Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zbulohet thesari i rrallë shqiptar në New York

Shko poshtë

Zbulohet thesari i rrallë shqiptar në New York Empty Zbulohet thesari i rrallë shqiptar në New York

Mesazh nga Lupi Tue Feb 28, 2012 7:51 pm

Zbulohet thesari i rrallë shqiptar në New York 42976810

Një pasuri të madhe kulturore të cilën Muzeu Metropolitan i New York-ut e mban me krenari në një nga sallat qendrore të saj, por që Shqipëria vendi nga ky thesar ka ardhur as që e ka dëgjuar ndonjëherë. "Thesari Shqiptar" i zbuluar në fshatin Vrap të periferisë së Tiranës, është prej koleksioneve shumë të rëndësishme që ky Muze i njohur ekspozon në galeritë e tij. I vendosur pranë koleksioneve të tjerë të famshëm "Thesari Shqiptar" i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të njohur të cilët akoma edhe sot nuk kanë mundur të japin një përgjigje të saktë mistereve të shumta që mban ky thesar në historinë e tij, shkruan ‘Gazeta Shqiptare’.

I themeluar në 1870 nga një grup vizionarësh dhe filantropistësh amerikanë Muzeumi Metropolitan ka sot mbi 2 milionë objekte të rralla por vetëm objektet më të famshme janë të ekspozuara për publikun e gjerë. Ndër to edhe Koleksioni Shqiptar i Vrapit.



Koleksioni



Po çfarë është ky koleksion. Kush e ka gjetur dhe si ka mundur të largohet nga Shqipëria? Çfarë përfaqëson dhe kujt kulture i përket? Si ka përfunduar në këtë Muze kaq të famshëm dhe pse askush në Shqipëri nuk ka ndonjë ide të saktë mbi të? Sipas dokumenteve në arkivin e Muzeumit Metropolitan "Thesari Shqiptar" është shfaqur në tregun e antikuarëve në Romë diku nga pranvera e vitit 1910. Ky Thesar lidhet me emrin e konsullit austro-hungarez në Durrës, Remi de Kiatovski, një diplomat aristokrat i cili kishte disa vite që jetonte në Shqipëri. Mesa duket konsulli austro-hungarez i ardhur në Romë posaçërisht për një mision special që kishte lidhje me fatin e Thesarit Shqiptar kishte kontaktuar një prej njohësve më të mirë të tregut të objekteve arkeologjike në Romë, Ludwik Pollak. Dr. Pollak një arkeolog hebre gjerman dhe Drejtor i Muzeumit Barraco në Romë ishte jo vetëm një njohës i rafinuar i artit antik por edhe një dealer i njohur në tregun e trafikut të objekteve kulturore. Në letrën që konsulli Kiatovski i kishte dërguar përpara vizitës së tij në Romë, Ludwig Pollak ndër të tjera ai shkruante "dëshiroj t'ju prezantoj një thesar të veçantë Bizantin që gjenden në pronësinë time i zbuluar në zonën e Durrësit". Jo më shumë se një javë më pas nga takimi midis këtyre dy personazheve, Ludovik Pollak e prezanton koleksionin shqiptar agjentit të blerjeve të Muzeumit të Metropolitanit në Romë Xhon Marshall. Por, si kishte mundur që ky Thesar të binte në dorën e konsullit Austro-Hungarez të Durrësit? Pothuajse asnjë detaj nuk dihet se si ky Thesar është zbuluar në fshatin e Vrapit. Nuk kemi asnjë shënim të lënë nga dora e konsullit Kiatovski mbi gjetjen e objekteve të çmuara. E vetmja dëshmi mbi zbulimin e këtij Thesari vjen nga botimi i një studimi në 1917 nga studiuesi vienez Strygovski i cili gjithsesi nuk ka lënë shumë detaje mbi këtë zbulim. Prof. Strygovski shkruan se Konsulli austro-hungarez Kiatovski ju ka kërkuar autoriteteve Turke në Tiranë të hapnin një investigim mbi zbulimin e një qypi të madh me objekte të çmuara brenda tij, të gjetura nga një fshatar diku në rrethinat e Tiranës. " Në 1901 një fshatar shqiptar në fshatin e Vrapit zbuloi në tokën e tij një kazan bakri të cilin e mori për vete në shtëpi. Duke mos e çarë shumë kokën për objektet e tjera që ishin brenda në kazan ai ja shiti ato për tre mechide një shqiptari tjetër i cili i solli këto objekte në Kullën e tij në fshatin Arbane jo shumë larg nga Vrapi." Se çfarë ndodhi më tej dhe përse Konsulli Austro-Hungarez ka qenë i përfshirë në këtë histori nuk ka më asnjë dëshmi por duket se Kiatovski ka përdorur të gjithë influencën e tij pranë autoriteteve turke për ta shtënë në dorë këtë Thesar të zbuluar në Vrap. Pollak dhe Kiatovski mesa duket kanë ndjekur këshillën e Drejtorit të Metropolitan pasi kanë dërguar një seri fotosh të Koleksionit Shqiptar në adresën e J.P.Morgan. Fatkeqësisht për ta, në atë periudhë J.P.Morgan nuk ishte në Amerikë, por po lundronte në yachtin e tij të famshëm drejt Egjyptit për të parë kërkimet arkeologjike të cilat i sponsorizonte prej vitesh. Koleksioni i fotove të pa njohura për publikun e gjerë që i janë dërguar J.P.Morganit nga Roma tregon se objektet e Thesarit të Vrapit ishin fotografuar me mjeshtëri të lartë nga të dy personat të cilët në fshehtësi të madhe kërkonin që të shisnin këto objekte ari dhe argjendi tek një prej koleksionistëve më të mëdhenj të shekullit të 20. J.P.Morgan një financier dhe miliarder amerikan i cili i kishte bërë paratë e tija gjatë bumit të madh ekonomik amerikan pas Luftës Civile ishte një prej filantropistëve më të mëdhenj të kohës së tij. Prej vitesh ai kishte filluar të koleksiononte vepra arti jo vetëm në pikturën italiane të rilindjes por edhe vepra të rralla të antikitetit. Blerjet e tija ishin të famshme dhe antikuare nga e gjithë Europa kërkonin me çdo kusht që të vendosnin kontakte me miliarderin amerikan. J.P Morgan kishte në pronësinë e tij një numër të madh objektesh me vlera të rralla të cilat ai i blinte në udhëtimet e përvitshme që bënte në kryeqytetet europiane. Mbështetës i fuqishëm i kërkimeve arkeologjike në Egjipt, J.P Morgan kalonte një pjesë të madhe të kohës në vendin e Piramidave duke udhëtuar me jahtin e famshëm çdo pranvere nga Amerika për në Mesdhe. Reputacioni i tij si blerësi më i njohur i veprave të artit sigurisht e bënte atë që të merrte oferta nga më të ndryshmet të cilat në pjesën më të madhe i refuzonte. Njohës i thellë i artit klasik ai kërkonte veprat më të rafinuara dhe më të veçanta që mund t'i binin në dorë. Thesari Shqiptar i Vrapit me sa duket kishte qenë një prej këtyre ofertave të cilën pasi kishte parë fotot e dërguara nga Roma J.P.Morgan e kishte refuzuar. Tregu i antikave dhe objekteve të artit në atë kohë ishte një treg shume i rafinuar por edhe i rrezikshëm. I mbushur plot me falsifikatorë profesioniste, tregtarë pa skrupuj dhe arkeologë të gatshëm të ofronin këshilla për atë që paguante më shumë ky treg ishte orientuar tashmë nga blerësit e mëdhenj amerikanë të cilët ishin të gatshëm të paguanin shuma të mëdha për të mbushur koleksionet e tyre private. Por, amerikanët e pasur me gjithë urinë e madhe që kishin për objekte arkeologjike ishin mjaft të kujdesshëm që objektet që blinin në tregun fluid të antikuarëve të mos ishin false. Për këtë arsye edhe J.P.Morgan kishte pajtuar në shërbimin e tij njohës të mirë të këtij tregu. Arsyet se përse J.P.Morgan nuk e bleu Thesarin Shqiptar nuk i dimë por nga Ditari i Dr. Pollak mësojmë se Konsulli austro-hungarez i Durrësit po bënte përpjekje të shumta që ky thesar t'i binte në dorë miliarderit Amerikan. Nga letërkëmbimi i ruajtur në arkiv mësojmë gjithashtu se një person shumë i interesuar për fatin e Thesarit shqiptar ishte edhe diplomati dhe koleksionisti austriak Kont Moris Palffy, i cili me sa duket është interesuar për të gjetur blerës kundrejt një përqind je nga shuma e shitur. Por, e thëna më interesante që del nga këto dokumente mbi prapaskenat e shitjes së këtij Thesari është fakti se Dr. Pollak dhe Konsulli i Durrësit Kiatowski janë përpjekur për të blerë shërbimet e dy studiuesve me famë botërore Profesorit Vienez Josef Strzygowski si dhe Wilhem Bode Drejtor i Muzeumit të Berlinit. Të dy personalitete të cilët kishin influencë mbi blerjet e J.P.Morganit në koleksionet e paraqitura në Europë. Sipas një prej letrave të Dr. Pollak lexojmë se Drejtori i Muzeumit të Berlinit kishte shkuar në Romë apostafat për të parë personalisht Thesarin Shqiptar dhe për t'i raportuar J.P.Morganit i cili priste në Firence sugjerimet e këshilltarit të tij. Jo më larg se një vit më parë Pollak me ndërhyrjen e Drejtorit të Muzeumit të Berlinit i kishin shitur J.P.Morgan një vepër të Donatelos dhe shpresonte se edhe kësaj radhe J.P.Morgan do blinte këtë Thesar të rrallë të ardhur nga Shqipëria. Por, me sa duket miliarderi amerikan e kishte refuzuar këtë blerje. Deri në këtë kohë shumë pak persona kishin dijeni mbi ekzistëncën e këtij Thesari i cili kishte mundur të tërhiqte vëmendjen e blerësit më të famshëm në Amerikë. Njeri prej personave të përfshirë në këtë aferë ishte edhe profesori vienez Stryzgoëski i cili pasi e kishte ekzaminuar me imtësi këtë Thesar kishte përgatitur një artikull shkencor për botim. Ka shumë mundësi që rëndësia që i jepte studimi i Profesorit Vienez këtij Thesari ka influencuar në vendimin e J.P.Morganit për ta parë personalisht këtë Thesar një vit më vonë. Një vit më vonë më në fund në Romë Kiatoëski qëndroi përballë me miliarderin e famshëm amerikan J.P.Morgan dhe për herë të parë i prezantoi atij të gjitha objektet prej ari dhe argjendi të Thesarit Shqiptar. Dhe kështu Thesari i gjendur nga një fshatar i Vrapit i shitur për tre mechideturke dhe i rënë në dorën e Konsullit austro-hungarez të Durrësit i ble për gjysëm milion franga nga legjendari amerikan J.P.Morgan. Studimi i Prof. Stryzgowski pati një efekt të jashtëzakonshëm në fatin e Thesarit Shqiptar. Jo vetëm mbi koleksionistin J.P. Morgan por shumë më gjerë në debatin shkencor që zhvillohej në qarqet intelektuale europiane mbi Artin Bizantin. I njohur pothuajse pak arti bizantin ishte një subjekt i ri studimi dhe si i tillë kishte pasur debate të shumta mbi origjinën dhe influencën që ky art kishte pasur në Europën kristiane. Thesari Shqiptar i Vrapit do të risillte një debat të fortë midis një sërë Bizantologësh të kohës mbi influencën e fiseve barbare në artin bizantin dhe lidhjet me fiset gjermanike të shekullit të 6 dhe 7 pas Krishtit . Megjithatë ishte Profesor Stryzgowski që për herë të parë hodhi idenë se ky Thesar i përkiste një popullsie pak të njohur dhe aspak të studiuar deri me atë kohë, popullsisë Avare. Shumë pak njihet mbi prejardhjen e popullsive Avare. Kronikani i shekullit të V Priskus flet për lëvizje të popullsive nga Azia Qendrore drejt Europës ku në mes tyre mendohet se ishin edhe Avaret. Ndërsa Kronikane të tjerë si Theophrates Bizantini apo Gregori i Turit dhe Paul Dekoni shkruajnë se Avarët ishin popullsi e ardhur së bashku me Hunet. Cilado qoftë e vërteta, Avarët mesa duket janë shfaqur në Europë në fillim të shekullit të 6 të erës sonë gjatë rënies përfundimtare të Perandorisë Romake dhe procesit të formimit të Perandorisë Bizantine. Avarët, një popullsi shumë luftarake e cila hyri në territoret Lindore të Perandorisë Bizantine në fillim si hordhi plaçkitësish dhe më vonë si kolonë, ishin një element i rëndësishëm në formimin e popullsive bullgaro-sllave. Pikërisht për një mori misteresh të lidhura me ekzistencën dhe pushtimet e këtyre hordhive barbare në Ballkan, Thesari Shqiptar i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve seriozë pas studimit të parë mbi të në 1920. Ky Thesar është ndër më të rrallët dhe përfaqëson kulturën e një populli luftëtar, por endacak i cili erdhi papritmas nga stepat e pafundme lindore duke sjellë ndryshime serioze në historinë e Ballkanit. Pasuesi i Profesor Stryzgowskit në çështjen e Thesarit Shqiptar të Vrapit është një tjetër studiues gjerman. Joachim Werner i cili për disa vite studioi objektet e thesarit të Vrapit si dhe u mundua që t'i jepte një përgjigje misterit të vendndodhjes së tij në territorin shqiptar. Ai vizitoi Shqipërinë në fillimin e viteve '80 dhe paraqiti një studimin të botuar për herë të parë në Vjenë. Në përfundimin e këtij studimi Werner e quajti thesarin e Vrapit "një thesar arkeologjik të përmasave europiane", por pa nxjerrë një përfundim të saktë mbi pronësinë apo rrethanat se perse ky Thesar gjendej në rrethinat e Tiranes. Megjithatë edhe të tjerë ekspertë që janë marre me studimin e thesarit kanë hedhur pyetjen nëse ky thesar ka qenë i grabitur nga ndonjë lider i panjohur Avar i cili në rrethana të pazakonta ka qenë i detyruar ta groposte në Vrap. Nga burimet e kohës dihet se trupat avare kanë shërbyer si mercenare në ushtrinë Bizantine dhe sigurisht janë gjendur shpesh në territoret e Shqipërisë së sotme. Po nga burime të shkruara të kohës si në "Kronikën e Monevasisë" apo "Jeta e Shën Pankratit" flitet për dyndje të trupave "pseudoavare" sllavo-bullgare, të cilët sulmonin territoret romane sidomos ato përgjatë Via Egnatias duke plaçkitur apo edhe duke u vendosur në zona të shkreta. Sipas këtyre burimeve këto trupa, gjatë fushatës së dytë në Greqi 586-588 e.s u dukën deri në muret e Durrësit dhe të Ohrit. Po nga këto Kronika mësojmë se një figurë interesante me prejardhje avare që ka qenë aktiv në territoret e Shqipërisë së sotme ka qenë komandanti ushtarak Bizantin Vitelianusi. Pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë në radhët e ushtrisë Bizantine ai iu kundërvu Bizantit nën nxitjen e Theodorikut të Madh dhe Papës Hormidas në vitin 506. Kronisti Bizantin Malala shkruan se Vitelianusi pati një fushatë të suksesshme kundër trupave bizantine në zonën e Ohrit."Në kohën e Perandorit Anastas, Trakasi Vitelianus iu kundërvu Perandorit në krye të trupave hune dhe avaro-bullgare. Pastaj ai pushtoi Trakën, Moesinë, Skithinë dhe Odeososin" A mos vallë ky Thesar mund të ketë lidhje me figurën e një personaliteti kaq të rëndësishëm ushtarak sa rebeli Vitelianus? Mos vallë këto objekte ari t'i kenë përkitur Vitelianusit i cili shkretonte dhe plaçkiste territoret Bizantine të Adriatikut Perëndimor? Mos vallë i sulmuar papritmas nga ndonjë ushtri Bizantine e kohës rebeli i famshëm t'i ketë groposur këto objekte Ari ne katundin e Vrapit për t'i marrë më vonë?Askush nuk e di. Gjithsesi Thesari i groposur për shekuj me radhë tashmë ka një vend të merituar në pavijonet e Muzeumit Metropolitan të New York-ut.



80 vjet në New York



Thesari Shqiptar i Vrapit i cili qëndron prej gati 80 vjetësh në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, u vu përsëri në qendër të vëmendjes së studiuesve botërorë në 14 shtator 1981 kur në Galerinë e famshme në Sotheby, Londër u paraqit koleksioni i quajtur "Parke Bernet & Co" ndryshe edhe Thesari i Ersekës. I ardhur përsëri nga një krahinë jugore e Shqipërisë ky koleksion prej ari dhe argjendi i prezantuar si Thesar Avar mendohej se kishte shumë përngjasje me Koleksionin e Vrapit i gjetur më 1901. Mistere të shumta e mbulojnë edhe këtë Thesar të dytë me përmasa kaq të rëndësishme të dalë nga Shqipëria. Të dhënat për të janë shumë të pakta. Askush nga arkeologët shqiptarë nuk di me saktësi ndonjë të dhënë për ekzistencën apo gjetjen e Thesarit Avar të Ersekës. Një fakt shumë i zbehtë mbi gjetjen e thesarit është regjistruar në 1987 nga një banor i fshatit Lëngës në Ersekë i cili thotë se ky thesar ishte zbuluar nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi, në fund të vitit 1890 buzë një përroi. Familja Qiriazi u largua nga fshati dhe u vendos në Slovë të Maqedonisë ku fati i kësaj familjeve dhe i thesarit që mori me vete nuk u mësua kurrë. Sipas katalogut të botuar nga Sotheby në 1981,Thesari i Ersekës ka gati 123 objekte ari dhe argjendi shumë të ngjashme me Thesarin e Vrapit. Studiuesi gjerman Werner ka qenë personi i parë që ka folur për ekzistencën e këtij thesari sipas fotografive të vëna në dispozicion nga familja që e posedonte. Sipas Werner-it ky Thesar ndodhej në duart e një familje e cila në vitet 30 kishte qenë në elitën e udhëheqjes naziste. Thesari i Ersekës për një kohë të gjatë mendohej të kishte prejardhje gote dhe kuptohet qartë se kishte një vlerë shumë të madhe për një familje e cila besonte në rilindjen e racës gjermanike. Me sa duket pas rënies së regjimit nazist edhe rëndësia e këtij thesari ishte lënë në harresë për të dalë në skenë vetëm në vitin 1981 në Sotheby të Londrës, në kushtet e një anonimati të plote mbi pronarin e tij të vërtetë. Studiues austriakë të Universitetit të Vjenës që kanë parë fotot e thesarit të Ersekës, mendojnë se ai duhet të jetë pjesë e thesarit të Vrapit, por si dhe përse ai është gjetur buzë një përroi në një fshat të Ersekës askush nuk mund t'i japë përgjigje të saktë. Për herë të parë dje në "Exclusive" fotot e Thesarit të Ersekës tregojnë për një koleksion shumë interesant objektesh ari dhe argjendi të cilat nuk dihet se ku ndodhen pasi u prezantuan në shtëpinë e ankandit në Londër, Sotheby. J.P.Morgan miliarderi i famshëm amerikan e mbajti Koleksionin Shqiptar vetëm për disa vite. Duke parë se shëndeti i tij sa vinte dhe rëndohej, përpara vdekjes ia dhuroi të gjithë koleksionin e tij madhështor Muzeut Metropolitan, i cili sot gjendet në Pavijonin me emrin Morgan. Krahas objekteve më të famshme të koleksionuara ndër vite nga J.P Morgan është edhe Thesari Shqiptar i Vrapit.
Lupi
Lupi
Vip Forumi
Vip Forumi

Numri i postimeve : 20
Points : 110
Reputation : 0
Join date : 10/12/2011

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi