Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen

Join the forum, it's quick and easy

Enigma-Explorer
Regjistrohu qe te shohesh gjithcka.Me respekt Estilen
Enigma-Explorer
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rrëfimi i britanikut John Harrison për luftën e Koshares

Shko poshtë

Rrëfimi i britanikut John Harrison për luftën e Koshares Empty Rrëfimi i britanikut John Harrison për luftën e Koshares

Mesazh nga SHKELBA Sat Jan 11, 2014 10:28 pm

Rrëfimi i britanikut John Harrison për luftën e Koshares

Rrëfimi i britanikut John Harrison për luftën e Koshares John-Harrison

Prishtinë, 6 janar 2014 – Nga Britania e Madhe kishte ardhur në Koshare, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
John Harrison, i dekoruar me urdhrin Adem Jashari, 15 vjet pas luftës, tregon arsyet pse iu bashkëngjit UÇK-së, si i pari ushtar i huaj që e bëri një gjë të tillë, në Koshare.
Oficeri i pensionuar britanik, i cili në krahët e tij e mban tatuazhin e skuadrës Delta të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, tregon përse mendon se guerilja kosovare duhej ta kishte lavdinë triumfale në vitin 1999.
Harrison, gjatë kësaj interviste, flet edhe për ndasitë që i pa në UÇK dhe për përpjekjet e tij për ta mbajtur politikën larg prej fushëbetejës.
Oficeri i pensionuar flet për Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Anton Çunin e Rrustem Berishën.
Britaniku i diagnostifikuar me kancer rrëfen për qasjen që e kishte familja e tij ndaj luftës të cilës ai iu bashkua, për qëllime idealiste.
Historinë e tij me UÇK-në në Koshare, Harrison e tregoi në një rrëfim ekskluziv për televizionin Klan Kosova. (r.m.)
 
***
Klan Kosova: – Mirë se erdhe në studion tonë, John!
John Harrison: – Ju faleminderit shumë!
Klan Kosova: – Si vendosët të bëheni pjesëtar i UÇK-së?
John Harrison: – Kjo ka qenë e lehtë për mua. U përpoqa disa herë të vija në Kosovë, para vitit 1999. Unë rashë në kontakt me Bajram Gecajn dhe pas afro tri ditësh, unë arrita në Tiranë. Arsyeja pse erdha… Unë gjërat i shikoja nga perspektiva ime psikologjike. Unë kam lindur në liri dhe, pse mos t’i ndihmoj dikujt, i cili e kërkon këtë liri.
Klan Kosova: – Pra, kjo ishte arsyeja juaj t’i bashkoheni UÇK-së?
John Harrison: – Po, pikërisht.
Klan Kosova: – Keni ditur më parë për shqiptarët, për Kosovën…?
John Harrison: -Kam ditur shumë pak për këto dhe i kam pyetur shokët e mi në Kroaci, por, në mendjen time, ky vendim erdhi shumë lehtë.
Klan Kosova: – Duket pak e çuditshme të shpjegohet kjo dhe t’u tregohet njerëzve se një burrë anglez vjen këtu dhe lufton për lirinë tënde. Mendoj, jo vetëm anglezë por edhe gjermanë…
John Harrison: – Po. Kishte shumë të huaj të cilët donin të vinin këtu. Mbase është e çuditshme, por, për mua… sepse unë kam marrë pjesë në luftë edhe në Kroaci dhe në Bosnjë. E dija që i njihja taktikat luftarake të serbëve dhe se mund të ndihmoja. Kjo ishte e tëra. Doja të ndihmoja. Unë kisha një punë të mirë në Angli, i shita gjithë çfarë kisha dhe erdha në Kosovë.
Klan Kosova: – Erdhët në Kosovë në vitin 1998 apo në vitin 1999?
John Harrison: – Në vitin 1999.
Klan Kosova: – Pra, erdhët në Kosovë dhe iu bashkuat Brigadës 138, në Koshare?
John Harrison: – Po, pikërisht ashtu. Fillimisht isha dërguar ta ushtroja grupin “Delta”, nën komandën e Anton Çunit, dhe ky ishte udhëzimi im i parë, t’i ushtoja njerëzit, kështu që kur ata të shkonin në front, të dinin se çfarë i pret atje, si në aspektin fizik ashtu edhe atë psikik.
Klan Kosova: – Pra, ju punuat me Anton Çunin dhe, me kë tjetër?
John Harrison: – Me Anton Çunin dhe Komandantin e Brigadës, Rrustem Berishën.
Klan Kosova: – Mund të na e tregoni ndonjë ndodhi interesante nga viti 1999 dhe nga koha e kaluar në Koshare?
John Harrison: – Po. Kur erdha për herë të parë aty, ishte një grup rekrutësh, tanimë duke u stërvitur, dhe më thanë t’i merrja përsipër ata… dhe zbulova se ishte vetëm një person, i cili dinte të fliste anglisht…
Klan Kosova:  – Cili ishte ai burrë?
John Harrison: – Ai ishte Sami Gecaj, i cili u bë për mua më shumë se një shok. Ai u bë vëllai im. E çmoja më shumë se vëllain tim. Ai i përkthente të gjitha urdhrat… dhe atyre djemve u dukej shumë e çuditshme se si një anglez u bërtiste atyre… dhe mendonin… athua, çfarë kemi bërë ne? Them se dy ditët e para, çdonjëri në atë stërvitje ishte pak i tronditur, sepse unë e ngrita nivelin e ushtrimit, nga ky nivel, në këtë më lartë, dhe them se ata janë kënaqur aty, sepse edhe mësuan diçka.
Klan Kosova: – Sa gjatë qëndruat në Koshare?
John Harrison –Përafërsisht 2 muaj e gjysmë. Kishim edhe çaste të hareshme aty, gjithashtu. Njëra nga ngjarjet më qesharake që patëm aty ishte… Kishim një poligon aty ku qëndronim, në fshatin Popaj, i cili shkonte rreth 400 metra lart kodrës, dhe unë i dërgova rekrutët lart në maje të kodrës, dhe u thashë: Ajo që kërkoj nga ju është të tërhiqeni në mënyrë taktike, ashtu siç ishin trajnuar, drejt meje. Por, unë s’u kisha treguar atyre që do të gjuaja me armë mbi kokat e tyre, që ata të mësoheshin me zhurmën e plumbave mbi kokat e tyre. E dhashë urdhrin të niseshin, ata u nisën drejt meje dhe unë fillova të gjuaja me armw dhe një djalosh, u përplas për toke. U ktheva nga Samiu dhe i thashë: ‘Sami, më duket se e qëllova atë. Zoti më ndihmoftë, mendoj se e qëllova… Sami më ndihmo!’ Ai djaloshi qëndroi i shtrirë në tokë rreth 10 sekonda dhe përnjëherë u ngrit dhe vazhdoi të vraponte. Në ata çast, armën e vura në nivelin automatik dhe vazhdova të qëlloj. Ky ishte mbase çasti më qesharak dhe njëkohësisht më i frikshëm që pata.
Klan Kosova: – Pra, ju ishit aty vetëm si instructor, apo morët pjesë edhe në beteja kundër ushtrisë dhe milicisë serbe?
John Harrison: – Unë isha i gatshëm të merrja pjesë edhe në beteja, pa asnjë problem, por, komandanti Çuni kërkonte që unë t’i stërvitja ushtarët dhe kjo ishte gjëja kryesore. Po të shfaqej nevoja, ne do të shërbenim si forca rezervë të veprimit të shpejtë dhe do të shkonim në ndihmë, por ai kërkonte që unë kryesisht t’i stërvitja ushtarët.
Klan Kosova: – Pra, nuk morët pjesë në beteja?
John Harrison: – Fatkeqësisht, jo.
Klan Kosova: – Ishit ju i vetmi ushtar i huaj atje, në Koshare?
John Harrison: – Po. Në Koshare, po.
Klan Kosova: – Nuk kishte aty pra, të huaj?
John Harrison: – Ishin disa të huaj, të cilët erdhën dhe thoshin se vinin nga njësitet speciale dhe përpiqeshin të më tregonin mua se kishin bërë çdo gjë.
Klan Kosova: – Nga cilat shtete?
John Harrison: – Kishim disa nga Gjermania, nga Spanja, nga Franca… Ishte njëri nga Italia. Erdhën në orën 9 në mëngjes dhe unë u thashë se do të ushtroja pak me ta, të shihja se sa janë të aftë, por, në orën 12, në mesditë, të gjithë kërkuan të ktheheshin në shtëpi. Dhe të gjithë u kthyen në shtëpi. Ishin edhe dy francezë, të cilët erdhën tek ne. Fatkeqësisht njëri u vra në Koshare, ndërkaq tjetri u plagos, dhe u desh të kthehej në Bosnjë, atje ku ai jetonte.
Klan Kosova: – Cili ishte motivi i tyre të merrnin pjesë në betejë apo në luftë?
John Harrison: – Ai i cili u vra them se donte ta bënte për shkak të tundimit. Ai tjetri, i cili u plagos, kishte marrë pjesë në armatën e Kroacisë, gjithashtu, dhe ai erdhi për motivin e njëjtë, për të cilin isha edhe unë aty.
Klan Kosova: – Cilat janë lidhjet tuaja me shqiptarët nga ajo kohë?
John Harrison: – Është një miqësi e thjeshtë me të gjithë ata të cilët unë i kisha stërvitur, të gjithë ata nga Brigada dhe, natyrisht me Samiun. Unë thjesht vij këtu për pushime, që t’i takoj ata.
Klan Kosova: – Pra, kjo është hera Juaj e dytë në Kosovë?
John Harrison: – Po, ashtu është.
Klan Kosova: – Ju na treguat histori interesante për stërvitjet dhe që e qëlluat atë djaloshin. Mund të na tregoni ndonjë histori të trishtueshme nga Kosharja.
John Harrison: – Unë dhe Samiu ishim krenarë me njerëzit të cilët i kishim stërvitur dhe një mëngjes, erdhi lajmi se njëri nga ushtarët që e kishim stërvitur ne ishte vrarë nga bombardimet e NATO-s. Kjo na goditi shumë. Ishte ushtari i vetëm të cilin e humbëm. Një herë tjetër, ishin tre pjesëtarë të njësitit “Delta”, derisa rrinin dhe bënin muhabet, një granatë shpërtheu në mes të tyre dhe kishin sharpnele nëpër tërë trupin e tyre, dhe erdhën në fshatin Popaj. Unë isha i stërvitur të jepja ndihmën e parë, së bashku me mjekun, i cili ishte aty, sepse ne të dy ishim të vetmit të stërvitur për të dhënë ndihmë të parë mjekësore. Njërit burrë i jepja morfinë që t’ia ndalja dhimbjen dhe ai, ashtu me dhimbje, e ngriti kokën dhe më tha: “Hej, tung Johni! Si je”? Ky ishte çasti, i cili më bëri të qaja më së shumti. Ishte një çast joreal… një burrë i lënduar rëndë, ndërkaq i interesonte mirëqenia ime, më shumë se e tij.
Klan Kosova: – Keni pasur rastin ta takoni Sali Çekajn?
John Harrison – Fatkeqësisht, ai kalonte më shumë kohë në front dhe kontakti im më i shpeshtë ishte më Anton Çunin dhe Rrustem Berishën.
Klan Kosova: – Pra, nuk jeni takuar me Sali Çekun?
John Harrison: – Jo.
Klan Kosova: – Cilët ishin personat të cilëve ju besonit më së shumti në atë kohë?
John Harrison: – Unë i besoja shumë Samiut. Ai ishte përkthyesi im, truproja ime, shoferi im. Atij ia dhashë pistoletën të cilën ma kishin dhënë mua, edhepse ishte një qitës i keq. Unë i thashë atij se nëse na sulmojnë, ma jep mua pistoletën, e ti rri shtrirë. Atij i kam besuar më së shumti.
Klan Kosova: – Cili ishte mendimi juaj i parë, kur u takuat me UÇK-në, dhe kur i patë ndasitë mes luftëtarëve?
John Harrison: – Ishte një gjë të cilën e thosha kur vinin për stërvitje, sepse aty duhej të vihej si vullnetar, se duhet ta lini politikën jashtë dere. E vishni uniformën dhe jeni vetëm ushtarë. Ne përpiqeshim ta mbanim politikën sa më larg dhe ia dolëm mbanë me këtë, sepse gjithë ajo që ne përpiqeshim ishte të ishim të sigurt se këta djem do të kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Ne kishim telashe kur takoheshim me ushtarë të tjerë nga zonat e ndryshme, por çdoherë kishte njerëz të gatshëm të vinin dhe të stërviteshin me ne.
Klan Kosova: – E keni kuptuar ju ndonjëherë këtë ndasi politike, ju ka interesuar kjo ndonjëherë?
John Harrison: – Shumë pak. Unë nuk isha i interesuar për këtë, edhepse i dija këto, por, s’më interesonin. Detyrë e imja ishte të shpëtoja jetë njerëzish, duke i mësuar ata të mbeteshin gjallë. Mua kurrë s’më ka interesuar politika.
Klan Kosova: – E kuptoj këtë, por, çfarë patë atje?
Jon Harrison: – Pashë shumë pak nga kjo. Shumica e njerëzve kishin fituar fuqi, sepse ishte një betejë e madhe atje në Koshare, dhe ne vetëm donim të shkonim më tutje, të ktheheshim në Kosovë dhe të shkonim në shtëpi. Pra, ta fitonim luftën. Por, siç thashë, përpiqeshim ta mbanim politikën sa më larg fushës së stërvitjes, jashtë derës, dhe kështu e mbajtëm këtë gjendje.
Klan Kosova: – Pse e braktisët UÇK-në? Ju qëndruat 2 muaj e gjysmë, siç thatë edhe vetë. Pse u larguat?
Jon Harrison: – Lufta mbaroi…
Klan Kosova: – Pra, qëndruat deri në fund të luftës?
John Harrison: – Ne zbritëm përmes Koshares poshtë në Junik dhe qëndruam aty me tërë brigadën tonë, shkuam dhe i vizituam disa familje të ushtarëve të brigadës dhe mendoj se shkuam edhe në shtëpinë e Sali Çekut, shkuam në shtëpinë e komandant Ramadanit dhe në shtëpitë e komandantëve tjerë, që të shikonim nëse i kishin familjet mirë, dhe… lufta kishte marrë fund, puna ime kishte marrë fund dhe NATO i mori gjërat në dorë.
Klan Kosova: – Cila ishte ndjenja juaj kur e përjetuat fundin e luftës dhe njerëzit këtu e kishin fituar lirinë e tyre?
John Harrison: – Ne e kishim një histori të shkurtër, Komandanti im i Brigadës, Rrustem Berisha më tha: ‘Edhe një luftë mbaroi dhe do të shkojmë të pimë shampanjë në Prishtinë’. Unë i thashë: ‘Jo, s’do ta bëjmë këtë. Do të shkojmë të pimë kafe. Kur të jeni republikë e lirë, atëherë do të pimë shampanjë’. Dhe kështu, erdhëm në Prishtinë dhe pimë kafe. Dhe pastaj, në vitin 2008, unë u ktheva këtu, e patëm një banket të madh për nder të pavarësisë suaj dhe tërë brigada ishte aty. Unë iu afrova Komandant Berishës dhe i thashë: ‘Të kujtohet premtimi im? Ja ku është shampanja’. Dhe ne pimë shampanjë atë natë.
Klan Kosova: – Pra, ju pitë shampanjë në vitin 2008, në ditën e pavarësisë. Por, cilat ishin ndjenjat tuaja, kur kosovarët e fituan lirinë dhe asaj kur ata e shpallën pavarësinë në vitin 2008?
John Harrison: – Kur u futëm këtu, në vitin 1999, personalisht ndjeja se kosovarët ishin popull shumë krenar dhe se fitoren ua kishin grabitur. NATO e përfundoi luftën, por duhet ta kishte bërë UÇK-ja këtë.
Klan Kosova: – Kjo është pak e çuditshme, sepse janë pak njerëz të cilët mendojnë se UÇK-ja mund ta kishte fituar vetë luftën, pasi ata luftonin kundër një fuqie të madhe ushtarake, siç ishte Serbia…
John Harrison: – Them se pas fitores në Koshare, ne treguam se serbët mund të mposhteshin dhe mendoj se duheshin edhe gjashtë muaj që të arrinim edhe deri në Prishtinë, sepse ajo fitore do ta rriste numrin e njerëzve të cilët do t’i bashkoheshin brigadave dhe kjo do t’i jepte shtytje përpara UÇK-së. Në vitin 1999, kishte edhe festime kur erdhëm në Prishtinë. Ishte një kohë gëzimi, por ishte një gëzim i rremë, dhe pastaj në vitin 2008 e pashë atë gëzimin e vërtetë, sapo u nënshkrua dokumenti i pavarësisë.
Klan Kosova: – Ju flisni sikur një ushtarak i vërtetë, kur thoni se ishte një gëzim i rremë, sepse ju mendoni se UÇK-ja duhet ta kishte përjetuar atë lavdinë triumfuese në vitin 1999?
John Harrison: – Po, ashtu mendoj unë.
Klan Kosova: – Ju erdhët këtu përsëri në vitin 2008 dhe patë njerëz të lumtur…
John Harrison: – Po, shumë të lumtur. Isha shumë me fat që isha në Prishtinë dhe që shëtisja përreth, dhe atmosfera ishte shumë ngazëllyese, ishte ndenja më e fuqishme të cilën e kisha ndjerë ndonjëherë. Dhe dukej se çdo gjë që kishim bërë, ia vlente tani.
Klan Kosova: – Dhe ju thatë vetë me vete: Kam luftuar për këtë ditë?
John Harrison: – Po.
Klan Kosova: – Dhe, çfarë ishte ajo ndjenjë?
John Harrison: – Ishte disi e papërshkrueshme. Dukej sikur çdo pjesë e trupit tim e përshkonte një lloj rryme. Thjesht, ishte e pabesueshme. Kisha ndjenjën se edhe unë vetë kisha ndikuar në një ndryshim që ta sjellë këtë ditë… dhe të merrje pjesë në ditën e shpalljes së pavarësisë suaj ishte dita më e lavdishme në jetën time.
Klan Kosova: – Dhe, si e shihni tani Kosovën? Mendoj, kur e krahasoni me atë kohën kur njerëzit dhe UÇK bënin luftë për liri?
John Harrison: – Që nga viti 2008 e deri më sot… e shoh se Kosova e ka bërë një rrugë të gjatë. Në vitin 2008 festimet ishin të madhërishme, dhe tani ndjehet një ngazëllim, një ndjenjë e të qenit gjallë. Kosova është shteti më i ri në botë dhe kjo hetohet dhe mendoj se e ardhmja është e ndritur, dhe pret që Kosova ta fitojë vendin e vet.
Klan Kosova: – Si morëm vesh, ju jeni dekoruar nga ish kryetari, Fatmir Sejdiu. Çfarë mendoni për këtë?
John Harrison: – Isha shumë i nderuar dhe i tronditur që e pranoja atë nder, dhe kishte shumë vlerë për mua, dhe zë vend të madh në zemrën time, sepse sikur ta pranoja një çmim të tillë sa isha në Forcat Britanike, ta pranoja një medalje, do të ishte normale kjo, por ta pranosh këtë nga një shtet i huaj, për të cilin ke bërë një punë të vogël, ka shumë vlerë për mua.
Klan Kosova: – Mund ta bëni një krahasim mes luftërave tjera në ish Jugosllavi, sepse ishit pjesëmarrës edhe në luftën e Kroacisë, të Bosnjës dhe të Kosovës. Ku ishte dallimi mes këtyre tri luftërave?
John Harrison: – Dallimi qëndron se në Kroaci dhe Bosnjë kishte një lloj armate të organizuar, kishim më shumë municion dhe armatim, kishim më shumë pajisje që të bënim atë që duhej bërë, dhe në luftën në Kroaci shumë vendime të marra kanë qenë të motivuara politikisht, ta zëmë, bombardimi i Zagrebit u ndal sepse ne u tërhoqëm nga Bosanski Brodi, dhe kjo ishte e dhimbshme, dhe ishte rasti i vetëm ku unë isha tërhequr nga ndonjë vijë e frontit, pra, kjo ndodhi në Bosanski Brod. Kur erdha këtu, në ushtri kishte më tepër pasion. Në Kroaci, të mos them ndonjë gjë të keqe për armatën Kroate, ata kishin emocione, njerëzit vinin dhe e kalonin një vit në shërbim ushtarak kombëtar dhe pastaj shkonin përsëri në shtëpi. Në Kroaci dhe Bosnjë pati shumë trima, por, në Kosovë…
Klan Kosova: – Keni takuar shqiptarë në Kroaci, sepse ata morën pjesë në luftë në Kroaci. Kishte shumë shqiptarë që morën pjesë në luftë atje?
John Harrison: – Po, ishin shumë nga ta në zonën e Gospiqit. Unë e takova njërin, i cili iu kishte bashkuar njësitit “Tigrovi”. Sigurisht që, në fillim, nuk e kuptoja motivin e tij…
Klan Kosova: – Pse një shqiptar do të ishte këtu, duke luftuar për kroatët?
John Harrison: – Po, pra. Edhepse unë isha një anglez në atë vend, nuk e kuptoja lehtë këtë gjë. Unë erdha në Kosovë përmes Shqipërisë dhe e ndihmova UÇK-në në luftë, dhe tani e kuptoj pse e bëri ai këtë. E bëri për nderin e tij, për veten e tij dhe për njerëzit përreth tij.
Klan Kosova: – Sa mora vesh unë, lufta që ishte më së vështiri të kuptohej nga një i huaj, ishte lufta në Bosnje?
John Harrison: – Po. Eshtë shumë e vështirë.
Klan Kosova: – Mund ta përshkruani pak këtë, nga pozicioni i juaj?
John Harrison: – Bosnja ishte mbase një ndër vendet më të çuditshme për luftë. Mizoritë që kishin ndodhur atje ishin pamjet më të tmerrshme që i kisha parë në jetën time, dhe mënyra sesi bota rrinte qetë dhe vetëm shikonte… Unë, si një anglez, nuk e kuptoj pse e bënë këtë dhe pse lejuan që një barbari të till, të vazhdonte kaq gjatë. Ata e dinin se çfarë po ndodhte. Por, vendimi që kroatët të futeshin në mes të kësaj ishte i fuqishëm, madje edhe kur armata e Bosnjës dhe Hercegovinës u ngrit kundër forcave kroate dhe këtë unë s’e kuptoja fare. Ne e luftonim një armik të përbashkët dhe kjo ishte vërtet një gjë e çuditshme për mua, sepse nuk e dije më kë e kishe shok dhe kë jo.
Klan Kosova: – Dhe kush kë e luftonte?
John Harrison: – Po. Ishte… Prit pak, ne duhet t’i luftojmë ata atje dhepse ti gjuan në mua… Por, njerëzit e bënin dallimin. Në Bosnjë pashë shumë pak refugjatë, sepse aty ku ishim ne, në front, nuk i shihnim.
Klan Kosova: – Por, patë shumë civilë të vrarë atje?
John Harrison: – Po. Shumë, madje. Kur ishim në fshatin Popaj, pamë shumë refugjatë të cilët vinin drejt nesh, sepse ata ishin dëbuar nga forcat serbe dhe ata kishin kaluar male, kishin kaluar pyje dhe erdhën në Koshare, dhe deri tek ne. Edhepse duhet të ishim të fortë në sy të këtyre njerëzve, mua më rrodhën shumë lotë derisa i shikoja ashtu, dhe derisa i dëgjoja rrëfimet e tyre.
Klan Kosova: – Edhepse në Bosnjë nuk patë gjë të tillë, donit të mos i shihnit këto pamje në Kosovë, të civilëve të vrarë në Kosovë, një lloj gjenocidi i cili ndodhte këtu?
John Harrison: – Në një mënyrë, po. Kur filloi lufta në Kosovë, rrija në shtëpi dhe mendoja: mos përsëri, jo në emrin tim, dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse erdha këtu.
Klan Kosova: – Pra, në Kosovë gjetët një motiv të fuqishëm, një ideal të fuqishëm tek njerëzit të cilët luftonin, jo sikur në Bosnjë, mendoj në problemet se kush kë e luftonte dhe politikën. Jeni krenarë që ishit pjesë e luftës së Kosovës?
John Harrison: – Po, më shumë se çdo gjë. E di që kjo tingëllon pak e çuditshme… në Armatën Britanike keni tatuazhe për çdo vend ku keni qenë dhe tërë jetën time kam pasur frikë nga gjilpërat dhe kurrë nuk e kam bërë asnjë tatuazh në jetën time, por…
Klan Kosova: – Po përpiqeni të më thoni se e keni bërë një tatuazh për Kosovën?
John Harrison: – Po. E kam bërë, dy javë para se të vija këtu.
Klan Kosova: – Në cilën pjesë të trupit?
John Harrison: – Këtu! Kjo është nga “Delta”…
Klan Kosova: – Duket interesant kjo!
John Harrison: – Akoma nuk është e përfunduar. Do ta vendos edhe shenjën e Brigadës 138. Në Fejsbuk e kam shoqe bijën e komandantit Ramadani, Lorenën, dhe e kam lutur që të më japin lejen e familjes së tyre, që ta kem këtu emrin e babait të saj, në llërën time, sepse është edhe emri i Brigadës. Duhet ta kërkoja lejen e saj, sepse këtë emër do ta bart me vete, tërë jetën time, dhe është emri i babait të saj. Jam i lumtur ta them që familja e saj më ka lejuar ta bëj këtë. Pra, sonte do të shkoj në shtëpi dhe të hënën në mëngjes, emri i tij do të jetë këtu.
Klan Kosova: – Ju keni familje në Mbretërinë e Bashkuar, atje ku jetoni ju. E kuptuan ata që ju shkonit në një luftë të huaj, duke luftuar për shqiptarët. Si ishte reagimi i tyre?
John Harrison: – Babai im i kaloi 27 vjet në Forcat Britanike dhe ai më kuptoi menjëherë.
Klan Kosova: – Pra, sikur një ushtarak që ishte?
John Harrison: – Po. Sa i përket nënës time… E pyeta njëherë se çfarë mendonte për këtë… cila ishte ajo fjalë… madje s’mund të mendoj as anglisht tani…
Klan Kosova: – Mbase jeni duke menduar shqip tani?
John Harrison: – Po, jam duke menduar kroatisht, madje. “Je krenare me mua, për atë që kam bërë unë? Isha në Kosovë dhe në Kroaci?.
Klan Kosova: –E pyetët atë?
John Harrison: – Dhe ajo tha: “Po. Krenohem shumë me ty. Sepse ishe vërtet një budalla që shkove atje”. Ajo mendonte se s’do të kthehesha kurrë në shtëpi. Unë isha në Koshare, kur nëna ime e kishte ditëlindjen dhe nëna ime më thoshte gjithmonë se unë kurrë nuk i dhuroj asaj lule dhe përmes Samiut, vëllai i tij, Bajrami, i cili akoma është në Londër, i dërgoi nënës sime një buqetë me lule, më të madhen që kishte parë ajo ndonjëherë për ditëlindjen e saj, dhe iu desh t’i fuste në katër kova, e mbushi madje vaskën me to. Dhe që nga ajo kohë, nuk pata më nevojë t’i blija lule asaj. Ia vlejti, sepse nuk pata më nevojë t’i blija lule.
Klan Kosova: – Shumë interesante. Çfarë bëni tani? Ju jetoni në Mbretërinë e Bashkuar apo në Kroaci?
John Harrison: – Jo, unë jetoj në Mbretërinë e Bashkuar.
Klan Kosova: – Dhe çfarë punoni për momentin?
John Harrison: – Jam i pensionuar për shkak të shëndetit, sepse fatkeqësisht, kancerin im është në fazën e fundit.
Klan Kosova: – Kjo është hera e dytë që jeni në Kosovë dhe keni shpresë të ktheheni përsëri?
John Harrison: – Po, kam shumë shpresë. E tërë brigada, të gjithë njerëzit që takova, më thanë se donin të më shihnin këtu edhe vitin tjetër, sepse para pesë vitesh, doktori im më tha se i kisha vetëm edhe 18 muaj jetë, por s’më tha kurrë se cilët ishin ato 18 muaj, dhe tani, jam duke u ballafaquar me këtë, dhe që tani, çdo vit do të vij përsëri në Kosovë dhe të shoh se sa është duke përparuar.
SHKELBA
SHKELBA
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 615
Points : 1816
Reputation : 14
Join date : 03/01/2012

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi