjera me fjalën: në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Pra as arma nuk do duhej përmendur në këtë rast, pale të përflitej aq keqas i ikuri.
Motivi i gjithë asaj përbuzjeje dhe shfrimi mbi të ndjerin Llazi Serbo është se, sipas autorit, njerëzit e autorit janë persekutuar, janë vrarë rrëzë kanaleve, janë burgosur dhe internuar pikërisht nga njerëzit të cilët i shfaqte si modele Llazi Serbo në filmat e tij: oficerë, sigurimsa etj. Them sipas autorit, sepse në të vërtetë nuk duket të jetë kështu, e para sepse po ta kishte patur vërtet gjithë këtë mllef mbi të ndjerin aktor për këtë arsye, ai do t’ia kishte thënë publikisht qysh në gjallje dhe s’do kishte pritur vetëvrasjen e tij.
E dyta, ka peshq shumë më të mëdhenj në këtë fushë, dua të them në fushën e artit dhe të letrave, që kanë ngritur kultin e Enver Hoxhës dhe nderohen sot e gjithë ditën jo më vetëm nga autori i shkrimit por nga gjithë kori i bashkuar i mediave tona. Arsyeja e vërtetë është thjesht pse autori do të bëjë zhurmë, të duket edhe ai, ta japë edhe ai pëlcin e tij pas pëlcitjes së një arme të vërtetë. Sikurse do të bëjë zhurmë edhe organi që e boton – meqë ra fjala për pelena, organ ende në pelena – pa asnjë parim etike dhe njerëzillëku.
(Botuar tek "SHEKULLI" shtator 2010)
Re: Këta s’të lënë as të vdesësh...Nga Ardian Klosi
sa kot paska qene
gjinkalla- Numri i postimeve : 18
Points : 23
Reputation : 0
Join date : 22/04/2012
Re: Këta s’të lënë as të vdesësh...Nga Ardian Klosi
Une do te shprehja ngushellimet e mia per familjen e Ardian Klosit, desha te shtoj dhe dicka ne lidhje me temen, kur njeriu fillon dhe e kupton "jeten" ndoshta edhe "i detyruar nga kushtet" atehere fillon dhe e qarteson grine qe e rrethon, megjithate me duhet te shtoj me pak fjale nje sekuence ndoshta te pavene re ne nje prej telenolave qe po shfaqen ketu te ne Ezel, Ramizi njeri nga personazhet kryesore i cili flet me gjuhen e Hygoit, Shekspirit dhe Gibranit i jep nje amanet Ezelit ne momentin kur i jep nje unaze me helm i thote- per asnje lloj veshtiresie apo vuajtjeje sado te madhe qe do te ndeshesh ne jete nuk duhet ta vendosesh unazen, vetem kur te gjesh nje qellim per nje fillim te ri atehere mundesh ta vesh...!!! Mua mu duk shume domethenese.
Vizitor- Vizitor
Similar topics
» Zhdukje misterioze pa lënë gjurmë të femrave në një autostradë
» Këta janë si ne, por kanë supershqisa
» Këta ishin incidentet më të frikshëm të luftës së ftohtë
» SERVET PËLLUMBI - ÇFARË FSHEHËN KËTA TË TRE? JA DOKUMENTI AUTENTIK I KATOVICËS
» Këta janë tingujt që lëshon kometa ku zbriti “Rosetta” (Video)
» Këta janë si ne, por kanë supershqisa
» Këta ishin incidentet më të frikshëm të luftës së ftohtë
» SERVET PËLLUMBI - ÇFARË FSHEHËN KËTA TË TRE? JA DOKUMENTI AUTENTIK I KATOVICËS
» Këta janë tingujt që lëshon kometa ku zbriti “Rosetta” (Video)
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi