Botimi i “Mein Kampf”, thikë pas shpine për Shqipërinë
Faqja 1 e 1
Botimi i “Mein Kampf”, thikë pas shpine për Shqipërinë
Botimi i “Mein Kampf”, thikë pas shpine për Shqipërinë
Muajt e fundit, shtëpi botuese në Shqipëri vërshuan në botimin e librit me titull “Mein Kampf” (Lufta ime) e Adolf Hitlerit – midis tyre edhe Shtëpia Botuese “Helga’s Secret” në Tiranë. Siç mësohet, të drejtën e autorit dhe të drejtën e botimit të këtij libri e ka në pronësi aktualisht Landi i Bavarisë së Gjermanisë, i cili deri në vitin 2015 nuk e lejon publikimin e tij pa autorizimin e vet.
Para tre ditësh, Ambasada Federale e Gjermanisë në Tiranë i është drejtuar kësaj shtëpie botuese në Tiranë me anë të një shkrese zyrtare, për shkeljen e të drejtave të autorit dhe i ka kërkuar asaj të ndalojë menjëherë prodhimin, ofrimin dhe shpërndarjen e ekzemplarëve të librit “Mein Kampf”. Gjithashtu ajo i kërkon shtëpisë botuese të Tiranës, të nënshkruajë një deklaratë mosveprimi deri më datë, 06.07.2012 (Gazeta Shqiptare, 25.06.2012).
Në këto rreshta nuk kam ndërmend të dal në mbrojtje apo të akuzoj Shtëpinë Botuese “Helga’s Secret” apo Ambasadën Gjermane në Tiranë. Kjo është një çështje juridike dhe u takon institucioneve kompetente. Por si qytetar më lind e drejta dhe detyra të shpreh mendimin tim, kur është fjala për cenimin e përpjekjeve që qeveria jonë po bën për integrimin e vendit në Evropë.
E para, sepse nuk më vjen mirë që një shtëpi botuese nga Tirana konfrontohet me një ambasadë të një shteti të rëndësishëm të Evropës, nga e cila korr vetëm humbje sado të vogla që t’i duken. E dyta, sepse “sherri” qenka një libër me status të parregullt ligjor i prodhuar nga shtëpia botuese e Tiranës, i cili i është dhënë ndërkohë qytetarit për ta lexuar pa pasur të drejtën e autorit.
Me dashje apo pa dashje, mua si qytetar më është shitur legalisht një libër, për të cilin sot më duhet të sqaroj (të pyes dikë), se a kam të drejtë nga pikëpamja ligjore ta ble këtë libër, ta lexoj atë dhe ta mbaj në bibliotekë? Kësaj radhe mjerisht, përgjigja nuk mjafton vetëm nga Shqipëria, sepse të drejtat e autorit të librit në fjalë janë në Gjermani.
Për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, blerja në përgjithësi e një sendi, çfarëdo qoftë, makinë apo libër, është një akt vetkontrollues, i vetpërgjegjshëm për statusin ligjor të sendit që blen. Qytetari me edukatë ligjore gjermane nuk blen një libër të nxjerrë në treg, i cili nuk plotëson statusin juridik të vendit dhe cënon ruajtjen e figurës morale të tij.
Përkundrazi, edukata ligjore që ka marrë dhe mentaliteti e detyrojnë për ta denoncuar atë, nëse konstaton se një send me status të tillë të kundraligjshëm është në qarkullim. Për këtë veprim e përkrah e gjithë shoqëria. Reagimi i Ambasadës Gjermane në Tiranë është për mendimin tim një veprim i vetëkuptueshëm, i mbështetur plotësisht në ligjin e vet mbi të drejtat e autorit.
Por edhe Kodi ynë Penal nuk e lejon shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtës së botimit. Për botimin e një libri në Shqipëri ekziston ligjshmëria e së drejtës së autorit, të botimit dhe bashkë me atë edhe e drejta e tregtimit (shpërndarjes, shitjes), e cila parashikon zbatimin e tij jo vetëm për brenda Republikës, por edhe jashtë saj.
Tashmë jemi një vend që po ngrehim tempullin me dymbëdhjetë shtylla për të hyrë në Evropë, prandaj edhe respektimi i së drejtës së autorit nga shtëpitë botuese të vendit për librat e autorëve nga vendet e Evropës duhet të jetë një aspekt i kulturës sonë evropiane, një detyrim juridik kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në rastin konkret të librit “Mein Kampf” duket disi qartë, se të dyja këto të drejta ligjore janë shkelur nga botuesi. Atëherë si qytetar i Shqipërisë më lind pyetja, tashmë që librin e ka blerë dikush pa e ditur statusin e tij, është ai i detyruar ligjërisht ta kthejë atë atje ku e ka blerë dhe çfarë konsekuencash janë për t’u rregulluar?
Shkelja e së drejtës së autorit dhe asaj të botimit
Botuesve të “Helga’s Secret” në Tiranë u është dashur guxim i posaçëm – t’i shkelin të drejtat e autorit, të drejtën e prodhimit (botimit) dhe të kryejnë shpërndarjen (tregtimin) e paligjshëm të librit, pra t’i bëjnë karshillëk Landit të Bajernit (Bavarisë), i cili është poseduesi i tyre. Siç mund të jetë bërë e njohur ndërkohë në shtypin tonë, të drejtën e autorit dhe të drejtën e botimit të librit “Lufta ime” e Adolf Hitler-it e ka Landi i Bajernit në Republikën Federale Gjermane.
Mbas përfundimit të Luftës, Forcat Aleate Pushtuese ia dhanë këto të drejta Landit të Bajernit, me rastin e konfiskimit të pasurisë së Shtëpisë Botuese “Eher”, e cila ishte Shtëpia Qendrore Botuese e atëhershme e partisë së Hitlerit (NSDAP). Me dhënien e këtyre të drejtave, Landit të Bajernit iu ngarkua edhe përgjegjësia për të ndaluar shpërndarjen në të ardhmen të propagandës nacionalsocialiste, nëpër-mjet ushtrimit të së drejtës së autorit.
Landi i Bajernit mban tashmë prej dhjetëvjeçarësh një qëndrim të rreptë për administrimin e këtyre të drejtave. Leja e botimit për të gjithë veprën nuk jepet as brenda dhe as jashtë vendit. Kjo vlen edhe për rastin e një botimi të ri me komente.
Ndaj shkeljeve të së drejtës së autorit dhe të drejtës së botimit, Landi i Bajernit ushtron ndjekjen ligjore me të gjitha mjetet juridike që janë në dispozicion, brenda dhe jashtë Gjermanisë. Ky qëndrim juridik shërben njëkohësisht si sinjal i qartë kundër përmbajtjes së kësaj vepre, duke penguar në këtë mënyrë shpërndarjen sërish të propagandës nacionalsocialiste.
Shkelja e hapur e këtyre të drejtave ligjore të shprehura qartë, nuk më duket një pakujdesi apo mendjelehtësi nga ana e Shtëpisë Botuese të Tiranës, (“Helga’s Secret”). Të them të drejtën, më duket më tepër një veprim i ndërgjegjshëm dhe i qëllimshëm nga ana e saj.
Me këtë rast e ndjej për detyrë të jap një këshillë nga përvoja ime. Kam jetuar dhe punuar 22 vite në Gjermani, madje në qytete të ndryshme për arsye pune, në Munih, Bon, Berlin, Köln, etj. Kam punuar si historian, arkeolog dhe restaurator në universitete dhe institucione private të këtij vendi dhe kam shkruar libra dhe një mori artikujsh shkencorë mbi historinë e kulturës gjermane.
Desha të thosha, se e njoh mirë ligjin e të drejtës së autorit në Gjermani, por e njoh më mirë efikasitetin e institucioneve zbatuese të ligjit. Konstatoj, se për këtë të dytën, vendi ynë ka bërë përvojë të keqe. Ligji i së drejtës së autorit në Shqipëri nuk zbatohet në praktikë. Mentaliteti për shkeljen e tij nuk fillon nga poshtë, por nga sipër, është produkt i institucionit shtetëror.
Libraritë e Republikës sonë janë të mbushura me libra të shtëpive botuese dhe autorëve që përmbajnë përvetësime pa skrupull të punës së autorëve të tjerë, pa pasur të drejtën e shfrytëzimit të tyre; ka libra nëpunësish të lartë shtetërore mbushur me plagjiatura dhe vjedhje të hapura të autorësive të të tjerëve, në shkelje të hapur të ligjit.
Askush nuk ndëshkohet në Shqipëri për shkelje të të drejtave të autorit, ndërkohë që në Gjermani rreth një vit më parë, ministrit federal i mbrojtjes i duhej të jepte dorëheqjen për zbulimin e plagjiaturave në punimin e tij të doktoraturës. Këtu ka një nënvleftësim shtetëror e juridik mbi të drejtën e autorit, madje një mentalitet përçmues ndaj saj.
Kjo situatë dhe ky mentalitet vendas të jep kurajën që të ndërmarrësh deri edhe shkelje me nuanca brilante politike, si rasti i mësipërm. Personalisht do ta këshilloja Shtëpinë Botuese “Helga’s Secret” në Tiranë ta shihte veten me përgjegjësi si shkelëse e së drejtës së autorit për rastin e librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit dhe t’i përgjigjej sa më parë pozitivisht kërkesës së Ambasadës Gjermane për nënshkrimin e deklaratës së mosveprimit.
Do ta këshilloja që të kërkonte ndjesë, që për rastin konkret e ka nënvleftësuar teknikisht përmbajtjen mbi zotëruesin e të drejtave të autorit, i tërhequr më tepër nga miopia e biznesit. E drejta për të dhënë këtë këshillë vjen nga statusi i qytetarit (lexuesit), të cilit i është ofruar në raftet e librarive të qyteteve për të blerë një libër me shkelje ligjore prodhuar nga kjo shtëpi botuese.
Shkelje e Kodit tonë Penal
Por jo vetëm kaq! Libri “Lufta ime” e Adolf Hitlerit është ende i ndaluar të botohet në Shqipëri, prej përmbajtjes së tij. Në Kodin tonë Penal, njësoj si në ato të vendeve të Evropës, parashikohen ndalesa ligjore për botimin e atyre veprave për shkak të përmbajtjes së tyre – ato që mbarsin municione për nxitjen e konflikteve fetare, që provokojnë urrejtjen e një kombi, apo race ndaj një tjetri, që predikojnë krijimin e organizatave apo sekteve kriminale për qëllime politike, etj.
Në kësi rastesh, libri duhet t’u nënshtrohet analizave të përgjegjshme shtetërore dhe të vlerësohet, të gjendet forma e duhur për prezantimin e tyre te publiku, ose të shtyhet në kohë prezantimi i tij, deri edhe ndalimin e botimit të tij të përkohshëm ose afatgjatë.
Ndalimi i një libri të tillë për t’u botuar nuk është plagosje e demokracisë, as censurë e diktaturës, as mohimi i lirisë së shtypit, etj. Por mbrojtja e demokracisë nga helmimi mendor i një shoqërie të papërgatitur, është forcimi i demokracisë dhe strategjisë për t’i ngjitur shkallët e saj në mënyrë realiste dhe të kuptueshme.
Në veçanti për librin “Lufta ime” të Hitlerit, administrata shtetërore shqiptare, edhe sikur një ditë ta sigurojë lejen e botimit nga Landi i Bajernit, nuk duhet të lejojë zyrtarisht botimin e tij, pa nxjerrë vendimin e botimit dhe pasi t’i ketë bërë vlerësimin e përmbajtjes së veprës për rrjedhojat e tanishme në nivelin (pjekurinë) intelektual të shoqërisë së sotme të Shqipërisë.
Pra, qytetari i Shqipërisë duhet të dijë, e lejon administrata jonë shtetërore botimin e librit me këtë përmbajtje, ose në të kundërt, pse nuk e lejon botimin e tij. Ai kërkon kështu të jetë i orientuar, njëherë për të respektuar vendimin e shtetit dhe tjetra për të shfaqur mendimin e tij vlerësues apo kritik. Mesa jam në dijeni, administrata shtetërore nuk ka shfaqur asnjë vendim zyrtar për këtë libër të ndaluar për dekada të tëra në mjedisin shqiptar dhe në atë evropian.
Atëherë mbetet të dalë përfundimi, se botimi i këtij libri është kryekëput iniciativë e shtëpive botuese nga Tirana, pra një botim pa leje prej tyre. Pra një botim, të cilit i rëndojnë tre shkelje njëherësh. Lind pyetja, kush e ka organizuar vërshimin e shtëpive botuese të Tiranës për të prodhuar një libër të errët, duke shkelur njëherazi të drejtën ndërkombëtare të autorit dhe atë të botimit, dhe të Kodit tonë Penal për ndalimin e botimit të veprave me përmbajtje reaksionare raciste ekstremiste?
Çfarë thotë Botuesi
Personalisht nuk e besoj se ky “sulm” njëherazi i shtëpive botuese të Shqipërisë për të botuar librin e Adolf Hitlerit është rastësi, apo produkt i një konkurrence thjesht biznesi (!). Ky zgjim për të botuar librin “Lufta ime” të Adolf Hitlerit më shëmbëllen personalisht, më shumë si zgjimi i një programi politik të dirigjuar (komanduar) nga forca të errëta të Shqipërisë në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Për këtë bindesh më tej po të dëgjosh arsyet e paraqitura nga botuesit. Sipas fjalëve të njërit nga botuesit e parë të librit “Mein Kampf”, “vendimi për botimin e tij paska qenë shumë i thjeshtë. Jemi në vitin 2012 -vazhdon ai- kur gjithkush mund të lexojë gjithçka në internet”.
Pra sipas tij, një paudhësi dhe shkelje ligjore që gjendet në internet, i jep të drejtë një shtëpie botuese në Tiranë ta publikojë atë në shqip, edhe duke shkelur të drejtat kombëtare dhe ndërkombëtare të autorit, madje edhe t’ua shesë atë shqiptarëve. Për këtë nuk e ndalojnë detyrimet juridike dhe morali qytetar. Botuesi tjetër “Helga’s Secret” është më misterioz.
Në radhë të parë ai është vështirë të identifikohet. Në internet nuk mund të gjesh asnjë të dhënë mbi shtëpinë e tij botuese, as edhe mbi botuesin me emër z. Alfred Cako, as edhe se kush është përkthyesi i librit. Nga një reportazh në gazetën “Panorama” (me titull: Alfred Cako boton të plotë “Mein Kampf”, 16 Mars 2012) mësojmë se ai nuk ka pasur ndërmend të respektojë detyrimet juridike. “Liria e shtypit vjen mbi të gjitha dhe as ky libër nuk mund t’i nënshtrohet censurës…
Shoqëria e hapur nuk njeh asnjë kufi censure” – përfundon ai. Sipas tij kjo shoqëri e hapur me liri shtypi (pa censurë) është ajo e Shqipërisë. Sipas logjikës së tij rezulton, se meqenëse libri në fjalë në Gjermani ku ndodhet edhe e zotëruesi i të drejtave të autorit, është prej 70 vjetësh ende sot atje i censuruar, rezulton se shoqëria gjermane nuk është e hapur dhe nuk ka liri shtypi. Sipas zotit Cako, shoqëria në Shqipëri rezulton të jetë më e hapur (ndoshta e ka fjalën edhe më demokratike), që nuk pyet për censura.
Interesante shfaqet edhe pikëpamja e tij mbi nivelin e shoqërisë së Shqipërisë për të përtypur librin “Lufta ime” të Adolf Hitlerit: “Nuk më vjen mirë – thotë ai – kur shoqëria jonë ende e papjekur, prej influencës së vetcensurimit 50-vjeçar, dëgjoj mendime mbi këtë libër, kur shumica e tyre nuk kanë lexuar ende as edhe një rresht të tij”.
Tre rreshta më poshtë vjen një përcaktim tjetër i tij: “Ne nuk jemi naziskinë (e ka fjalën për veten-Gj. F.) dhe madje e tillë duket se nuk është as gjithë shoqëria jonë e pjekur”. Pra nuk merret fort vesh, njëherë thuhet se shoqëria jonë është e papjekur për të përtypur veprën e Hitlerit të botuar nga zoti Cako, ndërsa tre rreshta më tutje, atij vetë i duket kjo shoqëri disi e pjekur për të mos qenë naziskine (!).
Besoj se del diçka për të kuptuar mungesën e seriozitetit filozofik të strategut të veprës së Adolf Hitlerit për Shqipërinë. Kjo përkon mesa duket edhe me mungesat e nivelit të kulturës qytetare në ushtrimin e profesionit tek ky lloj botuesi i Tiranës.
Ai nuk plotëson pikësëpari standardin e profesionit që ushtron – prej mosrespektimit të detyrimit themelor juridik të aktivitetit, që është respektimi i të drejtave të autorit. Ai prodhon dhe hedh në treg në mënyrë të papërgjegjshme një libër famëkeq për publikun e gjerë dhe që është ende zyrtarisht i ndaluar anembanë vendeve evropiane, përse, që të tregohet se në Shqipëri nuk ekziston disiplina juridike, atje vendoset me rregullat anticivilizuese të barbarizmit vendas.
Libri autobiografik i Hitlerit nuk është tekst mësimor. Fjala vjen, brezat e pasluftës në Gjermani nuk e kanë mësuar historinë e nazizmit as edhe të vetë Hitlerit nga ky libër i tij. Sepse edhe për kuriozët e biografisë së tij, ky libër nuk mjafton, edhe sikur të kishte qenë i pacensuruar.
Madje, ky libër ka qenë dhe vazhdon të jetë i ndaluar atje, thjeshtë edhe për respektimin e parashkrimeve ligjore. Për shembull, dy vajzat e mija, plotësisht të shkolluara në Gjermani e kanë mësuar historinë e nazizmit dhe të Hitlerit më mirë se po të ishin shkolluar në Shqipëri, por nuk e kanë mësuar atë nga libri “Lufta ime” e Hitlerit.
Nga të gjitha pikëpamjet që ta shohësh, mund të konkludohet, se shtëpia botuese e librit të Hitlerit në Tiranë nuk ka pasur aspak qëllim mësimor efektiv justifikues për këtë botim të kundraligjshëm, por siç personalisht jam i sigurtë, vetëm se të krijonte zhurmë politike jashtë Shqipërisë, për diskreditimin e vendit.
Tani, në kohën kur duket e hapur mundësia e bashkimit të shqiptarëve nën miratimin e Bashkimit Evropian marshimi i librave të ndaluar të Adolf Hitlerit në mjediset kryeqytetase shqiptare njëherësh nga disa shtëpi botuese nuk janë rastësi, nuk janë pa plan, por thika mbrapa shpine që shfrytëzohen nga segmente jashtë vendit.
Mesa duket në këto momente kur po fryn era e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, në Tiranë po luhet edhe një herë politika e neonazistëve, domethënë e për-krahësve të nacionalsocialistëve të vjetër, të atyre që shpallin heronj apo “nder i kombit” kolaboracionistët shqiptarë të nazizmit, pra të elementëve që dëmtojnë imazhin paqedashës të shqiptarëve për të penguar kështu politikisht integrimin e Shqipërisë në Evropë.
E kush është i interesuar dhe kush e luan këtë politikë antishqiptare? Përgjigjen e gjen secili, por një fakt më bën mua përshtypje, se guximi i Shtëpisë Botuese të Tiranës për të shkelur në mes të ditës të Drejtat e Autorit të një zotëruesi që ndodhet në Bavari të Gjermanisë, nuk duhet të jetë pa përkrahje fillestare të institucioneve shtetërore të Shqipërisë.
Shtëpia Botuese ndaj shkeljes së rregullave dhe marrëveshjeve ligjore evropiane të paraprogramuara, ka patur nevojë për një justifikim dhe mbrojtjeje shtetërore nga shteti i vet. Ia ka garantuar asaj dikush këtë mbrojtje shtetërore për këtë shkelje, pasi vendi ynë kërkon të hyjë në Evropë dhe e drejta e autorit është shkelur ndaj një vendi evropian.
Shqipërisë nuk i takon të shkelë këto rregulla në prag të kandidimit për anëtarësim në Evropë. Apo është vepër e korrupsionit të agjenturave armiqësore, si gjithnjë në kohën dhe në vendin e duhur?
Jam i sigurtë se libri i Hitlerit nuk ka ndihmuar bashkimin e dy Gjermanëve pas Luftës së Ftohtë. Në asnjë rast ai nuk është aktual për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe çështjen e tyre të ditës që kanë për zgjidhje. Kam patur rastin të përjetoja dhe të ndiqja nga afër bashkimin e dy Gjermanive, jo si eveniment por si proces historik, shoqëror, kulturor dhe mbi të gjitha politik. Kisha arsye për këtë.
Shqipëria jonë predikonte se ishte një diktaturë komuniste, pavarësisht se ishte një diktaturë provinciale staliniste, madje formaliste me psikozën, mentalitetin dhe zakonet dominante të mesjetës bizantine dhe shekullore osmane ballkanike. Ishte përpara një proces bashkimi të një Gjermanie me profil të qartë komunist dhe të një Gjermanie me ekonomi të përparuar kapitaliste – dy pjesë të ndara prej dekadash të tëra nga vepra e Nazizmit, dy pjella të diktaturës së Hitlerit – dy vende me profile krejt të veçanta politike, me dallime të qarta ideologjike dhe me standarde të ndryshme ekonomike, që do të bashkoheshin dhe do të jetonin së bashku, natyrisht tashmë nën një profil politik, ekonomik e kulturor.
Natyrisht isha i interesuar të kuptoja ‘in situ’ para së gjithash historinë e formimit, të militarizimit dhe të eksplodimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, të cilës iu kushtova jo thjesht për kulturë, por edhe për të nxjerrë mundësisht perspektiva për Shqipërinë, por mbi të gjitha për fatin e ngjashëm të shqiptarëve.
Isha i interesuar edhe për filozofinë e nazizmit, përse ajo u bë ose më mirë, përse e prodhuan atë gjermanët, etj, ashtu siç isha i interesuar edhe për filozofinë e stalinizmit, përse ajo u prodhua në Rusi e më tej. Në Gjermani kam mësuar se ç’është nazizmi dhe neonazizmi; ç’është komunizmi dhe stalinizmi klasik. Për të mësuar të gjitha këto nga shkolla gjermane nuk kam dëgjuar ndonjëherë të ishte në program leximi i veprës “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit.
Nuk mendon kush, se kjo epokë mund të ndriçohet nga një libër. Vetëm në Shqipëri dëgjon broçkulla të tilla dhe botohet ky libër për të “mësuar të vërtetën e madhe të historike”, në vendin ku as kemi pasur dhe as kemi sot një filozof në kuptimin shkencor profesional të fjalës, as për nazizmin, as për komunizmin dhe as për demokratizimin e vendit. Kemi pasur dhe kemi një filozof të madh mbarëkombëtar, Sami Frashërin, filozofin e Bashkimit Kombëtar dhe projektuesit se “Si do të bëhet Shqipëria”.
Kam një lutje për Shtëpinë Botuese “Helga’s Secret” për të shlyer mëkatin që ka bërë me librin e Hitlerit, të botojë tërë veprën e dijetarit tonë të madh me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, vepër e cila është më aktuale se kurrë dhe ta shpërndajë në çdo qelizë të viseve shqiptare dhe në çdo shtëpi të diasporës tonë. Ka shumë shqiptarë që ndihmojnë për këtë punë jetike dhe fisnike
GAZETA SHQIPTARE
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi