Festa e Çlirimit, pse ankohen kuislingët tanë?
Faqja 1 e 1
Festa e Çlirimit, pse ankohen kuislingët tanë?
Festa e Çlirimit, pse ankohen kuislingët tanë?
Periudha 24-vjeçare qysh nga rënia e regjimit komunist na ka mësuar shumë gjëra që s’i dinim më parë. Na ka mësuar shumë gjëra për individë dhe për ngjarje të para regjimit komunist, të kohës së atij regjimi dhe të periudhës së mëpasme. Një prej shumë gjërave që kam qenë i grishur të mësoj dhe që e kam ndjekur me shumë vëmendje ka qenë edhe personaliteti intelektual dhe integriteti moral i kundërshtarëve politikë të regjimit komunist. Më duhet ta them qysh në fillim se, me përjashtime shumë të rralla, veçanërisht statura e tyre morale ka qenë një zhgënjim për mua.
Pas rënies së regjimit komunist, siç ndodh rëndom në histori, filluan jo vetëm ankimet, vajtimet dhe mallkimet për kohën e shkuar por, me një vrull dhe intensitet marramendës, filloi dhe po vazhdon akoma mohimi i çdo gjëje të mirë të bërë nga populli shqiptar, me shumë sakrifica dhe me mjaft idealizëm. E merrja me mend nihilizmin, por jo deri në atë shkallë sa të prekte edhe sakrificën më sublime të pjesës më idealiste të popullit shqiptar, sakrifikimin e rinisë dhe të jetës nga mijëra bij dhe bija të këtij vendi. Kam besuar dhe besoj ende se Hoxha dhe regjimi i tij i pasluftës kanë bërë mjaft gabime e faje, dënimi i të cilëve do të ishte i mjaftueshëm, pa pasur nevojë të preket Lufta Nacionalçlirimtare, një nga veprat më madhore dhe më fisnike të popullit shqiptar, edhe pse kjo vepër qe udhëhequr nga komunistët.
Me rënien e regjimit, tek kundërshtarët politikë të tij u krijua iluzioni se bashkë me sistemin kishin rënë edhe të gjitha parimet dhe vlerësimet e asaj kohe. Mirëpo, pasionet nga njëra anë dhe mjerimi moral, nga ana tjetër, i kanë bërë shumë njerëz të mos kuptojnë se ka parime universale, në kohë dhe hapësirë, të cilët njerëzimi i ka ruajtur, transmetuar dhe respektuar brez pas brezi, pavarësisht sistemeve dhe regjimeve politike. Një nga këto parime mbetet edhe ai i respektimit të kujtdo që sakrifikon jetën për liri kombëtare dhe damkosjes si tradhtar të kujtdo që bashkëpunon dhe ndihmon pushtuesin dhe shkelësin e integritetit territorial të atdheut.
Qysh nga viti 1991 e këtej, gjithë skota e mohuesve, përçmuesve dhe poshtëruesve të kësaj vepre popullore dhe kombëtare, gjeti strehë nën çadrën politike të Sali Berishës, intrigantit, demagogut dhe sharlatanit më të madh politik në historinë e Shqipërisë. Duke qenë njeri pa kurrfarë idealesh dhe pa asnjë skrupull moral, Sali Berisha, si për shumë gjëra të tjera, ka mbajtur qëndrime të ndryshme, gjithnjë në përputhje me interesat e tij të çastit. Qysh atëherë e deri sot, përçmimet ndaj LANÇ dhe pjesëmarrësve e drejtuesve të saj janë shfaqur në forma nga më të ndryshmet, duke filluar me prishjen e çdo memoriali të individëve apo ngjarjeve të asaj periudhe, talljen me veteranët e luftës, ndryshimin e datës së Çlirimit, propagandën se partizanët dhe komunistët vranë njëri-tjetrin dhe nuk u vranë nga pushtuesit, se numri i të rënëve ishte një mashtrim, se komunistët nuk luftuan për vendin por për BS, se lufta ishte e kotë përballë fuqive ushtarake fashisto-naziste, se Italia dhe Gjermania nuk ishin pushtues, por kalimtarë, ose se kishin ardhur të na krijonin “Shqipërinë Etnike”, se komunistët kishin “shitur” Kosovën, se ajo ishte luftë civile dhe jo çlirimtare dhe (në rastin më të mirë), se lufta ishte e drejtë dhe e lavdishme, por udhëheqësit e saj ishin kriminelë etj.
Pasi kemi pasur mundësinë të lexojmë shumë libra dhe mjaft dokumente të huaja, të botuara tash 24 vjet, ne, që kemi lindur shumë më vonë se periudha e luftës, që s’kemi pasur asnjë paraardhës në ndonjërin nga formacionet politike të asaj kohe dhe që s’kemi pasur kurrfarë privilegjesh të veçanta në kohët e mëvonshme, kemi krijuar, pak a shumë, përfytyrimin tonë për atë ngjarje dhe aktorët e saj.
Ajo që të çudit dhe të revolton në gjithë këtë denigrim të turpshëm të luftës, nuk janë mendimet dhe qëndrimet e vulgut, i cili, ashtu si gjethet në vjeshtë, shkon andej nga e çon era dhe, në tërësinë e intelektit njerëzor ka atë peshë që kanë gjethet e pemëve në raport me pemët. Vulgu aq kupton, aq di dhe aq flet. Vulgut i mjafton fakti se ata që drejtuan luftën dhe erdhën në pushtet pas saj nuk i siguruan në dyzet e pesë vjet atë mirëqenie që shtetet më të zhvilluara të botës e kishin siguruar në 450 vjet. Kaq i duhet atij për të konkluduar dhe për t’u bërë viktimë e disa kategorive të tjera shoqërore, të cilat e trajtojnë LANÇ-in në mënyrën e mësipërme me vetëdije dhe për qëllime të caktuara.
Akademiku Rexhep Qosja pyeste një ditë në mënyrë retorike, (sepse ai e di shumë mirë), se cilët janë këta që kanë një çerek shekulli që tallen me luftën dhe lartësojnë tradhtinë, që fyejnë e përçmojnë dëshmorët dhe lartësojnë e glorifikojnë puthadorët e pushtuesve. E, këta njihen më së miri. Së pari, janë pasardhësit biologjikë dhe shpirtërorë të bashkëpunëtorëve të pushtuesve, të cilët jo vetëm nuk ndihen të turpëruar nga veprat e paraardhësve të tyre, por janë bartës dhe propagandues të të njëjtit mendim e qëndrim. Pra, ata kanë të njëjtin moral dhe konstitucion shpirtëror. Së dyti, janë një kategori “intelektualësh” pa din e iman të cilët, meqë kanë qenë të pakënaqur me çfarë kanë arritur para 1990, ose ngaqë janë dënuar nga ai regjim, (me ose pa të drejtë), i janë bashkuar tufës së vajtuesve dhe mohuesve të gjithçkaje të shkuar. Në këtë aspekt të lë pa mend sjellja dhe qëndrimi i njërit prej shkrimtarëve tanë më të talentuar, i cili para pesë dekadash, me një roman të veçantë, e lartësonte LANÇ-in dhe fshikullonte pushtuesit me anë të sarkazmës, ndërsa me disa libra të botuar së fundi na i paraqet gjermanët si “zotërinj” paqësorë, që na kishin dalë hakut duke na treguar se janë kalimtarë e jo pushtues, madje po hynin në Shqipëri si miq, dhe se ne u treguam të pabesë me ta duke i sulmuar. E ndërsa pushtuesit gjermanë i konsideron “zotërinj, për besë”, Shqipërinë antinaziste e krahason me dhinë e zgjebosur me bisht përpjetë. Shkruan kështu ky shkrimtar, duke dëshmuar përfundimisht se ka qenë dhe mbetet një lajkatar i kohës kur shkruan dhe jo mik i së vërtetës e tribun i së drejtës. Çfarë humnere e pamasë midis lartësisë së talentit dhe moçalit moral të individit që kuturis t’i përshtatet kohës!
Nacionalizmi si strehë e batakçinjve
Në kohë dhe vende të ndryshme, termi nacionalizëm është kuptuar dhe interpretuar në mënyra të ndryshme. Mendoj se, në kuptimin e tij më të sinqertë dhe të drejtë, nacionalizmi ka qenë dhe mbetet një vlerë e mendimit dhe sjelljes së individëve apo popujve. Mbas vitit 1990, tek ne nuk mbeti horr pa u identifikuar me nacionalistin. Thuajse të gjithë antikomunistët e çartur e mbanin dhe e mbajnë veten për nacionalistë. Madje, sa herë shkruhet apo flitet për periudhën 1939-1990 dhe përmenden kundërshtarët politikë apo të përndjekurit e regjimit komunist, gjithmonë shoqërohen me shprehjet “ishte nacionalist”, “e dënuan sepse ishte atdhetar” etj., duke lënë të kuptohet se ata që e/i dënuan ishin antikombëtarë. Mirëpo, si është e vërteta?
Historia na ka mësuar se atdhetarë mejhanesh e kabaresh kemi pasur e kemi me shumicë, se individë që përbetohen për atdheun dhe të marrin gjak në vetull para mishit të pjekur dhe shisheve të verës mund të gjesh në çdo pallat, rrugicë, lagje apo fshat të Shqipërisë, ndërsa individë që janë të gatshëm të sakrifikojnë pasurinë e deri jetën për vendin e tyre, duhet të presësh situatat tragjike dhe kritike kombëtare që të mund t’i dallosh. Atdhetarizmi, qoftë edhe në formën e nacionalizmit, nuk është dhe as mund të jetë çështje fjalësh, parullash e përbetimesh, por çështje bindjeje, sjelljeje dhe reagimi ndaj të mirës kombëtare dhe atyre që e cenojnë atë. Njëra nga ngjarjet historike që ndan më qartë atdhetarët e fjalëve, nga ata të veprave, është pushtimi i vendit nga ushtritë e huaja.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte agresion i pastër ushtarak që binte ndesh me interesat e popullit shqiptar, me sovranitetin tonë kombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare. Këtë akt, si dhe nënshtrimin e “parisë” shqiptare ndaj pushtuesit, ish-ministri i Jashtëm italian i kohës, Konti Çiano, e quante “operacioni i tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë” (Ditari i konti Çianos). Mbrojtja e atdheut ishte detyrë morale dhe patriotike për çdo shqiptar të rritur, ndërsa për drejtuesit shtetërorë ishte edhe detyrë kushtetuese. Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë (mbreti) e braktisi vendin, ndërsa nja dy kompani ushtarësh dhe xhandarësh u përpoqën të rezistonin. Po, ku ishin dhe çfarë bënë nacionalistët tanë, (të cilët pëlqenin të quheshin edhe “Baballarë të Kombit”)?
Pas pushtimit të vendit dhe demonstratave të një pjese të popullit kundër këtij akti, do të luheshin disa akte të dramës shqiptare. Akti i parë dhe më i turpshmi ishte parada e pritjes së ushtrisë pushtuese me lule dhe fanfara në rrugët e Tiranës. Po, kush e organizoi dhe drejtoi këtë shfaqje poshtëruese për kombin? Ishin pikërisht ata që, të veshur dikush me frak e dikush me qeleshe në kokë, dikush me kryqin në qafë, e tjetri me tespihe në duar, edhe sot si atëherë, na shiten për “nacionalistë”. Ishin këta “atdhetarë” që shkuan në Romë dhe me përbetime besnikërie dhe përunjësi i dorëzuan mbretit të Italisë kurorën mbretërore shqiptare. Ishin këta që krijuan partinë fashiste, rininë dhe milicinë fashiste, që hapën dyert e shkollave, (për të cilat krenohen edhe sot), për t’u mësuar fëmijëve moralin dhe ideologjinë fashiste.
Pas pushtimit, shumë shqiptarë që ndodheshin në Perëndim u kthyen në Shqipëri. Por, jo të gjithë me të njëjtin synim. Disa “nacionalistë”, ish-kundërshtarë të Zogut, u kthyen për të marrë poste qeveritare nga të cilat mbreti i kishte privuar. Disa të tjerë, kryesisht të rinj e të reja studentë, braktisën jetën joshëse dhe të dashurat dhe u kthyen për t’i vënë armët armikut. Të parët e quajtën armikun “çlirimtar” dhe “shpëtimtar”. Çlirimtar nga kush dhe shpëtimtar prej kujt?! Përgjigjen e jepte propaganda e pushtuesit: “Nga mbreti injorant”. Të dytët e konsideruan, ashtu siç ishte, dhunues i atdheut.
Sikur “nacionalistët”, mikpritës dhe shërbyes të pushtuesit italian në qeveritë kukulla të njëpasnjëshme, të kishin qenë atdhetarë të vërtetë do të duhej që, pavarësisht armiqësive me mbretin Zog, ta kishin inkurajuar atë t’i rezistonte pushtimit fashist dhe t’i ofronin atij çdo mbështetje të mundshme. Jo për Ahmet Zogun, por për dinjitetin e Shqipërinë, në emër të dashurisë për të. Sigurisht, po ta kishin këtë dashuri më të madhe se ambicien për pushtet. Nuk e bënë këtë. Zgjodhën pushtetin dhe u përpoqën ta përligjnin me krijimin e “Shqipërisë Etnike” nën okupim. Pra, u bënë kolaboracionistë.
Kur themi bashkëpunëtorë të pushtuesit, kjo s’do të thotë thjesht ulje në tryezë me të, por pjesëmarrje në zbatimin e strategjisë së pushtuesit, duke minuar çdo përpjekjeje popullore për rezistencë, duke spiunuar, arrestuar, burgosur dhe vrarë vëllezërit e tyre shqiptarë për t’ia bërë të huajit sundimin të mundshëm dhe të lehtë. U bënë armiq të vendit të tyre dhe “Armiqtë miq i zunë”, ka thënë për ta Naimi tek “Tradhtarët”.
Mjafton të lexosh shtypin e asaj kohe dhe bindesh për batakun moral në të cilin kishin rënë shumica e atyre që edhe sot i shiten popullit shqiptar për “nacionalistë” dhe atdhetarë të klasit të parë. Kur lexon lavdërimet që i thurnin mbretit Zog kur ishte në fron, përbaltjen që i bënë më vonë atij dhe hyjnizimin e Italisë Fashiste, pastaj baltosjen politike të Italisë së mundur dhe parfumosjen politike të Gjermanisë Naziste të sapombërritur në Shqipëri, nuk mund të mos stepesh nga shkalla e lartë e degradimit moral të një pjese të madhe të elitës politike të kohës.
Janë këta “Baballarë të Kombit” që, siç thoshte ambasadori amerikan i kohës në Tiranë, duke qenë thjeshtë kukulla të Italisë, i shpallën luftë Greqisë, duke i mundësuar kështu politikës antishqiptare greke pretendimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë, atëherë dhe më vonë, dhe duke i dhënë asaj një kartë në dorë për ta paraqitur Shqipërinë si pjesëtare e fuqive pushtuese dhe njëherësh humbëse të luftës. Dhe, jo vetëm kaq. Ata shkuan deri atje sa t’iu shpallin luftë edhe Anglisë e SHBA-së.
Me ardhjen e Gjermanisë naziste i ofruan asaj shërbimet e tyre, duke u justifikuar me propagandën e pushtuesit, i cili pretendonte se ishte kalimtar dhe se do të realizonte bashkimin e gjithë trojeve shqiptare. Bënë kështu gjithçka kishin bërë e bëjnë tradhtarët e të gjitha kohërave. Dhe patën fatin e tradhtarëve. Ikën së bashku me pushtuesin. Ikën si tradhtarë dhe, pas vitit 1945, filluan të ktheheshin në Shqipëri si spiunë dhe terroristë pasi, siç thoshte Abaz Ermenji, Perëndimi po i përdorte si kavie laboratori.
Shqipëria Etnike si alibi e tradhtisë kombëtare
Në propagandën e dikurshme, por edhe të tanishme të ideologëve dhe avokatëve të Ballit Kombëtar, (Balli Kombëtar përbën vetëm një pjesë të të vetëquajturve “nacionalistë”), mund të gjesh disa qëndrime ndaj pozicionimit politik dhe atdhetar të kësaj organizate gjatë luftës. Disa pretendojnë se B. Kombëtar nuk bashkëpunoi kurrë me pushtuesin dhe madje e luftoi atë, të tjerë e kanë pohuar bashkëpunimin me pushtuesit dhe janë përpjekur ta justifikojnë me dëshirën për krijimin e Shqipërisë Etnike, apo me përpjekjet për të mos lejuar ardhjen e komunistëve në pushtet.
Disa historianë të sotëm rreken të na bindin se Balli Kombëtar ishte po aq i fuqishëm sa Fronti NÇL, por “e humbi betejën me komunistët”. Ne, qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, na lindin disa pyetje që kërkojnë domosdoshmërisht përgjigjet e duhura. Nëse nacionalistët shqiptarë e donin vendin pa pushtues të huaj dhe kishin vullnetin për ta luftuar pushtuesin, si shpjegohet që disa “çunakë”, (kështu i quanin nacionalistët komunistët dhe ata që iu shkonin pas), që pak kush i njihte arritën të bëjnë për vete dhe të angazhojnë në luftë më shpejt dhe më shumë shqiptarë se “baballarët e kombit”, këta burra të pjekur, të shkolluar, të ardhur nga “familje të mëdha”, me shumë lidhje fisnore, shoqërore dhe politike, për shkak të posteve të mbajtura në administratat publike? Nëse Balli Kombëtar pati forca të barabarta me FNÇL, si shpjegohet që Fronti paska luftuar në të dy krahët, kundër pushtuesve, (këtë e pranojnë ky takëm historianësh), dhe kundër Ballit dhe në fund triumfoi mbi Ballin, megjithëse ky i fundit “nuk luftoi” kundër Frontit dhe, madje as kundër pushtuesve (të paktën atyre gjermanë)? Nëse komunistëve, të cilët në prill 1939 nuk ishin as 50 vetë, iu deshën mbi dy vjet të krijojnë një parti dhe katër vjet të krijojnë brigada luftarake dhe Shtab të Përgjithshëm, përse nacionalistëve, të cilët ishin të shumtë dhe me shumë njohje dhe mundësi organizimi, iu desh një kohë më e gjatë për të krijuar partinë (organizatën) e tyre dhe kurrë nuk arritën të krijojnë formacione të mëdha luftarake dhe as kurrfarë lloj shtabi drejtues të luftës? Si shpjegohet që këta luftëtarë “të paepur” kundër pushtuesve, në traktin e parë të tyre, të lëshuar në 1942, thonë, “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”? Të bëjnë luftë, pasi të ketë mbaruar lufta? Kundër kujt?!
Pyetjet për të sqaruar “enigmat” që krijojnë qëndrimet kundërthënëse të BK nuk kanë fund. Nëse “nacionalistët” shqiptarë luftuan denjësisht kundër pushtuesve të huaj, si shpjegohet që misioni ushtarak i Amerikës antikomuniste u vendos vetëm pranë FNÇL dhe shumica e misioneve dhe ndihmave britanike, po ashtu, u përqendruan pranë këtij fronti? Pse pranë Shtabit Aleat të Mesdheut u thirr dhe u pranua vetëm përfaqësuesi i Frontit dhe askush nga formacionet e tjera politike shqiptare? Si shpjegohet që, ndërsa tri fuqitë më të mëdha që udhëhiqnin frontin antifashist botëror (SHBA, Angli, BRSS) e njohën zyrtarisht luftën e FNÇL, nacionalistët shqiptarë, jo vetëm që e mohuan, (siç bëjnë edhe tani), por kundërshtuan edhe njohjet e sipërpërmendura? Madje, këtu duhet përmendur fakti se Ahmet Zogu u tregua shumë me fisnik dhe atdhetar, duke i përshëndetur deklaratat e fuqive të mëdha që e çmonin këtë luftë.
Pavarësisht se në arkiva mund të gjenden dhe të përdoren, në mënyrë të përzgjedhur, shumë dokumente me të cilët mund të orientohen konkluzionet që dëshiron njëri apo tjetri, e vërteta e madhe është se nacionalistë të ndershëm dhe atdhetarë ka pasur në përbërjen e të gjithë formacioneve politike të kohës së luftës, se disa drejtues lokalë të Ballit Kombëtar kanë qenë të vendosur për luftë kundër pushtuesit dhe se ballistët, në tërësi, e kanë dashur Shqipërinë po aq sa komunistët dhe shqiptarët e tjerë, por udhëheqja qendrore e Ballit Kombëtar nuk e ka pasur përparësi luftën kundër pushtuesve. Asaj i interesonte më shumë pushteti i pasluftës.
Qysh përpara vitit 1990 kam pasur bindjen se propaganda komuniste e regjimit të kohës e kishte rënduar më shumë se duhej “biografinë” e Ballit Kombëtar, madje edhe duke e ironizuar dhe tallur me anë të librave, filmave apo literaturës politike. Mirëpo, ja çfarë i raportonte MPB nënprefekti i Fierit, Zef Pepaj, një nacionalist dhe simpatizant i BK, në maj 1944: “Ushtarët e BK filluen me u zhburrnue dhe ku shkonin për strehim, si edhe sot, filluen me kërkue mishna, raki etj., gja që na shnderon si shqiptarë. Disa pjesëtarë të organizatës lozin edhe bixhoz me shuma të mëdha. Kundërshtarët në fushën e luftës, komunistat, siç e thotë edhe vulgu, sillen krejt ndryshe, për dam, pra, të madh të Ballit… Ai (populli) pra mendon se vetëm Partia Komuniste asht shpëtimi i tij” (Shkresa Nr.1319, datë 23.5.1944).
Pavarësisht çfarë thuhet sot, Balli Kombëtar ishte një organizatë e paorganizuar politike, pa një drejtim serioz qendror dhe pa një orientim të qartë antifashist. Me përjashtim të disa formacioneve lokale periferike, kjo organizatë nuk krijoi kurrë një ushtri të rregullt dhe nuk pati një shtab drejtues. Ndërsa komunistët patën një organizim krejt tjetër dhe ruajtën një dokumentacion të bollshëm për veprimtarinë e tyre politike dhe ushtarake (madje, edhe dokumente që vërtetojnë fajet dhe krimet e kryer prej tyre), BK nuk u tregua aspak serioz dhe dinjitoz as me historinë e tij, (deri tani janë dhënë 4-5 data krijimi të tij), as me aktivitetin politik e ushtarak dhe as me platformën e tij politike (Dekalogu ishte shumë i shkurtër dhe i paqartë).
Qoftë dhe vetëm për këto fakte, ai nuk e meritonte ardhjen në pushtet pas luftës. Mirëpo është tjetër gjë paqartësia, pavendosmëria për shkak të frikës apo edhe mefshtësia për t’u organizuar dhe luftuar okupatorin dhe krejtësisht tjetër gjë bindja se ai nuk duhet luftuar. BK bëri fajin fatal sepse bashkëpunoi me pushtuesit. Bashkëpunoi duke pasur përfaqësues të tij të lartë në organet më të larta shtetërore e qeveritare të krijuar nga pushtuesit, duke angazhuar forcat e tij direkt në veprime luftarake përkrah pushtuesit dhe kundër forcave të FNÇL dhe duke bërë edhe marrëveshje me pushtuesin, siç ishte Protokolli Dalmazzo-Këlcyra i 15 marsit 1943.
Avokatët e BK janë përpjekur që të justifikohen me gjoja luftën për “Shqipërinë Etnike” dhe, njëkohësisht të akuzojnë komunistët se “kishin shitur Kosovën tek Jugosllavia”. Ka pasur dhe ka ende shumë kokëboshë dhe kokënxehtë që i besojnë dhe i propagandojnë këto broçkulla. Për të arsyetuar dhe gjykuar drejt rreth këtij problemi duhet t’u referohemi zhvillimeve faktike të kohës dhe me imagjinatë të shkojmë në realitetin që kishin krijuar rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare të viteve ’40 të shekullit të 20-të. Bota ishte ndarë në dy kampe. Njëri ishte ai i Fuqive të Boshtit (Gjermani, Itali, Japoni), që përbënin fuqitë pushtuese dhe tjetri ishte kampi që luftonte për çlirimin e vendeve të pushtuara dhe që konsiderohej si Kombet e Bashkuara. Ky kamp kryesohej nga SHBA, BRSS dhe Anglia.
Rendi botëror rregullohet sipas të drejtës ndërkombëtare dhe jo sipas dëshirave të grupeve të ndryshme politike apo etnike dhe aq më pak sipas të drejtës zakonore apo rregullave fisnore të banorëve të globit, qofshin këta edhe shqiptarë. Lufta e Dytë Botërore e gjeti Kosovën dhe territore të tjera shqiptare nën shtetin jugosllav. Kjo shkëputje e trojeve shqiptare nga Shqipëria dhe aneksimi i tyre prej një shteti tjetër kishte filluar me Kongresin e Berlinit (1878) dhe finalizuar me Konferencën e Londrës (1913). Pra, pavarësisht se në mënyrë të padrejtë, në vitin 1939 Kosova, dhe jo vetëm ajo, ishte de jure dhe de facto pjesë e Jugosllavisë.
Lufta e Dytë Botërore sillte dy mundësi: Ose do të fitohej nga ushtritë pushtuese të Boshtit, ose nga popujt dhe shtetet liridashës që përbënin grupimin e madh botëror antifashist. Ata që e njohin sadopak historinë e luftërave botërore e dinë shumë mirë se shteti pushtues, para se të nisë ushtritë bën diversionin ideologjik dhe moral ndaj viktimës së ardhshme. Nëse arrin të pushtojë mendjen dhe shpirtin e popullit objekt sulmi, përdorimi i armëve të pushtimit fizik bëhet i panevojshëm, ose pakësohet së tepërmi. Në këtë kuadër ishte edhe “oferta” e Shqipërisë Etnike. Po të dëgjosh propagandën e nacionalistëve tanë të krijohet ideja se përgatitjet për luftë dhe ardhjet e ushtrive italiane e gjermane në vendin tonë ishin bërë për të krijuar “Shqipërinë Etnike”.
Jo rrallë herë përpiqen të na bindin se ushtria gjermane nuk ishte pushtuese e Shqipërisë, por kalimtare. Ardhja e forcave gjermane në Shqipëri ishte pjesë e planeve operative dhe strategjike të luftës dhe i shërbente realizimit të parullës hitleriane që thoshte: “Sot sundojmë Gjermaninë, nesër do të sundojmë botën”. Pushtimi i territorit shqiptar synonte pengimin e zbarkimeve ajrore të aleatëve në rajon dhe, rrjedhimisht, zaptimin dhe mbajtjen e kësaj hapësire për qëllimet e ardhshme. Nuk nevojiten 14 muaj për të përshkuar 300 kilometër rrugë.
Nëse “Baballarët e Kombit” kishin shpresën dhe dëshirën të fitonin ushtritë e boshtit, të cilat gjithë bota i konsideroi pushtuese, kjo është puna e tyre. Nëse do të ndodhte kjo edhe mund të bashkoheshin tokat shqiptare në një shtet të vetëm, por ky do të ishte një shtet i pushtuar nga dikush tjetër dhe kukull në duart e atij pushtuesi. Po të kenë besuar në këtë është njëlloj si të besosh se, meqë të kanë rënë flokët në shesh të kokës duhet ta rruash krejt kokën që të dukesh flokëkaçurrel. Ballistët dhe zyrat e tyre të gënjeshtrave, nga njëra anë pretendonin se gjermanët do të realizonin “Shqipërinë Etnike” dhe, nga ana tjetër, i quanin ata kalimtarë. Si mundet një “kalimtar” të realizojë ndryshime territoriale dhe politike jetëgjata?
Ata që i ishin bashkëngjitur koalicionit antifashist botëror besonin dhe luftonin që rendi botëror pas luftës të rregullohej sipas parimeve të këtij koalicioni. Në gusht 1941 u firmos Pakti i Atlantikut nga SHBA dhe Anglia, në të cilin, ndër të tjera, parashikohej se “Pas luftës nuk do të njihej asnjë ndryshim territorial i bërë gjatë luftës…”. Këtë besonte edhe FNÇL dhe këtyre parimeve duhej t’iu përmbahej edhe për çështjen shqiptare. Ky front, së bashku me atë jugosllav, ishin pjesë e frontit botëror antifashist. Drejtuesi i frontit antifashist jugosllav, Josif B. Tito kishte thënë se, “E ardhmja e Kosovës do të vendoset prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë me Jugosllavinë pas luftës, nëse do të jetë e nevojshme, do të rregullohet në të mirë të Shqipërisë”(Josip Broz Tito-PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File Nr.37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, f.38).
Po të gjykohet me mendjen e viteve të luftës këtu ka një kohezion të plotë midis parimeve të Aleatëve dhe qëndrimeve të Fronteve NÇL të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. As Shqipëria e A. Zogut, as ajo e E. Hoxhës dhe as ajo e pas 1990 nuk mund ta merrnin Kosovën me mënyra të tjera përveçse me marrëveshje bilaterale dhe ndërkombëtare. Të tjerat janë përralla që atdhetarët falsë ua shesin mendjeve boshe, tash 75 vjet pa ndërprerje. Madje, vitet e pas 1990 e vërtetuan plotësisht këtë fakt. Ndonëse në mungesë të Luftës së Ftohtë (siç pretendohet), në rrethanat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të lidhjeve të Shqipërisë me vendet perëndimore, Kosova, jo vetëm nuk është bashkuar me Shqipërinë, por ajo nuk është ende as e pavarur (duke marrë parasysh praninë faktike ndërkombëtare me atribute të pushteteve administrative dhe juridike).
Balli Kombëtar dhe “nacionalistët” e tjerë patën pretenduar se PK dhe FNÇL e prishën Marrëveshjen e Mukjes për shkak të Kosovës dhe të influencës jugosllave. Kur lexon korrespondencën e E.Hoxhës me Ymer Dishnicën, para dhe pas Mukjes bindesh se shkaku i vërtetë i prishjes ishte perspektiva e pushtetit në Shqipëri dhe aspak Kosova. Nuk ishte Kosova, sepse çfarë thuhej në marrëveshje përputhej me përfytyrimin e të dy fronteve (shqiptar dhe jugosllav) për të ardhmen e pasluftës. Po të kishte qenë Kosova shkak i prishjes së marrëveshjes kujt do ia mbante të bënte Konferencën e Bujanit pesë muaj më vonë? Në Konferencën e Bujanit (31 dhjetor 1943-2 janar 1944) morën pjesë komunistët nga Shqipëria, Kosova dhe Jugosllavia dhe aty u vendos zgjidhja e problemit kosovar me anë të parimit të vetëvendosjes. Si shpjegohet atëherë që pas kësaj konference nuk paska pasur ndërhyrje jugosllave dhe vetë Hoxha nuk e hodhi poshtë atë? Konferenca e Mukjes u prish nga Hoxha, sepse rezolucioni i saj për krijimin e një Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë (një lloj qeverie e parakohshme), e vinte PKSH-në në pozita inferioriteti numerik megjithëse në frontin e luftës ishte superiore, në numër, në përkrahje dhe në kontribut. Cili formacion politik në botë do të pranonte të ndryshonte, i ulur këmbëkryq në livadhe, ato raporte që ishin krijuar me luftë dhe sakrifikim të jetëve njerëzore?
Bashkëpunimi i BK dhe “nacionalistëve” të tjerë me pushtuesit vërtetohet nga dhjetëra dokumente të huaja të kohës. Komandanti i forcave gjermane në Shqipëri, gjenerali Herman Nojbaher, shkruante: “Burrat e BK kurrë nuk u ndeshën me trupat tona. Ata i përdornin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit… Prapavija jonë mbrohej nga banditë shqiptarë nën drejtimin e fiseve dhe të klaneve të tyre. Ata na mbronin në radhë të parë nga partizanët…”. Të vetëquajturit nacionalistë shqiptarë krijuan me dhjetëra “Besëlidhje” e marrëveshje për luftë kundër komunistëve, por asnjë për luftë kundër pushtuesve. Krerët e parisë së Matit bënë një Besëlidhje Antikomuniste në 1942 dhe vendosën që, “Ne, me Italinë Fashiste, jemi vëllezër të një nëne e të një babe, që është Mbreti Perandor, prandaj kush e fyen me fjalë këtë, kush ngre dorën kundër Italisë, do ta shfarosim dhe përjashtojmë për tre vjet dhe do t’i konfiskojmë pasurinë e tundshme dhe të patundshme”, (Gazeta “Tomorri”, 7 nëntor 1942).
“Nacionalistët” shqiptarë të BK dhe Legalitetit, të cilët akuzonin PKSH për “shitjen e Kosovës”, në fund të vitit 1944 dhe në vitet pas Çlirimit, hynë në marrëveshje edhe me politikanët grekë, edhe me komunistët e Titos, për të koordinuar veprimet për shmangien dhe, më vonë, rrëzimin nga pushteti të komunistëve shqiptarë, duke hequr dorë nga territoret shqiptare jashtë Shqipërisë së sotme, e duke pranuar krijimin e federatave me këto shtete, duke lëshuar mbrojtjen (Ministrinë e Mbrojtjes) dhe përfaqësimin diplomatik (Ministrinë e Jashtme) të Shqipërisë në duart e atyre shteteve.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që të quhen tradhtarë ata që luftojnë pushtuesin dhe atdhetarë ata që i shërbejnë atij.
“Lufta Civile” si makijazh për fytyrat e nxira nga tradhtia
Dhimbja e gjatë dhe e pashërueshme e shkaktuar nga humbja e pushtetit dhe nga pësimet e mëvonshme, (të drejta dhe të padrejta), kanë bërë që “Baballarët e Kombit”, pasardhësit biologjikë dhe avokatët e tyre moralë e politikë ta shpallin LANÇL si “luftë civile”. Po të bazohesh në propagandën e tyre të krijohet ideja se FNÇL në përgjithësi dhe komunistët, si pjesë e tij, në veçanti, ishin një grumbull kriminelësh që luftonin vetëm për pushtet, që s’kanë lënë gjë pa bërë, ndërsa ata vetë, ballistë, zogistë, nacional-fisnoristë, bejlerë, agallarë e bajraktarë ishin jo vetëm ajka e shoqërisë, por edhe paqësorë, tolerantë, atdhetarë dhe demokratë 24-karatësh që s’i hante fare meraku për pushtet fisnor, krahinor apo kombëtar. Është vërtetë për të qeshur dhe njëherësh për të qarë.
Në luftë, ashtu si në paqe, nuk ndodh asnjëherë që njerëzit të ndahen në grupe ku njëri përfaqëson vetëm engjëjt dhe tjetri vetëm djajtë. A kanë bërë Fronti dhe komunistët gabime dhe faje gjatë luftës? Pa asnjë dyshim që po. Siç thoshte W. Churchill, “Lufta është kryesisht një katalog gabimesh të rënda”. Njerëzit bëjnë gabime e faje në paqe, në dasma e në lojëra sportive, e jo më në luftë. Vetë lufta është gabimi dhe faji më i madh, për të cilën është përgjegjës personi apo shteti që sulmon të tjerët dhe jo ai që mbrohet. Lufta ka ligjet e saj, të cilët paqja nuk i kupton. Mirëpo është tjetër gjë të bësh gabime dhe faje duke luftuar pushtuesin e vendit dhe është krejtësisht tjetër gjë të bashkëpunosh me pushtuesin. Bashkëpunimi me pushtuesin është i tëri faj. Karakteri i luftës dhe vlerat e saj nuk përcaktohen nga ekseset që ndodhin gjatë saj, por nga synimi i luftës dhe nga fakti kundër kujt drejtohet ajo.
Edhe sikur pretendimet e “nacionalistëve” të ishin 100% të vërteta, kjo nuk do të justifikonte kurrë bashkëpunimin dhe shërbimin e tyre ndaj pushtuesit. E shumta do të mirëkuptohej një qëndrim neutral. Atdhetarët e vërtetë kanë zgjedhur të jetojnë nën diktaturat e Zogut, Hoxhës apo pasardhësve të tyre dhe kanë kundërshtuar të ndihmojnë të huajt të pushtojnë vendin e tyre.
Ata që bashkëpunuan me pushtuesit nuk ishin as atdhetarë dhe as demokratë, siç na shiten sot në tregun shqiptar të trushplarjes. Ata nuk ishin demokratë, sepse ishin pro dy diktaturave, dy diktatura (Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste), të cilat ishin të tilla në planin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kështu që bie poshtë alibia e tyre e bashkëpunimit me nazifashistët për të parandaluar një diktaturë komuniste në Shqipëri. Ata nuk ishin atdhetarë, sepse ishin dakord me pushtimet e atdheut nga dy diktatura të huaja dhe, për t’i lehtësuar këto pushtime, iu kundërvunë me të gjitha mjetet bashkatdhetarëve të tyre që ngritën krye ndaj pushtuesve. Ata quanin “çlirimtarë” vendet e huaja që okupuan gjithë Shqipërinë dhe quanin “pushtues” (madje edhe sot përdorin termin “pushtimi komunist”), vëllezërit e tyre shqiptarë vetëm pse iu zunë karriget e pushtetit. Kjo do të thotë se për ta pushteti personal apo familjar ishte më i rëndësishëm se Shqipëria. Midis një Shqipërie të pushtuar nga të huajt që iu siguronte atyre një pushtet kukull dhe një Shqipërie pa pushtues, por me kundërshtarët e tyre në pushtet, ata preferonin të parën.
“Nacionalistët” tanë që hiqen si pasivë dhe si viktima nuk ishin kurrsesi të tillë. Kreu i BK, Mit’hat Frashëri i drejtonte në 7 tetor 1943 një Qarkore forcave të tij, ku iu thoshte: “Të sulmohen forcat partizane dhe të bëhet propagandë kundër FNÇL” (Fondi 270, Dosja 11, AQP). Njëri nga eksponentët kryesorë të BK, Abaz Ermenji, thoshte se, “Balli Kombëtar, që kishte shumicën në numër, çoi në këmbë fuqitë e veta të qarqeve të Beratit, Elbasanit dhe Korçës dhe nga gjysma e nëntorit 1943 u hodh në sulm të përgjithshëm kundër komunistëve në një vijë që shkonte prej Mallakastrës në të gjitha pikat dhe u tërhoqëm në malësi të Përmetit dhe në Kurvelesh”. Ky pohim i tij, që përkon në kohë dhe në hapësirë me operacionin gjerman të dimrit 1943-1944, tregon qartë se BK ishte shndërruar në një repart ushtarak ndihmës i pushtuesve.
Si “dëshmi” të luftës civile avokatët e kësaj teorie përmendin disa përplasje midis dy palëve të shoqëruara me vrasje apo eksese të tjera. Në periudhën e luftës gjen me shumicë qëndrime që për nga pasojat e rënda janë të pakrahasueshme me “dëshmitë” e avokatëve të përmendur. Menjëherë pas sulmit japonez në Pearl Harbour të SHBA në dhjetor 1941, shteti amerikan grumbulloi dhe izoloi në kampe përqendrimi mbi 120 mijë japonezo-amerikanë, gra, burra, pleq e fëmijë, shumica shtetas amerikanë. E justifikoi këtë me frikën e një bashkëpunimi të mundshëm me ushtrinë japoneze në rast të një sulmi tjetër. Në vitin 1944 Gjykata e Lartë amerikane e konsideroi këtë veprim si kushtetues.
Në shkurt-prill 1945 ushtritë anglo-amerikane bombarduan disa qytete gjermane. Vetëm në Drezden u vranë mbi 50 mijë gjermanë, shumica civilë. Pa përmendur bombat bërthamore në Hiroshima e Nagasaki, incidentet dhe ekseset e luftës kanë qenë të tmerrshme. A janë këto “luftë civile” apo “krime lufte”? Natyrisht që pyetjet nuk shtrohen për të marrë përgjigje nga pasardhësit e bashkëpunëtorëve të pushtuesve të Shqipërisë dhe avokatët e tyre të veshur me kostume historianësh.
Duke e njohur aktivitetin e forcave nacionaliste në Shqipëri, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Mesdhe, gjenerali Willson, i paralajmëronte ato në qershor 1944: “Çdo përkrahje për ushtrinë gjermane kundër forcave të armatosura të Kombeve të Bashkuara, si dhe kundër gjithë atyre që janë në krah të Kombeve të Bashkuara me rezistencën kundër gjermanëve, janë të paralajmëruar se do të trajtohen si armiq, edhe tani edhe ditën e ardhshme të Çlirimit”.
Mbas luftës shumë bashkëpunëtorë të pushtuesve ikën nga Shqipëria dhe disa të tjerë u dënuan ashpër. Duke përjashtuar ata individë që mund ta kenë pësuar padrejtësisht (për këta duhet të kemi dhimbje, respekt dhe nderim), të tjerët morën çfarë meritonin. Këto dënime dhe të tjera të mëvonshme që iu dhanë krerëve kuislingë, si dhe një tufe individësh injorantë që iu bashkuan atyre me armë në dorë prej mentalitetit fisnor e krahinor, disa historianë të sotëm fundamentalistë i numërojnë si fakte që provojnë “luftën civile”. Kolaboracionistët shqiptarë morën atë ndëshkim që iu dha homologëve të tyre në Evropën Perëndimore. Historiani dhe profesori i Universitetit të Harvardit, Walker Laqueur thotë: “Pas Luftës së Dytë Botërore në zonën britanike u shqyrtuan më shumë se dy milionë raste gjatë denazifikimit…Në Belgjikë (me 8 milion banorë) u hapën 634 mijë çështje penale dhe 77 mijë vetë u dënuan si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Në Holandë 150-200 mijë burra e gra u hetuan si bashkëpunëtorë… Në Francë u dënuan 120 mijë vetë, duke përfshirë 4785 dënime me vdekje (prej të cilëve u ekzekutuan 2 mijë)…Midis të ekzekutuarve kishte edhe shkrimtarë dhe gazetarë” (“Europa në Kohën Tonë”, f.23-24 dhe 28).
Ish-kryeministri kuisling Mustafa Kruja, në kërkesën e tij për azil politik në SHBA në vitin 1952, ndër të tjera thotë: “Ja, kështu u bëra edhe unë një kuisling, u bëra Peteni i Shqipërisë…” (Panorama, 2 maj 2014). Mirëpo Philip Petain, edhe pse ishte heroi francez në Luftën e Parë Botërore, Franca e dënoi me vdekje. Kështu bëri edhe Norvegjia me Vidkud Quisling-un. Atëherë, përse ankohen kuislingët tanë? Vetëm sepse këta i dënoi një regjim komunist?
Janë me mijëra shqiptarë që kanë të drejtë të ankohen për padrejtësi dhe përndjekje të pësuara gjatë regjimit komunist, por këtë të drejtë nuk e kanë bashkëpunëtorët e pushtuesve. Përpara se të kërkojnë llogari për 45 vitet e regjimit të pas 1944 ata duhet të japin llogari për bëmat e tyre gjatë 5 viteve të pushtimit (1939 – 1944). Këtu e kanë zanafillën shumica e ndëshkimeve dhe pësimeve të ndodhura më vonë.
Edhe sikur ta marrim të mirëqenë mëtimin “nacionalist” për luftë civile, atëherë faji do të binte mbi atë palë të “konfliktit civil” që kishte zgjedhur të rreshtohej me pushtuesin. Në të vërtetë nuk ka pasur luftë civile, por vetëm konflikte midis atyre që si rrugë për të ardhur në pushtet kishin zgjedhur luftën kundër pushtuesve dhe atyre që ardhjen në pushtet donin ta arrinin nëpërmjet bashkëpunimit me pushtuesit. Edhe vetë motot e dy krahëve politikë e tregojnë këtë. FNÇL udhëhiqej nga motoja “Vdekje fashizmit, liri popullit!”, ndërsa “nacionalistët” kishin si moto “Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”. Dhe dihet se ata quanin tradhtarë komunistët, ndërsa aleanca botërore antifashiste i konsideronte ballistët si kolaboracionistë të pushtuesve (tradhtarë). Pra, Fronti Nacionalçlirimtar, në të cilin ishin bashkuar atdhetarët “pa dallim krahine, feje e ideje”, kërkonte vdekjen e fashistëve, ndërsa Balli donte vdekjen e luftëtarëve çlirimtarë që udhëhiqeshin nga komunistët.
Pse duhet nderuar Lufta Nacionalçlirimtare
Lufta NÇL nuk duhet nderuar dhe respektuar pse atë e udhëhoqën komunistët dhe pse ajo drejtohej kundër fashistëve. Luftën e bëri populli shqiptar. Merita e komunistëve qëndron në udhëheqjen e luftës dhe në refuzimin e çfarëdo pushteti politik të dhuruar nga pushtuesit e vendit (dokumentet provojnë se ata patën dy takime dhe propozime nga gjermanët për pushimin e luftës në këmbim të pushtetit të plotë politik). Lufta do të mbetej e lavdishme edhe sikur ta kishte drejtuar një formacion tjetër politik, edhe sikur të drejtohej kundër një diktature pushtuese të majtë (siç ishte BRSS -ja e kohës së Luftës së Ftohtë). Edhe sikur Aleanca Antifashiste Botërore të humbte luftën kundër fuqive të Boshtit, vlerat e LANÇL nuk do të humbnin, sepse ajo ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e moralshme. LANÇL nuk është e lavdishme pse Shqipëria mundi Italinë apo Gjermaninë (kjo nuk është pretenduar kurrë, dhe do të ishte absurditet), por sepse Shqipëria dha kontributin e saj të rëndësishëm, (në raport me popullsinë), në kuadrin e ballafaqimit midis dy botëve, asaj të shtypjes dhe asaj të çlirimit kombëtar.
Vlerat kryesore të luftës nuk qëndrojnë thjesht në numrin e të rënëve apo në madhësinë e betejave. Vlera e parë e saj qëndron në faktin se sikur gjithë vendi të bashkëpunonte me pushtuesit, rregullimet territoriale të pasluftës do të kishin shkuar në favor të fqinjëve që ishin pjesë e Aleancës Antifashiste, e cila rezultoi fituese, dhe territori i shtetit shqiptar do të cungohej akoma më shumë. Ata që ndanë Gjermaninë në dy pjesë (fillimisht donin ta ndanin në katër pjesë) dhe që cunguan disa shtete të Evropës Lindore, nuk do të ngurronin të kënaqnin aleatët e vet në kurriz të një “kapteri rezervist” të Gjermanisë. Vlera e dytë e luftës qëndron në faktin se shmangu paraqitjen e shqiptarëve para bashkësisë së kombeve si një popull pa dinjitet që i përkulet, i shërben dhe i nënshtrohet cilitdo pushtues që i hyn në shtëpi pa trokitur. LNÇL mbetet e rëndësishme sa për të shkuarën po aq edhe për të sotmen dhe të ardhmen, sepse është kriteri moral me të cilin edukojmë brezat. Vetëm një popull që nderon luftëtarët e lirisë kombëtare dhe përçmon puthadorët e pushtuesve mund të radhitet me dinjitet në familjen e kombeve.
Nacionalisti Kostë Çekrezi i shkruante në vitin 1945 mikut të tij Qazim Prodani: “Qofshin 5% ose 50%, ata (partizanët-V.M.) janë burrat që luftuan burrërisht gjer në fund, pa u trembur as nga kapadainjtë qesharakë të Duçes, as nga automatët e fanatizuar të Fyhrerit dhe e fituan luftën për nder të Shqipërisë, duke shlyer njollat e zeza që la në faqet e historisë tonë katili i Matit, palaçot e ceremonive tradhëtore të prillit 1939 dhe duaxhinjtë e Hitlerit, të dënuar me çdukje”.
Ne nderojmë dhe u ngremë varreza ushtarakëve të huaj që ranë në tokën tonë por, nga ana tjetër, u prishim varrezat dhe objektet përkujtimore luftëtarëve shqiptarë. Ne e quajmë krenari dhe nderojmë dërgimin e ushtarëve tanë sot nëpër shkretëtirat e Azisë për të luftuar për interesat e të tjerëve, por përçmojmë dhe fyejmë bijtë dhe bijat shqiptare që dhanë jetët e tyre brenda territorit shqiptar për mbrojtjen e tij. Të përçmosh dhe fyesh Heronjtë e Vigut dhe të nderosh Gjonmarkajt, vrasësit e tyre, një shtëpi që ka mbajtur qëndrime antikombëtare dhe ka bashkëpunuar me të gjithë pushtuesit e huaj tash 150 vjet, kjo do të thotë të veprosh kundër moralit shoqëror, kundër interesave kombëtare, kundër të sotmes dhe të ardhmes së vendit. Revanshi që kanë ndërmarrë armiqtë e të vërtetës dhe të së drejtës tash 24 vjet është sulmi që vesi i bën virtytit, që tradhtia i bën atdhetarizmit, egoizmi idealizmit dhe pasioni arsyes.
Të krenohesh se bën pjesë në një aleancë ushtarake të sotme, ku luan rolin e intendentit kundër armiqve imagjinarë të së nesërmes dhe, nga ana tjetër, të mohosh dhe fyesh pjesëmarrjen aktive dhe konkrete në fushën e luftës kundër armiqve të përbashkët pushtues, siç ishte Aleanca Antifashiste e Luftës së Dytë Botërore, kjo do të thotë të tallesh me historinë, me të vërtetën por edhe me popullin tënd.
Respekti dhe nderimi shkon për të gjithë ata që morën vendimin për të lënë rehatinë personale dhe për të rrezikuar jetën e tyre kundër pushtuesve, duke përfshirë këtu edhe ata anëtarë të BK apo Legalitetit që dhanë jetën duke qenë përballë pushtuesit, por jo ata që u vranë me shpinë nga pushtuesi. Ata që u flijuan, shkuan në luftë për lirinë kombëtare dhe jo për t’u pasuruar, për t’u marrë me biznes, tendera, korrupsion, drogë apo bixhoz siç po bëjnë shumë “atdhetarë” të pas 1990.
Ne nuk mund të presim që lufta dhe luftëtarët të nderohen nga tradhtarët, sharlatanët, hajdutët, kontrabandistët, shtetrrënuesit dhe baballarët e kaosit shoqëror dhe zvetënimit moral të këtyre 24 viteve. Ne nuk duhet të kërkojmë mend e këshilla për objektet e nderimit tonë as nga ndonjë përfaqësues i ndonjë shteti të huaj, historia e të cilit fillon me pushtimet, kolonializmin, skllavërinë, segregacionin dhe vazhdon ende sot me pushtimin e vendeve të tjera për t’iu grabitur naftën dhe pasuri të tjera. Njeriu që ka dinjitet personal nuk mund të pranojë këshilla mbi të drejtat e njeriut nga diplomatë të vendeve, shtetet e të cilëve paditen thuajse çdo vit për krime kundër njerëzimit nga Amnisty International.
Armiq të LANÇL ndodhen sot edhe në korridoret e pushtetit aktual dhe sillen si hije pas drejtuesve qeveritarë. Ndonjëri prej tyre ka arritur të thotë se do kishte qenë krenar po të kishte qenë ministër i qeverive kuislinge të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa një llafazan tjetër u shpreh në një emision televiziv para pak vitesh se, “Si ata që luftuan pushtuesin, ashtu edhe ata që bashkëpunuan me të i shërbyen Shqipërisë sipas mënyrës së tyre”. Pra, sipas këtij farë burri, si luftëtarët e lirisë ashtu edhe puthadorët e robëruesit kanë të njëjtat vlera. Këta i përkasin asaj kategorie që, edhe po të gjejnë ndonjë të huaj në krevatin bashkëshortor i urojnë punë të mbarë, mjafton që gruafjetësi t’iu sigurojë ndonjë privilegj politik e, sidomos, ekonomik.
Njëri nga historianët e xhindosur të sotëm, për të minimizuar vlerat e LANÇL pohoi se frytet e luftës nuk shkuan në shërbim të popullit. Kjo tezë bëhet e pranueshme vetëm nëse me fjalën “popull” identifikojmë 5% të shqiptarëve që u ndëshkuan apo e pësuan (me apo pa të drejtë) gjatë regjimit komunist. Përndryshe, diskutimi do të ishte shumë i gjatë dhe fundi i palakmueshëm për të xhindosurit e sotëm.
Për ata që vajtojnë mosardhjen në pushtet të “nacionalistëve” pas L2B më duhet t’iu kujtoj se Shqipëria e 1944 ishte Shqipëria që na lanë pikërisht këta “Baballarë të Kombit”, ajo Shqipëri për të cilën diplomati italian i viteve ’30, Pietro Quaroni, thoshte: “Pikërisht në Shqipëri unë kam kuptuar çfarë ka qenë jeta në vendet e tjera të Europës rreth vitit 1000″ (Valixhja Diplomatike, f. 89). Ndërsa majori anglez Richard Ridell, në vitin 1943, thoshte: “O Zot! Paskam ardhur në Mesjetë” (“Tema”, 21.06.2011).
Dëshmia më e hershme dhe më e drejtpërdrejtë e personalitetit të “Baballarëve të Kombit” gjendet në faktin që për gati 20 vjet, i tërhoqi nga hunda dhe i solli rreth gishtit një katundar nga Mati, të cilit, me gjithë kërkimet dëshpëruese të ithtarëve, as sot nuk i është gjetur ndonjë autograf a fletë e shkruar, pa le t’i gjesh diplomën e shkollës së mesme.
Është e sigurt se, sikur luftën ta fitonin Fuqitë e Boshtit, këta “baballarë” do i kishin shkuar në hell të gjithë luftëtarët e lirisë, të majtë, të djathtë e të paparti.
Prandaj, Lufta Nacionalçlirimtare, së bashku me Epopenë e Skënderbeut dhe Shpalljen e Pavarësisë përbëjnë tri ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
***Marrë nga gazeta DITA
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi