Pëllumb Kulla: Si u mashtrua OKB për thyerjen e embargos ndaj ish Jugosllavise
Faqja 1 e 1
Pëllumb Kulla: Si u mashtrua OKB për thyerjen e embargos ndaj ish Jugosllavise
Pëllumb Kulla: Komunikimet me Berishën, si u mashtrua OKB për thyerjen e embargos ndaj ish Jugosllavise
Ish ambasador ne SH.B.A
Intervistoi Adrian Thano
Ndodhi në 2006. Dhe është pa dyshim, një nga ato ngjarje që mund të tolerohen e mos trazojnë rutinën vetëm në Tiranën politike të Sali Berishës. Ish-Presidenti e lëshoi çuditërisht pa droje: në përgjigje të pyetjes mbi një libër kujtimesh të ish-homologut malazez. U pyet mbi ato kujtime dhe ja ku u bë…
Një buzëqeshje përzier me ca topa fjalësh të ngecura në gojë; më pas një “ju garantoj” (me ashk, do ta quante Pëllumb Kulla); pastaj prapë një buzëqeshje,- le të themi, disi më e gjerë,- pas kësaj dy gojë-mbajtje rresht, ndonjë metaforë me vapora që ta bën veshin copë, pastaj, një tjetër ekstra-buzëqeshje bujare (e shtata në rradhë), pastaj hiç-buzëqeshje (prite Zot ç’do thotë!), por ja ku kemi papandehur fytyrën më solemne mbi rruzull… (të gjitha këto brenda 50 sekondash)…dhe më në fund, mbarimi (në të gjitha kuptimet) i asaj që u nis për të qenë ndoshta një…fjali.
E thënë shkurt, ajo që mund të kuptohej, ishte ajo që mund ta lexosh ende tutje-tëhu nëpër Google: Kryeministri i Shqipërisë së vogël, pohoi me gojën e vet se vendi që ai drejtonte e paska thyer embargon e OKB ndaj ish-Jugosllavisë. Pasoi ndonjë politikan i opozitës, (edhe ky shumë i bindur që gjëma është gjëmë). Pas tre ditësh, heshtje…
Por, ka një shqiptar që mund t’na thotë diçka më shumë. Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB në kohën e thyerjes së embargos, është personi i duhur për të mësuar më shumë se ç’mund të mbetet në kokë nga gojëqeshje-gojëmbajtjet, apo opozicionet që fiken më shpejt se dritat në Kombinat. Për fat të mirë, ky ish-ambasador nuk është një ish-zyrtar dokudo.
Pëllumb Kulla, (aktualisht jeton në SHBA) i është përgjigjur disa pyetjeve të mia mbi kohën e thyerjes së embargos, mbi komunikimin e tij në atë kohë me Berishën, çfarë i ka thënë ky i fundit në përgjigje të përcjelljes së shqetësimit të zyrtarëve të OKB-së, si i trajtonte kjo organizatë informacionet që vinin nga kufiri shqiptar etj.
Kulla është i skandalizuar. Por jo vetëm kaq. Ish-ambasadori VIP ndihet i përdorur. Ka vepruar në kushte besimi të plotë dhe është mashtruar: është mashtruar nga ish-Presidenti i tij. Dhe ja pikërisht këtu, kemi rast që veç informacionit ekskluziv, të fiksojmë një dëshmi për një nga tiparet më të spikatura komuniste të politikës si me thënë post-komuniste: atë që Kulla, me shumë të drejtë, e quan “pabesi”.
gazetari;
Z. Kulla, në 2006 kryeministri shqiptar, u pyet lidhur me disa kujtime të botuara nga ish-presidenti malazez, Momir Bulatoviç. Z.Bulatoviç theksonte në këto kujtime, se ka egzistuar një marrëveshje mes tij dhe ish-presidentit shqiptar, Berisha, për të furnizuar me karburant ish-Jugosllavinë, në kushtet kur OKB kishte shpallur ndaj Beogradit, një situatë embargoje. Duke dëgjuar deklaratën e z.Berisha mbi këtë marrëveshje, kuptohet se Shqipëria e ka thyer këtë embargo. Si ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, a jeni ju në dijeni të kësaj? OKB ka patur në atë periudhë sinjalizime dhe shqetësime, lidhur me këtë situatë? Nëse po, a mund të na i thoni ato?
- Po ka patur, bile, mjaft. Në Këshillin e Sigurimit, strukturat monitoruese raportonin mbi shkeljet e sanksioneve që i ishin vendosur Federatës Jugosllave, të mbetur tanimë si një bashkim i veç dy republikave, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Shumë njerëz, në Misionet e Bashkimit Europian (BE) dhe të Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit për Evropën (OSBE) vigjëlonin rreth e qark kufijve të Jugosllavisë, që brenda në të, të mos hynte asnjë pikë karburanti. Përpara se kamionët dhe traktorët, karburanti mbushte serbatorët e tankeve, autoblindave dhe avionëve të Millosheviçit, që mbillnin vdekje në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Depërtimet nga kufiri i Shqipërisë, ishin shpesh temë e ditës.
A keni patur ju kontakte specifike lidhur me këtë temë dhe me kë?
Misioni Shqiptar pranë OKB-së, ishte nga të parët organizma diplomatikë që priste qortimet. Ne ia përcillnim kryeqytetit tonë. Në mënyrë të veçantë e mjaft serioze, Këshillit të Sigurimit iu raportua në qershor 1995, kur nga Brukseli erdhi vetë Koordinatori i BE/OSBE-së, Ambasadori Antonio Napolitano. Në një seancë të posaçme u paraqitën dëshmi me foto në përmasa të mëdha, që nuk të linin asnjë shteg dyshimi, nëse qenë apo jo të shkrepura në kufirin shqiptaro-malazez. Aty shfaqeshin rradhë autobotësh. Fotot ishin marrë nga ajri dhe nga toka. E vërteta ish’ se rreth autobotëve nuk shihje asnjë polic apo njeri, që të të kujtonte shtetin. Mund të mbroheshim edhe ngaqë botet nuk e kishin në ballë destinacionin. Ama, kish plot transportime me hajvanë, fuçira të vendosura në barka të remuara nga fshatarë që përshkonin liqenin e Shkodrës dhe Bunën. Ishte një dëshmi e rëndë.
Kishte Shqipëria, zyrtarisht, ndonjë version shfajësues për situatën?
Versioni ynë shfajësues ishte ai, që ne kishim përsëritur edhe herë të tjera.
Cili, nëse mund të thuhet…
Ai pra, që “shteti ynë e pranon pafuqinë e tij për ta luftuar siç duhet kontrabandën që gjen hapësirë, pasi spekullantët e pasuruar për ta zhvilluar më tej pasurimin e tyre të pandershëm, motorizoheshin më mirë se shteti i brishtë paskomunist”. E bënim thirrje që Komuniteti Ndërkombëtar të na ndihmomte më tej, me mjete e specialistë, që t’i thoshim “stop” kësaj të keqeje. Ishte një formulë që e pat shqiptuar Presidenti e ministri dhe ne nuk na mbetej, veç të shkonim në gjurmët e tyre.
Ju vetë, e besonit se kjo ishte e vërteta?
- E besonim! Ne atëhere besuam shumë gjëra! Ne ishim të shkëputur nga terreni konkret dhe si të gjitha direktivat, do ta përmbushnim patjetër dhe këtë. Sado e pabesueshme, ne e thoshim me zemër të pastër këtë shfajësim. Lufta në Bosnjë shënonte kapituj ngjethës njëri pas tjetrit, që godisnin sytë e botës dhe të salloneve të OKB-së. Represionet në Kosovë, vrasjet e arrestimet në atë kohë, nga ana e palës sërbe ishin ende më të pakta, por gjithashtu tronditëse për diplomatët shqiptarë. Këta fakte e bënin më prekës sinqeritetin, për të mos thënë, distancën nga e vërteta lakuriqe me të cilën na mbante Tirana. Këtë ma vuri në dukje edhe Ambasadori Napolitano, me të cilin pata një takim të posaçëm. Ai kish rekomandim nga ambasadori tjetër italian, ai pranë OKB-së, Paolo Fulci, i cili ishte mjaft i afërt me mua. Napolitano, më foli më hapur sesa foli në takimet e tjera që pat në Nju York. Ai u bind se unë shfajësimin e kisha të sinqertë dhe miqësisht shprehu dëshirën, ndoshta të parealizueshme, që të më takonte, atëhere kur unë do të kisha një ide e një siguri tjetër mbi të vërtetën.
A e sinjalizuat në atë kohë, zotin Berisha, për këto shqetësime që ju ishin transmetuar dhe nëse po, cila ishte përgjigja e tij?
Pa asnjë dyshim që e bëra. Atë ditë dërgova raportin me shkrim dhe pas ca javësh në Tiranë, ia tregova më në hollësi efektin e dëshmive mbi shkeljet e sanksioneve, pra: thyerjes së embargos, siç përdoret këtu më thjeshtë. Më hollësisht, i rrëfeva dhe për bisedën me koordinatorin Napolitano.
Cili ishte komenti i Presidentit?
Ai, në një gjëndje emocionale të përngritur, më porositi që zotërinjve rreth e qark Këshillit të Sigurimit, t’u thosha se ne i kishim dhënë fund asaj epoke, kur qëllohej me armë kundër fshatarëve që kapërcenin matanë kufirit. Dhe nuk do të qëllonim më, daç të ishin ata të ngarkuar, daç të ishin pa ngarkesë! “E dimë,- tha Presidenti,- që shkelet kufiri, që përcillet andej dhe naftë e ushqime. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta frenojmë këtë evazion”. I mbaj mend tekstualisht fjalët e tij, pasi unë në atë kohë besoja kryekëput në ato që thoshte ai. E sidomos, sepse i thoshte me ashk.
U përcoll në OKB, ky qëndrim i Presidentit shqiptar?
Sigurisht që po! Jo formalisht në Këshillin e Sigurimit, por në takime të dyanshme dhe në ndonjë konferencë shtypi, kur më atakonin, po! Bile, hera-herës dhe tekstualisht, por teksti tani qe bërë imi.
Një pyetje hipotetike… Pasi dëgjuat pohimet e shefit tuaj të atëhershëm, që e pranoi vetë pas botimit të Bulatovicit, thyerjen e embargos, çfarë mund t’i thoshit Koordinatorit të atëhershëm, Antonio Napolitano, sikur ta hasnit?
Pak rëndësi ka, se ç’do t’i thosha unë Napolitanos… E rëndësishme është, se ç’do t’i thosha shefit tonë të atëhershëm! Do t’i thosha që na ka mashtruar, na ka shpërdoruar pabesisht, ditë për ditë, siç po vazhdon të sillet pabesisht edhe sot, në dëm të shoqërisë shqiptare, në dëm të çështjes kombëtare dhe asaj kosovare, në plan të parë.
Justifikimi i tij, se thyerjen e embargos ai e kish llogaritur në favor të shqiptarëve përtej kufirit, është gjethe fiku. Është një justifikim diletant, që atij i ka efekt ngaqë turma e qorrave do të vazhdojë të brohorasë për të, edhe sikur ai t’i verë shkrepësen fitilit për multi-milionat e tonëve të eksplozivit, nën truallin shqiptar. Do të hidhemi të tërë në hava, me dy gishtat përpjetë, të sigurt që po fluturojmë në katërqind copëra, për të mirën e çështjes kombëtare!
Jeni i revoltuar… Kam parasysh tonin tuaj…
Nuk jam i revoltuar. Unë kam pushuar së revoltuari me të. Unë tani zbavitem me të. Nuk pres asnjë të mirë prej tij, në asnjë cilësi: as si shqiptar, as si bashkëpunëtor i devotshëm i tij, as si pensionist, as si ish-pronar… E shoh qesharakërinë e tij, si një gjë që më fyen mua dhe vetëm mua. Nuk di sa shqiptarë të tjerë mund ta kenë këtë ndjenjë. Kam parë në jetë gjëra groteske, por një grotesk të madhërishëm, të tillë, nuk mund të bëjë vaki të shfaqet kurrë në historinë e një kombi. Dhe dy pyetje, besoj janë thelbësore në pohimin e tij të vonuar…
Cilat?
Si e ndiqte ai fuçinë e karburantit që rrokullisej p.sh., drejt Prishtinës, dhe e kuptonte që ajo arriti tamam atje?! Dhe ku shkuan miliardat e dollarëve të kontrabandës kur Shqipëria është e rënuar dhe Shkodra me rrethina është rajoni më i rënuar i këtij vendi të rënuar? Berisha do të bënte mirë, që në atë konferencën e shtypit që ju përmendët në fillim të thoshte se Bullatoviçi ka përrallisur kot. Pra, të thosh’ një gënjeshtër tjetër, që do sillte më pak dëm, do të fyente e do të revoltonte më pak njerëz. Mund të fyente vetëm Bullatoviçin, por nuk ma ha mendja që Bullatoviçi do prekej aq shumë, sa të rendte të na provonte se ish-Presidenti shqiptar gënjen.
Në fakt, Berisha nuk i është rikthyer më kësaj teme gjatë këtyre viteve. Dua të them, nuk i ka sqaruar ndonjëherë si duhet “qëllimet” e këtij veprimi. Çfarë do të thoshit ju, sikur ato qëllime vërtetë të ishin të mira?
Unë do thoja që pabesia, është një tipar dominant që na vjen në trashëgiminë enveriane. Problemi është se embargoja e thyer ish’ e pabesë ndaj familjes ndërkombëtare dhe po aq e pabesë edhe ndaj familjes kombëtare. Po le ta zëmë se kjo pabesi do të drejtohej vetëm kundër të huajve. Të shumtë kanë qenë burrat e shtetit, që e kanë përdorur dhelpërinë në dobi të kombit të tyre.
Mua, zoti Berisha, pasi të ma dëgjonte mirë e mirë raportin, mund të më vinte dorën në sup, të ulte zërin dhe të më thosh’: “Mik i dashur, ti atje je shqiptar, je i yni dhe je njeriu im! Ti e di që unë jam shprehur kundër embargos!”. Unë nuk di që ai të jetë shprehur në ndonjë vend kundër embargos, por tërë gazetarët e rruzullit ta pyesin, ai nuk ka për t’ua thënë se ku gjendet i dëshmuar ky qëndrimi i tij! Por unë, i hutuar nga prezenca e tij, do të turbullohesha dhe nga droja se kjo deklaratë e tij madhore kundër embargos, do të më kish shpëtuar, do t’i thosha: “Po, z.President, e di!”. Ai do të më thosh’ që “ne duhet të bërtasim fort, që gjoja po punojmë për t’i a zënë shtigjet kontrabandës, por në fakt duhet me dinakëri t’i vëmë në gjumë ndërkombëtarët! Kupton? Kalimi i karburanteve në Jugosllavi, neve na intereson. Është në interes të çështjes së shenjtë kombëtare. Matanë kufirit, shërbimet tona sekrete na sigurojnë, se i tërë kontigjenti që futim ne në Jugosllavi, shkon në Kosovë”.
Unë nuk dua të shtirem aq syçelët, e ju siguroj se mund ta haja këtë karamele dhe andej e tutje do të kthehesha në Nju Jork me vetëdije krejt tjetër, edhe pse të gabuar.
Mbase nuk kish’ besim tek ju?
E pse duhej besimi, kur ai vetë thotë se qe deklaruar kundër embargos!!! I mungonte besimi tek i caktuari, tek përfaqësuesi i tij?! E kish më të plotë koenfidencën me varkaxhinjtë e fshatrave të Bunës?! Ju doni të më fyeni mua, apo Berishën?
Ju mendoni se një zbulim sado i vonë i këtyre ngjarjeve, ka pasoja?
Ja, kjo është pyetje shumë interesante! Nuk kam dëgjuar që përfaqësitë e huaja të jenë prononcuar. E kjo tregon, se tashmë ata janë mësuar me këtë lloj partneri në politikën shqiptare. Por, edhe opozita socialiste nuk ka bërë aq zhurmë, sa ç’bën zakonisht për gjëra më të vogla.
Si shpjegohet ky qëndrim, sipas jush?
Kjo mund të ketë dy shpjegime: Socialistët respektojnë amnistinë e ’97, që na i falka të tëra fajet që bëhen mbi këtë rruzull!Ose thyerja e embargos është vendosur qëkurse nga OKB-ja ajo nuk i ish imponuar Jugosllavisë ende, qëkurse ish në këmbë Komiteti Qendror, a është vendosur që me Titon bashkë! Dhe ka qenë ndoshta një nga ato vendimet e shënjta, që komunistët e at’hershëm u zotuan njëzëri ta zbatonin në çdo shartim pluralist që të përfundonin ata dhe partia e tyre!
Similar topics
» Kulla e Djallit,simboli i''takimeve te perzemerta''
» Konspiracioni më i madh shfarosës jugosllav ndaj shqiptarëve,Masakra e Tivarit
» Profecia dhe nenshtrimi ndaj saj
» Kisha Greke i jep BERISHËS, titullin e lartë: “BEKIMI YNË i ARTË”, për “Shërbime të shquara ndaj Greqisë”
» Politika shfarosese serbe ndaj shqiptarve,ose Doktrina e shenjte serbe
» Konspiracioni më i madh shfarosës jugosllav ndaj shqiptarëve,Masakra e Tivarit
» Profecia dhe nenshtrimi ndaj saj
» Kisha Greke i jep BERISHËS, titullin e lartë: “BEKIMI YNË i ARTË”, për “Shërbime të shquara ndaj Greqisë”
» Politika shfarosese serbe ndaj shqiptarve,ose Doktrina e shenjte serbe
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi