Kontekstet mbi ekzistencën e terrorizmit islamik
Faqja 1 e 1
Kontekstet mbi ekzistencën e terrorizmit islamik
Kontekstet mbi ekzistencën e terrorizmit islamik
A ekziston terrorizmi islamik? A janë të bazuara lëvizjet e ndryshme terroriste në ideologjinë fetare islamike? A është feja islame, një fe e dhunës dhe e terrorit? Këto dhe pyetje të ngjashme kishin filluar të parashtroheshin që nga koha kur grupi i studentëve militantë iranianë kishte sulmuar dhe 14 muaj e mbajti të pushtuar ambasadën amerikane në Teheran. Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të ndryshme dhe varen kryesisht nga orientimi ideologjik i autorëve.
Në këtë kontekst, politikanët dhe intelektualët e ndryshëm myslimanë e kanë parashtruar edhe idenë e një diskutimi të përbashkët lidhur me raportin e fesë islame me terrorizmin. Sipas tyre, konstatimi i njëanshëm i ekzistimit të terrorizmit islamik, ashtu si praktikohet nga disa ideologë perëndimorë, për botën islame është jo vetëm i papranuar, por edhe i tepruar, tendencioz dhe fyes. Nga ana tjetër, autorët e ndryshëm perëndimorë e sidomos ata izraelitë, me shkrimet dhe diskutimet e tyre të shumta, janë përpjekur ta „argumentojnë” lidhjen e terrorizmit me kulturën dhe fenë islame.
Në këtë drejtim ata duke ofruar edhe shembuj të ndryshëm praktikë, kanë konstatuar se çdo politikë e bazuar në ideologjinë fetare islamike detyrimisht do të rezultojë me dhunë fizike dhe terror. Këtu nuk dëshiroj të polemizoj me asnjërin nga këto qëndrime të polarizuara, por si përgjigje ndaj tyre ofroj një „shkrim të shenjtë”, të profetit më të madh islam të shekullit XX, Ajatollah Ruhollah Homeini. Ky shkrim i titulluar „Feja islame nuk është religjion për pacifistë”, ishte botuar në revistën “Kaschf al – Asrar” (Çelësi i Fshehtësirave) në vitin 1942 në Qom dhe ishte ribotuar më 1980 dhe më 1983 në Teheran [Amir Tacheri, Morden für Allah, Terrorismus im Auftrag der Mullahs, Aus dem Englischen von Agnes Beck, München 1993, f. 329 - 331].
Si në shkencën, ashtu edhe në praktikën bashkëkohore kriminalistike mbretëron bindja se disa grupe dhe organizata terroriste janë të bazuara në ideologjinë fetare islamike dhe veprojnë në emër të dogmave fetare të saja. Kjo mund të argumentohet edhe me faktin se mekanizmat e tillë terroristë, jo vetëm themelimin, por edhe arsyetimin e veprave të tyre kriminale, e bëjnë kryesisht duke interpretuar mësimët e ndryshme të Kuranit.
Me gjithë argumentet e ofruara, këto „bindje perëndimore”, refuzohen kategorisht nga politikanët dhe shkencëtarët e botës islame. Në këtë kontekst, ata parashtrojnë edhe pyetjen: „Përse atëherë në botën perëndimore nuk përdoret nocioni „terrorizëm katolik“ kur është fjala për „Armatën Republikane Irlandeze“ ose për disa organizata të tjera terroriste, që veprojnë në Amerikën Latine, të cilat kanë anëtarësi të pastër katolike dhe vrasin eskluzivisht qytetarë të përkatësive të tjera fetare?!
Këtu përgjigjja është e qartë: jo vetëm Armata Republikane Irlandeze ose Shtegu i Ndriçuar në Peru, por asnjë organizatë tjetër terroriste, me anëtarësi të pastër katolike, nuk vepron në emër të katolicizmit! Ato janë organizata terroriste, të cilat veprojnë në bazë të ideologjive të ndryshme politike, e jo fetare të cilat e zbatojnë dhunën terroriste si mjet strategjik për arritjen e qëllimeve të caktuara politike ose nacionale! Në këtë drejtim qëllimi i Armatës Republikane Irlandeze, ishte ribashkimi i Irlandës, ndërsa ai i Shtegut të Ndriçuar, është ndërrimi i sistemit shtetëror kapitalist në Peru, në një sistem socialist. Me gjithë këto qëllime, organizatat e ndryshme terroriste islamike si, p.sh., Xhihadi Islamik (Përpjekja islamike), Hezb - Allah (Partia e Allahut), HAMAS (Lëvizja e kryengritjes islamike), etj., i rekrutojnë anëtarët e tyre jo në emër të çështjes së tyre nacionale, por në emër të fesë islame.
Udhëheqësit e këtyre organizatave terroriste janë kryesisht edhe udhëheqës fetarë, të cilët duke e akuzuar dhe fajësuar botën perëndimore për çdo gjë të keqe që ekziston në botën islame, e propagandojnë edhe qëllimin e tyre të fundit „përhapjen e fesë islame në tërë botën, në rast nevoje edhe me luftë”! Si lëvizje, organizata ose grupe terroriste islamike nuk duhet kuptuar të gjitha lëvizjet, organizatat ose grupet terroriste me anëtarësi të pastër myslimane, por vetëm ato që janë të organizuara dhe që veprojnë në emër të „interpretimeve të ndryshme të mësimeve të Islamit”.
Të gjithë këta subjekt terrorist islamikë, duhen dalluar qartë nga organizatat, grupet dhe lëvizjet e ndryshme militante që veprojnë edhe në vetë botën islame. Kriteri themelor për dallimin e tyre është qëllimi politik. Në bazë të këtij qëllimi mund të themi se Partia Komuniste e Kurdistanit, me gjithë faktin se ka një anëtarësi relativisht të pastër islame, nuk konsiderohet si organizatë islamike, por si lëvizje nacionale, e cila është e organizuar dhe vepron në bazë të ideologjisë komuniste me qëllim të çlirimit dhe themelimit të shtetit të pavarur të Kurdistanit.
I njëjti parim vlen edhe për Organizatën për Çlirimin e Palestinës. Askush në botën perëndimore, madje as Izraeli zyrtar, asnjëherë deri tani nuk e ka trajtuar Organizatën për Çlirimin e Palestinës si organizatë islamike, jo nga fakti se shumë udhëheqës të saj, respektivisht shumë udhëheqës eminentë të organizatave dhe grupeve të ndryshme terroriste që veprojnë në kuadër të saj (si, p.sh., Dr. Georg Habash, kryetar i Frontit Popullor Palestinez, Gjeneral Dr.Vadi Hadad, kryetar i Komandos Direkte të Frontit Popullor Palestinez, Fuad Shemaili themelues i Shtatorit të Zi, etj.) ishin të krishterë, por nga fakti se qëllimi politik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, kishte të bënte me zgjidhjen e çështjes kombëtare arabe, përkatësisht asaj palestineze.
Rrënjët e terrorizmit islamik
Me qëllim që të kuptohet më mirë rreziku që paraqet terrorizmi islamik për botën joislamike dhe rendin juridik ndërkombëtar, së pari duhen sqaruar rrënjët historike të urrejtjes ekstremiste islamike ndaj botës perëndimore. Shumë pak qytetarë të Evropës janë të informuar lidhur me ngjarjet vendimtare që kanë ndikuar në tensionimin e përhershëm të raporteve në mes botës islame dhe asaj perëndimore. Në vitin 630, profeti Muhamet përmes propagandimit të një besimi luftarak, kishte arritur t’i bashkonte fiset e ndryshme arabe në një popull, i cili me fjalën e Allahut do ta vendoste pushtetin e vet islamik në tërë botën.
Në bazë të një propagande të tillë, profeti Muhamet dhe pasardhësit e tij, vetëm brenda një shekulli kishin arritur t’i bënin arabët e islamizuar sundues të një perandorie të madhe, e cila shtrihej në tërë territorin e Lindjes së Afërt, Persi, Indi, Afrikën Veriore dhe në Azinë Jugore. Më vonë ishte pushtuar edhe Italia Jugore dhe Spanja, nga kishte filluar edhe marshimi nëpërmes Pirinejeve në drejtim të Francës.
Sikur në vitin 732, afër Poitiers, e cila gjendet vetëm 200 kilometra larg Parisit, të mos kishte arritur Karl Martell t’i shpartallonte forcat arabe, tani me siguri që e tërë Evropa do të ishte një kontinent mysliman. Kjo ngjarje historike e harruar në Evropë, është pjesë elementare e kulturës myslimane, e cila asnjëherë deri tani nuk është shlyer nga kujtesa. Pas kësaj disfate, në kulturën ekstremiste islamike është evidentuar edhe viti 905 si vit i luftës për mbrojtjen e „tokave myslimane“, në mesin e të tjerave edhe Izraelit, Spanjës dhe Italisë Jugore (të pushtuara më parë), nga sulmet e forcave të krishtera.
Në këtë kohë te rrezikut permanent dhe disfatave të shumta arabe, bota islamike kishte qenë në kërkim të gjetjes së një udhëheqësi të ri, të një Kalifi të aftë, i cili do të ishte në gjendje t’i korrigjonte gabimet historike ndaj botës islame dhe kësaj t’i jepte një forcë të re me të cilën do të riktheheshin tokat e humbura dhe do të pushtohej Evropa. Kështu, që nga ajo kohë e deri më tani, ideologjia radikale islamike në të gjitha periudhat e ngritjeve të shteteve të ndryshme myslimane, e kishte aktualizuar ëndrrën për pushtimin e Evropës.
Në bazë të një ëndrre të tillë, në vitin 1638 në drejtim të Evropës kishin marshuar edhe forcat turke. Në kulturën ekstremiste të qarqeve të ndryshme islamike, kjo ngjarje është shënuar si depërtim i dytë i forcave myslimane në Evropë. Shkatërrimi i Perandorisë Osmane, që kishte filluar paralelisht me ngritjen e fuqive të ndryshme evropiane, për kulturën ekstremiste islamike ishte shumë i mundimshëm.
Në vitin 1798, Napoleoni pa ndonjë vështirësi usharake kishte arritur pushtimin e tërë Egjiptit. Në vitin 1830, Algjeria ishte shndërruar në koloni të Francës, ndërsa Anglia i kishte vendosur nën kontroll të gjitha ujërat detare në Lindje të Afërt dhe bregdetin arab. Kështu, vetëm brenda disa dekadave, shtetet e krishtera, si Italia, Franca dhe Britania e Madhe, kishin arritur pushtimin dhe ndarjen e tërë rajonit të Gjirit Persik dhe Afrikës Veriore.
Në këtë mënyrë ishin pushtuar dhe ndarë edhe shumë pjesë të Perandorisë Osmane. Të gjitha këto territore të okupuara arabe, përkatësisht myslimane, ishin vendosur nën administrimin e shteteve të ndryshme evropiane, me ndihmën e udhëheqëve të ndryshëm lokalë myslimanë, të cilët që nga ajo kohë kishin filluar të shpërblehen me tituj tradicionalë evropianë, si „mbretër“ ose „princa“. Këta udhëheqës të rinj myslimanë, falë statusit të tyre të privilegjuar shumë shpejt kishin arritur të pasurohen.
Sidomos pas zbulimit të naftës, pasuria e tyre kishte arritur përmasa përrallore. Edhe më vonë, kur ishin krijuar mundësi të tjera të vendosjes, kjo klasë e pasur dhe sunduese myslimane, kishte vazhduar bashkëpunimin e vet me botën perëndimore. Në këtë mënyrë vazhdimisht ishin krijuar forma dhe mundësi të reja për vazhdimin e influencës së gjithanshme të botës perëndimore mbi atë islame. Shtetët e banuara me popullësi myslimale.
Karakteristikat themelore të terrorizmit islamik
Terrorizmi islamik mund të dallohet nga të gjitha format e tjera të veprimit terrorist, kryesisht në bazë të tri elementeve specifike ideologjike: - Terrorizmi islamik kategorikisht i refuzon të gjitha ideologjitë e tjera bashkëkohore. Ai, si i tillë, vehten e konsideron të pashembullt dhe krejtësisht të veçantë nga të tjerët, të cilit nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç arritjes së qëllimit të vet ose „vdekjës me shpatë në dorë” .
Qëllimi themelor i terrorizmit islamik është rilindja islamike, e cila duhet të sjellë jo vetëm lirimin e të gjitha territoreve myslimane nga ndikimet perëndimore, por edhe pushtimin e tërë ruzullit tokësor nga besimtarët e vërtetë të Muhametit. Për realizimin e këtij qëllimi hyjnor, nuk duhët zgjedur mjetët. Në të vërtetë, terrorizmi këtu e ka kuptimin e mjetit të përshtatshëm praktik, me të cilin vihet në lëvizje fondamendalizmi islamik si parakusht i rilindjes islamike, e cila do të ndikonte në krijimin e botës universale islame .
- Karakteristikë tjetër e terrorizmit islamik është prezentimi i tij si formë e luftës së shenjtë, e cila detyrimisht do të kurorëzohet me fitoren e plotë. Në këtë drejtim, nuk bëhet dallimi në mes aktivitetit terrorist dhe formave të tjera të zhvillimeve luftarake .
- Elementi i tretë karakteristik i terrorizmit islamik është krijimi i rregullave të detyrueshme të sjelljes islame. Sipas këtyre rregullave, detyrë e çdo besimtari, qoftë si individ ose komunitet islam, është vrasja e armiqve të Zotit “armiqtë tanë duhet të vriten, ndërsa të pafetë duhet ta zgjedhin vdekjen ose kthimin e tyre të detyrueshëm në fenë islame” .
Taktika e sulmeve vetëvrasëse
Nuk është i bazuar mendimi se sulmet vetëvrasëse janë produkt i ideologjisë së caktuar islamike ose vepra ekskluzive të autorëve islamikë. Në rrethana të caktuara të jetës shoqërore, në të gjitha komunitetët njerëzore, janë paraqitur persona të gatshëm për kryerjen e sulmeve vetëvrasëse. Madje edhe në të kaluarën shqiptare kishte shumë raste heroike të vdekjeve martire si, p.sh., rasti i Maro Kontit, Nora Kelmendit, Marash Palit, Oso Kukës, etj.
Sulmet vetëvrasëse janë vepra terroriste të kryera kundër personave ose të mirave të tyre materiale me vetëdijen dhe gatishmërinë e sulmuesit për të sakrifikuar jetën e vet. Në kuptimin bashkëkohor, taktika e sulmeve vetëvrasëse, për herë të parë ishte zbatuar në vitin 1944 nga shërbimi special i aviacionit japonez, Tokubetkögekitai, i njohur me emrin Tokkötai. Gjatë atij viti, kur kishte filluar marshimi i forcave amerikane në drejtim të Japonisë, marina perandorake japoneze kishte marrë vendimin për themelimin e një shërbimi special luftarak, i cili sipas parimit „një aeroplan një anije”, do ta frenonte pushtimin e Japonisë nga forcat amerikane.
Ky shërbim ishte emëruar Shimpü Tokkötai (forcat speciale zot i stuhisë). Mirëpo, gjatë deshifrimit të këtij emri, shërbimi i kundërzbulimit amerikan kishte gabuar duke e lexuar atë gabimisht dhe nga ana e kundërt si Kamikaz. Në të vërtetë, emri Shimpü Tokkötai sipas alfabetit japonez, shkruhet me shkronja të njëjta si fjala Kamikaz. Kështu, elita kryesore e forcave ajrore perandorake japoneze Shimpü Tokkötai, ishte popullarizuar në tërë botën me emrin e gabuar, Kamikaz .
Pas Luftës së Dytë Botërore, taktika e sulmeve vetëvrasëse për herë të parë kishte filluar të zbatohej nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, i udhëhequr nga palestinezi i krishterë, Dr. George Habash. Më 30.05.1972 tre anëtarë të Armatës së Kuqe Japoneze, në shenjë bashkëpunimi me FPÇP dhe solidariteti me popullin palestinez, me armë zjarri dhe granata dore kishin sulmuar personat e pranishëm në aeroportin izraelit, Lod. Gjatë këtij sulmi solidar vetëvrasës, kishin vdekur 28 persona dhe ishin plagosur 69 të tjerë.
Pas këtij aksioni të parë vetëvrasës, taktikën e sulmeve vetëvrasëse kishte filluar ta përdorte edhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës - Komanda Gjenerale, e udhëhequr nga Ahmad Dxhibril. Gjatë asaj kohe, personat që e kishin flijuar jetën e tyre gjatë sulmeve të ndryshme vetëvrasëse kundër Izraelit, ishin quajtur Fedayin. Gjatë viteve të shtatëdhjetë, taktikën e sulmeve vetëvrasëse kishin filluar ta përdornin edhe Armata Republikane Irlandeze dhe Tigrat Tamilë të Sri- Lankës.
Gjithashtu, edhe disa udhëheqës të Fraksionit të Armatës së Kuqe gjermane, e kishin zbatuar vetëvrasjen, si mjet të veprimit të tyre politik. Ndërkaq, gjatë dekadës pasuese, udhëheqësi fetar dhe shtetëror iranian, Homeini, në baza fetare kishte arritur të mobilizonte qindra mijëra vullnetarë, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë, për marshime vetëvrasëse kundër pozicioneve ushtarake irakiane dhe fushave të minuara të saj. Në të njëjtat baza ideologjike dhe fetare ishte themeluar edhe organizata terroriste islamike Hezb-Allah, e cila në vitin 1983, kryesisht me sulme vetëvrasëse, kishte arritur t’i dëbonte bazat ushtarake amerikane dhe ato franceze nga Libani. Më vonë nga presioni i sulmeve vetëvrasëse të pjesëtarëve të kësaj organizate, ishin detyruar edhe forcat izraelite që të tërhiqeshin nga (zona e sigurisë) jugu i Libanit.
Prej vitit 1980 e deri në shkurt të vitin 2000, ishin evidentuar rreth 300 sulme vetëvrasëse të kryera në pjesë të ndryshme të Lindjes së Afërt, Azi, Amerikë Latine dhe në Evropë. Nga ky numër i përgjithshëm, 168 sulme të tilla ishin kryer nga Tigrat Çlirimtarë të Tamilit-Elam në Sri-Lankë dhe Indi, 52 nga organizata Hezb-Allah dhe disa grupe të tjera të vogla islamike në Liban, Kuvajt dhe Argjentinë (kundër interesave izraelite), 22 nga organizata HAMAS në Palestinë dhe Izrael, 15 nga PKK (Partia Punëtore e Kurdistanit) në Turqi, 8 nga organizata e Xhihadit Islamik Palestinez në Izrael, 2 nga organizata Al Qa’ida në Afrikën Lindore, dy nga organizata e Xhihadit Islamik (Egjiptian) në Kroaci dhe Pakistan, një nga grupi Babar Khalsa International (BKI) në Indi, një nga organizata terroriste islamike egjiptiane Gamaat al-Islamia në Palestinë dhe një nga Grupi i Armatosur Islamik (GIA) në Algjeri .
Nga numri i përgjithshëm i sulmeve vetëvrasëse, 30 sulme të tilla nuk kishte qenë e mundur t’i përshkruhen ndonjë grupi ose organizate të caktuar terroriste. Në bazë të këtyre të dhënave, mund të konkludojmë se sulmet vetëvrasëse nuk janë të bazuara në ideologjinë politike ose përkatësinë fetare të sulmuesit, por në natyrën dhe intensitetin e konflikteve politike.
Autorët e sulmeve vetëvrasëse
Sipas vrojtimeve të shumta dhe rezultateve të studimeve të ndryshme ndërkombëtare, mosha mesatare e aktorëve potencialë për kryerjen e sulmeve vetëvrasëse varion nga 12 deri në 20 vjeç. Në numrin absolut të rasteve, persona të tillë e kanë një të afërm të tyre të dënuar politik, të plagosur ose të vrarë nga armiku dhe personalisht nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e ndonjë aksion të armatosur.
Pikërisht ky pasivitet politik i personave të emocionuar dhe sensibël, në rrethanat e caktuara shoqërore, ndikon lehtë në krijimin e ndjenjave të mosvlerës dhe turpit si dhe bindjes së fuqishme për mundësinë e pastrimit të vlerave të tilla negative vetëm nëpërmjet vetëflijimit për çështjen madhore. Nga ana tjetër edhe rrethanat objektive, si bindja e krijuar fetare, se vdekja martire shpërblehet me shkuarje të drejtpërdrejtë në parajsë - pa kaluar nëpërmes procedurës së rregullt hyjnore të marrjes në pyetje për mëkatet e bëra, e sidomos respekti i lartë ndaj martirëve dhe familjeve të tyre, ndikojnë në marrjen e vendimit për vdekje martire. Në të vërtetë, glorifikimi i martirëve palestinezë po ndikon në vazhdimësinë e sulmeve vetëvrasëse. Në të gjitha komunitetet fetare, rrymat politike dhe shtresat shoqërore të popullit palestinez, martirët gëzojnë statusin e heronjve kombëtarë. Kështu, më 12.04.2002, për revistën arabe „Sayidati” kishte deklaruar edhe gruaja e kryetarit Arafat, Suha (një palestineze e krishterë, e cila jeton në Paris).
Sipas saj, sulmet vetëvrasëse janë mjete dhe metoda legjitime të rezistencës kombëtare palestineze kundër okupatorit Izraelit . Kështu, sipas analizave të shumta lokale, gjatë viteve nëntëdhjetë, shumë pak të rinj palestinezë kishin qenë të gatshëm të vdesin për çështjen e tyre kombëtare, ndërsa tani kjo gatishmëri është shtuar në mbi 70% . Në marrjen e vendimit për kryerjen e aksioneve vetëvrasëse pa dyshim se ndikon edhe baza materiale.
Sipas praktikës së organizatës islamike libaneze Hezb-Allah edhe ajo palestineze HAMAS, u kishte ofruar familjeve të martirëve palestinezë ndihma të rregullta materiale me vlerë 1000 $ në muaj. Përveç kësaj ndihme të rregullt financiare, familjet e martirëve palestinezë marrin edhe ndihma të tjera të rregullta për ushqim, shkollim dhe veshmbathje. Ndërkaq, pas vitit 2000, kur kishte filluar intensifikimi i sulmeve vetëvrasëse palestineze, ish diktatori irakian, Sadam Husein, e kishte rritur kontributin e vet për familjet e martirëve palestinezë prej 10.000 $ (ndihmë e menjëhershme) në 20.000 $ . Procedura sekrete për rekrutimin e kandidatëve për martirë fillon zakonisht në shkolla, xhami dhe në qendra të tjera rinore.
Sipas praktikës palestineze, personi i autorizuar për hulumtimin e kandidatëve potencialë për martirë së pari e identifikon rrethin e personave të rinj që manifestojnë elemente të dukshme emocionale dhe rrjedhin nga familjet e personave të persekutuar. Pastaj me këta persona, në mënyrë të lirë, spontane, të rastësishme dhe të paobliguar, fillohen bisedimet individuale lidhur me çështjet e ndryshme politike, qëllimet e armikut dhe efektet e sulmeve vetëvrasëse. Gjatë zhvillimit të këtyre bisedave duhej analizuar me kujdes të gjitha reagimet e bashkëbiseduesit.
Pas përfundimit të bisedave të para, personi, i cili tregon interesim për vazhdimin e kontakteve dhe bisedave të tilla, hyn në rrethin e ngushtë të kandidatëve potencialë për martirë. Tani në këtë fazë të procedurës rekrutuese, veprohet me shumë kujdes. Në qoftë se kandidati gjatë bisedave pasuese e lartëson vdekjen martire, ai parimisht duhet të këshillohet për t’u përmbajtur nga aksionet e tilla. Mirëpo, në qoftë se ai edhe pasi të jetë këshilluar vazhdon të këmbëngulë në vdekjen e vet martire, zgjidhet për misione të tilla. Menjëherë pas kësaj zgjedhje fillon faza e përgatitjes së kandidatit për vdekje martire. Gjatë kësaj faze të shkurtër përgatitore ftohen në ndihmë edhe mësuesit e ndryshëm fetarë, të cilët me shpjegimet e tyre duhet ta stimulojnë edhe më tepër dhe ta çelikosin vendimin e marrë të kandidatit për kryerjen e një sulmi vetëvrasës .
Sipas praktikave të disa organizatave terroriste, para dërgimit të kandidatit në aksion vetëvrasës, zakonisht bëhet testimi përfundimtar i tij. Në të vërtetë, nëpërmjet kryerjes së një aksioni të lehtë kundër armikut, praktikisht argumentohet besnikërija dhe vendosmëria e kandidatit si dhe ushtrohet aftësia e tij për ruajtjen e gjakftohtësisë gjatë aksionit në rrethana të ndërlikuara. Në rast kalimi të suksesshëm të kësaj prove gjenerale, kandidati largohet nga rrethi i tij familjar dhe ditët e fundit të jetës së vet i kalon në shoqëri me disa persona të zgjedhur të tij.
Në fund, bëhet ceremonia përcjellëse dhe zakonisht pas përfundimit të kësaj ceremonie kandidatit i shpjegohet mënyra e kryerjes së aksionit vetëvrasës . Elementi kryesor, që ndikon në mosparaqitjen e shenjave të dukshme të frikës ose nervozitetit, gjatë kryerjes së aksioneve vetëvrasëse, është vendosmëria e kandidatit për vdekje martire. Kështu, sipas dëshmitarëve izraelitë, sulmuesit e ndryshëm palestinezë gjatë kryerjes së aksioneve të tyre vetëvrasëse, në numrin më të madh të rasteve kishin qenë të veshur me rroba tradicionale izraelite, me uniforma të ndryshme policore ose me ato të ushtarëve izraelitë.
Në këtë mënyrë, atentatorët palestinezë, duke e fshehur identitetin e tyre me pamje të jashtme, sjellje, dhe shprehje izraelite, kishin arritur të depërtonin deri në vendet e dëshiruara dhe atje në mënyrë të papritur t’i kryenin sulmet e tyre vetëvrasëse.
Taktikat e tjera të veprimit të terroristëve islamikë
Terrorizmi islamik, publicitetin e vet e kishte arritur falë zbatimit karakteristik të sulmeve vetëvrasëse, rrëmbimit të aeroplanëve, montimit të autobombave dhe përdorimit të sasive të mëdha të mjeteve shpërthyese. Sidomos, zbatimi i taktikës së sulmeve vetëvrasëse, kishte shënuar kthesë radikale në publicitetin e terroristëve islamikë. Shumë të rinj myslimanë, djem dhe vajza, të dehur nga urrejtja kundër armikut dhe bindjet e krijuara fetare, se vendi i tyre në parajsë mund të fitohet vetëm në rast vetëflijimi për çështjen fetare, e kishin pranuar kryerjen e sulmeve të ndryshme vetëvrasëse.
Në këtë mënyrë, kishin filluar sulmet terroriste kundër objektivave të ndryshme perëndimore në Lindje të Afërt, ishin sulmuar vlerat më të çmuara njerëzore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po sulmohet çdo ndjenjë e sigurisë së shtetit izraelit. Në vitin 1983, grupe të ndryshme terroriste islamike kishin filluar zbatimin e taktikës së rrëmbimit të aeroplanëve. Një vit më vonë, grupi terrorist, i prezantuar si Xhihadi Islamik, kishte rrëmbyer një aeroplan francez, i cili fluturonte nga Frankfurti për në Paris.
Aeroplani i rrëmbyer ishte detyruar ta ndërronte kursin e fluturimit dhe të ulej në Teheran. Si kusht për lirimin e udhëtarëve të rrëmbyer, terroristët kishin kërkuar lirimin nga burgu të ekstremistëve islamikë, që ishin përpjekur ta vrisnin ish kryeministrin iranian, Shapour Bakhtiarit si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë iranianë nga burgjet franceze. Mirëpo, autoritetet franceze, ndonëse kishin pësuar dy viktima në aeroplan, nuk kishin pranuar ndonjë dialog me rrëmbyesit ose ndonjë zgjidhje kompromisi të rastit.
Kështu, kjo ngjarje, sipas versionit zyrtar iranian kishte përfunduar, me largimin „vullnetar” të rrëmbyesve nga aeroplani dhe dorëzimin e tyre. Me gjithë kërkesat e përsëritura, autoritetet iraniane nuk kanë njoftuar asgjë lidhur me konsekuencat eventuale ligjore dhe identitetin personal të rrëmbyesve. Në dhjetor të vitit 1984, një grup tjetër terrorist, i prezantuar gjithashtu si Xhihadi Islamik, kishte rrëmbyer në Teheran një aeroplan kuvajtian dhe si kusht për lirimin e tij kishte kërkuar lirimin e 17 anëtarëve të grupit terrorist Al – Dawa, të burgosur në Kuvajt.
Në shenjë vendosmërie për realizimin e qëllimit të tyre, rrëmbyesit menjëherë i kishin vrarë dy ekonomistë amerikanë, që ndodheshin në mesin e udhëtarëve në aeroplan. Mirëpo, me gjithë këto viktima dhe kërcënime të përsëritura, autoritetet kuvajtiane kategorikisht i kishin refuzuar kërkesat e terroristëve. Pas gjashtë ditësh, policia iraniane kishte deklaruar se ishte liruar aeroplani i rrëmbyer kuvajtian. Sipas vrojtuesve të ndryshëm, aksioni i publikuar policor iranian për lirimin e aeroplanit, kishte qenë vetëm manovrim taktik për fshehjen e realitetit se ky grup kishte vepruar me kërkesë të qarqeve të caktuara zyrtare iraniane.
Më 14.06.1985, një aeroplani i TWA me 150 udhëtarë, i cili fluturonte nga Athina për në Paris, gjatë fluturimit mbi Romë, ishte rrëmbyer nga dy anëtarë të organizatës Hesb-Allah. Në të vërtetë, ky rrëmbim e paraqet aksionin më drArmatik të shënuar në historinë e rrëmbimit të aeroplanëve. Së pari, aeroplani ishte detyruar të fluturonte për Bejrut. Pas një kohe të qëndrimit në Bejrut, aeroplani ishte detyruar të fluturonte në drejtim të Algjerit. Pastaj nga Algjeri aeroplani ishte kthyer përsëri në Bejrut. Këtu ishte hedhur trupi i pajetë i ushtarit të vrarë amerikan, Robert Stethem dhe aeroplani ishte kthyer përsëri në Algjer.
Pas këtij rasti kishte pasuar kërkesa ultimative e SHBA, drejtuar kryetarit sirian, Asad. Me qëllim të mënjanimit të një konflikti të padëshiruar me SHBA, presidenti sirian, Asad kishte kërkuar nga organizata Hesb-Allah lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të aeroplanit dhe udhëtarëve të rrëmbyer. Në të kundërtën, autoritetet siriane kishin kërcënuar se do ta dëbonin organizatën Hesb-Allah nga lugina Beka në Jug të Libanit, e cila edhe tani kontrollohet nga forcat siriane. Në këtë mënyrë, pas 17 ditësh kishte përfunduar odiseja e këtij aeroplani të rrëmbyer amerikan.
Në janar të vitit 1987, Mohammed Ali Hammedei gjatë një udhëtimi të tij ilegal në Gjermani, ishte identifikuar si njëri nga rrëmbyesit e këtij aeroplani dhe për veprën e kryer ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Taktika e rrëmbimit të aeroplanëve, me qëllim të detyrimit të SHBA-së për të liruar nga burgu njërin prej sulmuesve të parë të World Trade Center, ideologun islamik, Sheik Umar Abd al-Rahman, ishte zbatuar edhe më 15.08.1993.
Mirëpo, vetëm disa orë pas rrëmbimit të aeroplanit holandez, Boing 737, shërbimi special gjerman GSG9, pa shkaktuar asnjë viktimë, kishte arritur të lironte aeroplanin dhe udhëtarët e rrëmbyer. Më 24.12.1999, aktorët islamikë kishin rrëmbyer edhe një airbus indian. Mirëpo, kësaj radhe qeveria indiane, me qëllim të shpëtimit të jetës së 155 udhëtarëve të rrëmbyer, e kishte plotësuar njërën nga disa kërkesat e parashtruara të rrëmbyesve, duke i liruar nga burgu tre të burgosur politikë. Përveç rasteve të lartpërmendura, në historinë e rrëmbimit të aeroplanëve nga autorët islamikë janë evidentuar edhe rrëmbimet e shtatorit të vitit 2001, kur katër aeroplanët e rrëmbyer amerikanë ishin shfrytëzuar si torpeda vetëvrasëse kundër vlerave më vitale të SHBA-së.
Gjatë këtyre sulmeve kishin vdekur mbi 3000 persona. Në të vërtetë, taktika e përdorimit të sasive të mëdha të mjeteve shpërthyese gjatë kryerjes së sulmeve vetëvrasëse ishte përdorur edhe shumë kohë më parë nga aktorët islamikë. Kështu, në vitin 1983, gjatë një sulmi vetëvrasës kundër ambasadës amerikane në Bejrut, ishte përdorur makina e mbushur me rreth 1000 kilogramë eksploziv. Në tetor të të njëjtit vit, gjatë sulmit kundër komandës ushtarake amerikane në Bejrut, ishte përdorur kamioni i mbushur me rreth 6 tonelata eksploziv.
Ndërkaq, dy muaj më vonë, gjatë një sulmi tjetër vetëvrasës kundër ambasadës amerikane në Kuvajt, ishte përdorur makina e mbushur me rreth 2000 kilogramë eksploziv. Gjithashtu, edhe në mars të vitit 1993, gjatë një sulmi vetëvrasës në Bombei, nga pasojat e shpërthimit të një sasie të madhe eksplozivi, kishin vdekur rreth 300 dhe ishin plagosur mbi 1200 persona. Në gusht të vitit 1998, gjatë dy sulmeve vetvrasëse kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, kishin vdekur 257 persona dhe ishin plagosur mbi 5000 të tjerë.
Shfaqja e terrorizmit bashkëkohor islamik
Gjatë viteve të gjashtëdhjetë në Irak, paralelisht me rilindjen e filluar fetare, ishte shfaqur lëvizja e parë terroriste islamike. Në qytetin e shenjtë shiit Naxhaf, ishte shfaqur një lëvizje islamike shiite e quajtur al - Dawa (Zëri i Islamit), e cila ishte udhëhequr nga Ajatollah Sayyid Mohammed Baqir al – Sadr. Pas vitit 1980, kur me urdhër të Sadam Huseinit ishte likuiduar udhëheqësi i kësaj organizate al – Sadr, praktikisht kishte pushuar edhe aktivitetit politik i lëvizjes islamike “Zëri i Islamit”.
Në të njëjtën kohë, kur në Irak ishte shfaqur organizata al-Dawa, edhe në qytetin e shenjtë iranian, Ghom doli në skenë një lëvizje tjetër islamike e udhëhequr nga mësuesi i atëhershëm i qendrës teologjike dhe udhëheqësi i mëvonshëm i Revolucionit Islamik, Homeini. Reformat e filluara politike në Iran, të cilat e kishin paraparë barazimin e të drejtave të gruas me ato të burrit si dhe ato që kishin paraparë barazimin e të drejtave të shtetasve iranianë jomuhamedanë me ata myslimanë, ishin trajtuar nga Homeini si „sulme kundër Kuranit dhe fesë Islame”.
Në këto baza ideologjike, të propaganduara kryesisht nga Homeini, ishte mobilizuar një pjesë e madhe e të rinjve revolucionarë iranianë, për t’i kundërshtuar me dhunë reformat e filluara. Pas konflikteve të përgjakshme të vitit 1962, që kishte përfunduar me rreth 200 (kryesisht) studentë teologjikë të vrarë dhe pas dy burgosjeve të mëparshme të Homeinit, në vitin 1964 ishte marrë vendimi për dëbimin e tij nga Irani. Pas qëndrimit të shkurtër në Turqi, Homeini ishte vendosur në qytetin shiit irakian, Naxhaf, nga ku i kishte vazhduar sulmet e veta kundër pushtetit të shahut në Iran.
Në të vërtetë, këtu kishte filluar ngritja e shpejtë e lëvizjes politike të udhëhequr nga Homeini, e cila i kishte influencuar edhe minoritetet e ndryshme shiite të Lindjes së Afërt, e sidomos ata të Libanit. Nën ndikimin e ideve të Homeinit, gjatë viteve të shtatëdhjeta në Liban ishte paraqitur organizata militante islamike shiite Al - Amal, e cila udhëhiqej nga themeluesi i saj, imami, Musa Sadr. Në fillim të themelimit të saj, organizata Al - Amal ishte quajtur Harakat al Mahrumim (Lëvizja e të Mjerëve). Zgjedhja e këtij emri nuk ishte krejtësisht e rastësishme, kur merret parasysh fakti se popullsia shiite në Liban dhe në shtetet e tjera arabe, jetonte në varfëri shpërpjesëtimore ekonomike. Gjithashtu edhe në aspektin politik, popullsia shiite ishte komunitet i papërfillur.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Musa Sadr ishte zhdukur në vitin 1978 gjatë një misioni të tij politik në Libi. Pas ardhjes së Nabib Berrit në krye të organizatës islamike Al - Amal, popullsia shiite kishte krijuar një forcë ekonomike dhe pozicion të ri politik në Liban. Ky kishte arritur mobilizimin e numrit më të madh të intelektualëve shiitë, duke iu ofruar atyre pozicione ushëheqëse në organizatë. Këta intelektualë të diplomuar kryesisht në qendra të ndryshme islame shiite në Iran dhe Irak, kishin kontribuar sidomos në drejtim të studimit të efekteve eventuale të sulmeve vetëvrasëse .
Në vitin 1982, nga organizata islamike Al - Amal ishin ndarë fraksionet radikale, të prezantuara si Al Jihad al Islami dhe Hezb-Allah. Me gjithë këto ndarje, organizata Al Amal kishte vazhduar të mbetet subjekt i fuqishëm politik në Liban dhe si i tillë të gëzonte përkrahjen e Iranit dhe Sirisë zyrtare . Pas pavarësimit të vet, grupi Hezb-Allah ishte masivizuar aq shpejt sa brenda një kohe të shkurtër ishte shndërruar në organizatën më të fuqishme terroriste në Liban. Publiciteti i kësaj organizate, kishte filluar të rritej sidomos pas marsit të vitit 1983, kur ishin sulmuar bazat ushtarake amerikane dhe ato franceze në Bejrut si dhe ishte gotitur ndërtesa e komandës ushtarake izraelite në Tyre.
Disa muaj më vonë, organizata Hezb-Allah, kishte sulmuar edhe disa objektiva perëndimore në Kuvajt . Vetëm pas këtyre sulmeve vetëvrasëse, ishte arritur zbulimi i identitetit të udhëheqësve kryesorë të organizatës Hezb-Allah, Hussein Mussawi dhe Sheik Fadlallah. Gjithashtu ishte njoftuar edhe mbi ekzistencën e një komande qendrore, të vendosur në Baalbek dhe Zabdani. Pastaj shërbimet sekrete izraelite i kishin zbuluar edhe dy qendra për rekrutim dhe stërvitje terroriste në Ras al Ain dhe Janta si dhe i kishin sqaruar raportet reale që ekzistonin në mes organizatave terroriste shiite në Liban, Al-Amal, Al Jihad al Islami dhe asaj Hezb-Allah. Sigurimi i këtyre informacioneve kishte rëndësi të veçantë nga fakti se organizata Hezb-Allah që nga themelimi i saj, kishte manifestuar profesionalitet të rrallë në organizimin dhe veprimin e saj konspirativ.
Irani dhe terrorizmi islamik
Irani është qendër e ritit shiit të fesë Islame dhe si e tillë gjithmonë ka luftuar kundër mbizotërimit fetar të ritit rival, sunit. Shiitët besojnë se dhëndri i Muhametit, Aliu, ishte kalifi i parë i vërtetë dhe në këtë mënyrë i mohojnë tre kalifët e tjerë, të cilët konsiderohen nga ortodokset myslimanë sunitë si trashëgimtarë të vërtetë të Muhametit .
Për botën e krisherë, dallimi që ekziston në mes të këtyre dy sekteve fetare myslimane është i pakuptueshëm dhe i parëndësishëm. Në të njëjtën masë, për botën myslimane është i pakuptueshëm dhe i parëndësishëm edhe dallimi që ekziston në mes të ritit protestant dhe atij katolik. Ashtu sikurse në botën e krishterë, që kishte tensione dhe luftëra fetare, edhe në botën myslimane ishin zhvilluar shumë luftëra në mes pjesëtarëve fanatikë të sektit shiit dhe atij sunit. Dallimi në mes ritit fetar shiit dhe atij sunit, në njëfarë mënyre kishte qenë edhe shkak i luftës së fundit irako-iraniane, gjatë së cilës Homeini si shiit, vazhdimisht e kishte akuzuar sunitin Sadam Huseinin si heretik.
Shiitët besojnë se janë të diskriminuar nga shumica sunite, e cila mbizotëron në vende të ndryshme të Lindjes së Afërt. Pas ardhjes në pushtet të Homeinit në Iran, shiitët besonin se kishte ardhur koha e tyre për t’u hakmarrë ndaj padrejtësive të bëra historike. Kështu në Iran kishte filluar një luftë e egër kundër sunitëve dhe kundër çdo grupi tjetër heretik, të ndarë nga feja e vertetë islame. Në të njëjtën masë ishin luftuar edhe ndikimet kulturore të botës perëndimore në Iran.
Zhvillimi i suksesshëm i këtyre luftërave kishte qenë i mundur vetëm falë inkorporimit të dogmës së caktuar fetare islame me dhunën politike dhe nacionalizmin iranian . Në baza të tilla ideologjike, në fillim të vitit 1979, në tërë territorin e Lindjes së Afërt ishin organizuar protesta masive shiite. Në mars të vitit 1982 në Teheran ishin ftuar 380 misionarë dhe udhëheqës të grupeve të ndryshme revolucionare shiite nga të gjitha shtetet arabe dhe nga Evropa. Gjatë kësaj konference, ishte kërkuar nga qeveria islamike në Iran që të angazhohet fuqishëm „për përhapjen e mësimeve të vërteta të Islamit edhe te tradhtarët e Islamit dhe te popujt e pafe”.
Me qëllim të mënjanimit të pengesave eventuale, të cilat do të paraqiteshin gjatë realizimit të këtij projekti, ishte kërkuar leja për hapjen e llogoreve të ndryshme për stërvitje luftarake. Pastaj ishte themeluar edhe e ashtuquajtura Konto e Luftës, në të cilën ishin deponuar 100 milionë dollarë. Këto mjete financiare u ishin dedikuar grupeve të ndryshme revolucionare islamike ndërkombëtare. Ndërkaq, si burimi i përhershëm i këtij fondi ishte paraparë vlera e 50 milionë dollarëve, nga të cilat mund të financoheshin vetëm aktivitetet e posaçme luftarake .
Nga këto mjete financiare kishin përfituar grupet e reja terroriste në Liban, ishin financuar disa sulme brutale terroriste në Kuvajt, ishte financuar përhapja e lëvizjeve fundamendaliste islamike në Azinë Juglindore si dhe ishte financuar kryerja e disa aksioneve terroriste në Evropë. Në shfrytëzimin e këtyre mjeteve ishin favorizuar sidomos projektet që kishin paraparë krijimin e një rrjeti global të bashkësive islame, të cilat duhet të udhëhiqeshin nga mësuesit fetarë, të cilët do ta mbanin edhe përgjegjësinë e rekrutimit të assasinëve të viteve të ardhshme.
Qarqet zyrtare iraniane e përkrahën dhe stimuluan fanatizmin islamik. Orientimi zyrtar iranian ishte bazuar në doktrinën mesjetare të sektit fetar, të themeluar në vitin 1094 nga Hassan Ibn al-Sabbah: nga kështjella e vet në Alamut (një bjeshkë në Persi), al-Sabbah i kishte dërguar luftëtarët e vet në aksione të ndryshme luftarake. Mirëpo, gjithmonë para marshimit të tyre, ata kishin shijuar „parajsën qiellore” në tokë, duke marrë sasi të konsiderueshme të drogës. Në këtë mënyrë ata ishin bindur se vendi i tyre në rast vdekjeje është i garantuar në parajsë.
Nga emri i drogës së konsumuar hashish rrjedh edhe emri assassin . Trashëgimtarët e sektit të al-Sabbah, respektivisht një komando assassine e Homeinit në vitin 1980, ishte përpjekur që ta vriste kryeministrin e fundit të shahut iranian, Shapour Bakhtiar, i cili jetonte i strehuar në Paris. Katër vjet më vonë ishin likuiduar në Paris tre anëtarë të qeverisë së Bakhtiarit dhe ishin plagosur 18 persona të tjerë. Në vitin 1984, në një zyrë të Madridit, e cila ishte shfrytëzuar bashkarisht nga British Airways dhe TWA, kishte shpërthyer një bombë, e cila kishte shkaktuar vdekjen e një personi. Në qershor të vitit 1985 në të njëjtën kohë kishin shpërthyër disa bomba të kurdisura në aeroportin e Frankfurtit.
Një sulm i ngjashëm ishte kryer edhe në Romë, ndërsa në Londër ishte zbuluar me kohë eksplozivi i vendosur para ambasadës irakiane. Në vitin 1985 në Romë ishte burgosur një grup i terroristëve islamikë, i cili kishte planifikuar sulmin kundër ambasadës amerikane në Romë, etj. Përgjegjësinë për kryerjen e disa aksioneve të tilla terroriste e kishte marrë organizata al - Dawa, e cila sipas dëshmive të deponuara, dirigjohej nga Shërbimi Informativ dhe i Sigurimit Kombëtar Iranian (SAVAK). Gjithashtu ishin argumentuar lidhjet e caktuara në mes Hezb-Allahut dhe të „Xhihadit Islamik” me qarqet e caktuara zyrtare iraniane.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi